Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës prezantoi në Shqipëri botimet e saj

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës prezantoi në Tiranë botimet e saj. Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u shpalosën botimet e vitit 2022-2023 nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Pjesë e aktiviteti ishin akademikë si Mehmet Kraja, Justina Shiroka Pula, Rauf Dhomi dhe Sabri Hamiti të cilët prezantuan botimet e reja.

“Kemi një veprimtari botuese e cila përfshin kryesisht shkencat filologjike dhe shoqërore, kemi edhe disa botime në fushën e arteve”,-tha Mehmet Kraja.

“Veprimtaria botuese e Akademisë është një nga shtyllat themelore të punës së saj. Kemi një veprimtari botuese që përfshin kryesisht fushën e shkencave filologjike shkencave shoqërore dhe ekzakte. Kemi edhe disa botime nga fusha e arteve, kryesisht monografi, katalogë, kemi filluar me serinë e botimeve shkencore edhe nga kjo fushë”.

Tetë botimet e reja në seksionin e Gjuhës dhe Letërsisë i prezantoi akademiku Sabri Hamiti, i cili është edhe autor i njërit prej tyre, librit “Stilografia”. Libra të tjerë në këtë seksion përfshijnë “Kryevepra e Fishtës”, nga Kujtim Shala “Shqipja Standarte Sot”, dhe “Vepra 6” nga Selman Riza.

“Sot kam nderin të paraqes 8 vëllime, të cilat i ka botuar seksioni vitet e fundit. Njëri është soji i vëllimeve autoriale që janë 4, dhe tjetri është i librave me shumë autorë që janë prodhuar nga konferencat shkencore ndërkombëtare ose konferencat për letërsinë shqipe të shek. 21”,-tha Sabri Hamiti, transmeton ‘euronews.al’.

Pjesë e botimeve të reja në seksionin e Shkencave Shoqërore janë libra si: “Ekonomia në Hije: Trajtim teorik dhe empirik”, “Kosova në fushën e Diplomacisë në Francë” dhe “Gjenocidi i Serbisë në Kosovë”

Periudha 2002-2008 është periudha më e frytshme sa u përket botimeve në tërë historinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës , si sa i përket sasisë, ashtu sa i përket cilësisë dhe orientimit, ndërsa botimet e reja përcjellin një frymë dhe metodologji më moderne.

ObserverKult


Lexo edhe:

AKADEMIK REXHEP ISMAJLI: GJUHA SHQIPE SOT ËSHTË NË KRIZË