Rikthehet debati për ndalimin e filmave të komunizmit: “Filma tejet propagandistikë, ndoshta si askund tjetër…”

Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit mbajti një forum për ‘Përballjen me të shkuarën komuniste’, ku edhe nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me homologët rumunë. Studiuesi Ergys Mertiri flet për efektet e pazgjidhura të periudhës totalitare, përfshirë trashëgiminë filmike dhe simbolet.

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit mbajti përgjatë 8 orëve, forumin “Përballja me të shkuarën komuniste dhe politikat e kujtesës sot-ndërmjet kërkimit dhe politikëbërjes”.

“Politikbërja në Shqipëri, si në çdo fushë tjetër është shumë e ngadaltë dhe në përgjithësi nuk i përgjigjet si duhet fenomeneve. Por, në fushën e kujtesës për mua është shumë më mbrapa”, shpreht studiuesi pranë ISKK, sociologu Ergys Mertiri.

Për bashkëpunime e shkëmbim përvojash, u nënshkrua në krye të diskutimeve, një marrëveshje me institutin homolog rumun (IIÇMER).

“Ata janë homologët tanë në Rumani dhe ka shumë vend për të bashkëpunuar, në konferenca, botime etj.”, shton më tej Mertiri.

Në tryezën e diskutimit morën pjesë studiues, përfaqësues diplomatikë dhe të institucioneve të tjera.

“Të gjithë aktorët në vend, u mblodhëm edhe për të folur për të gjitha projektet që po bëjmë”, tha më tej.

Gjatë forumit u cekën një sërë temash për studimet e bëra për atë periudhë, politikat, trashëgiminë e periudhës komuniste përfshirë dhe atë kinematografike. Sociologu Ergys Mërtiri referoi për “kujtesën filmike të  periudhës komuniste si farkëtuese e komu-nostalgjisë” .

“E para janë filma tejet propagandistikë, ndoshta si askund tjetër. Filma që propagandojnë një politikë dhe ideologji kriminale, për të cilët nuk ka ndonjë gjë për t’u krenuar kaq shumë”, shton ai.

U fol gjithashtu edhe për simbolet e komunizmit në Shqipëri, edhe në aspektin juridik, duke cekur shembujt e huaj.

“Jo më kot ne shohim portretet e Enver Hoxhës nëpër aktivitete si p.sh. ato të Luftës, këto duhen ndaluar se janë figura që me konsensus ne i quajmë si kriminale”, thotë ai./shqiptarja.com

ObserverKult


Lexo edhe:

HISTORIA E FILMIT “RRUGË TË BARDHA”, ATO QË NUK DIHEN DHE NJERËZIT QË REALIZUAN NJË PREJ FILMAVE MË TË MIRË SHQIPTARË