U nënshkrua protokolli dyvjeçar i aktiviteteve shkencore të përbashkëta (2024-2025), mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
“Protokolli u nënshkrua për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) nga Kryetari i saj, akad. Mehmet Kraja, dhe për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) nga Kryetari akad. Skënder Gjinushi”, bëjnë të ditur nëpërmjet një njoftimi në Facebook nga Akademia e Shqipërisë.
Skënder Gjinushi theksoi se protokolli i radhës që po firmoset për bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka si qëllim bashkëpunimin në të gjitha fushat.
Marrëveshja ka si qëllim që të vazhdojë të zhvillohet tradita e bashkëpunimit të frytshëm kërkimor-shkencor mes dy akademive pas bisedimeve dhe shkëmbimit tё mendimeve pёr zhvillimin e mëtejshëm tё marrëdhënieve ndërinstitucionale nё përfundim tё periudhës sё protokollit për vitet 2022-2023, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shqipërisë.
Gjinushi vuri në dukje se për përforcimin e këtij bashkëpunimi për periudhën 2024-2025, do të mbahet parasysh rëndësia e ndërmarrjes së nismave të përbashkëta shkencore nga të dyja palët, e shkëmbimit të kërkuesve, përvojave dhe informacionit shkencor, mbështetur në marrëveshjen-kuadër të nënshkruar ndërmjet dy akademive.
Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK, foli për përparësitë e këtij bashkëpunimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe shprehu sigurinë e tij se vështirësitë që dalin gjatë punës në realizimin e projekteve të përbashkëta do të përballohen me rritjen e eficiencës dhe të ndikimit të kapaciteteve shkencore në mirëqeverisje, por edhe me mbështetjen e qeverive të të dyja vendeve.
Veprimtaritë e përbashkëta që i bashkëngjiten marrëveshjes së nënshkruar konsistojnë në konferencat ndërkombëtare dhe mbarëkombëtare, tryezat shkencore, projektet, botimet dhe bashkëpunimet ndërmjet qendrave të kërkimit shkencor.
Ndër veprimtaritë e përbashkëta janë edhe tri veprat madhore: Enciklopedia shqiptare; Fjalor i madh i gjuhës shqipe; Histori e shqiptarëve.
Protokolli do të zbatohet duke lënë hapësirat për zgjerimin dhe shtimin e aktiviteteve gjatë punës së përbashkët të të dyja akademive.
ObserverKult
Lexo edhe:
AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS PREZANTOI NË SHQIPËRI BOTIMET E SAJ