Cikël poetik nga Din Mehmeti: Tymi po i del hënës…

din mehmeti

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga poeti Din Mehmeti:

A thua pse troket zemra

Këmbonat e rrokatura
Thërrasin agimet
E kohërave të vdekura

Rrugët fishkëllojnë nga pylli
Që përgjon ofshamat e pranverës
Së mërdhirë nga dimri

E njeriu s’di ç’të bëjë
Me etjen dhe urinë
E dalur vesë e rrufejë

Tymi po i del hënës
Toka sinjal i kuq në orbitë

E tërmete të reja në mëshirë
E rrëkëllimë gurësh mbi gurë

A thua, pse troket zemra…

Elegji për Azem Shkrelin

Mos e zgjoni!
Nuri i tij shndrit

Trupin e ka në të tashmen
Shpirtin në të ardhmen

Është duke përbiruar
Nëpër shkëmboren e mendimit
Për të arritur në anën tjetër të vetes

Rugovasit e mbështollën
Me shalla të bardhë
E vendosën në shpirtin e tyre
Për të jetuar gjithmonë me të

Drita i tha territ:
Nxima shikimin
Mos ta shoh të heshtur

Terri i tha dritës:
Më bëj edhe më të zi

O miku im më i miri mik
Zi zi zi – ajo ditë
Eh eh eh!…

Mos e zgjoni!

Më lënë e më marrin tërë jetën

Më lënë një be për tokë e qiell
Që vran e kthjell

E m’i marrin sytë para se të zbresin në atë gropë
Për t’u dhanë dritë yje për t’i bërë

E m’i lënë porositë e nënës për një palë këpucë
Që nuk rrëshqasin në borë
Për një shall me vija të kuqe
Për ta vënë rreth qafe kur fërfëllazë bëhet ndër male

E ma marrin shpirtin për t’i dhënë hapësirë të blertë
Gaz mëngjesor që pikon nga lulet

E m’i lënë të gjitha frytet e tokës dhe fjalës
Që lidhin e zgjidhin veten kur e do puna
E m’i marrin të gjitha përmendoret e shesheve
Për t’i kënduar dimrave të gjatë
Se kënga do prush do zemër do shpirt

E m’i lënë krahët e shkëmbinjëve të lartë
Kur dragonjtë me kuçedra gjuhen si në përrallë
Kur vetëtimat emërojnë njëra-tjetrën
E pastaj nënshkruajnë paqe

E m’i marrin vitrinat e veshëmbathjeve
Depot e miellit fabrikat që prodhojnë traktorë
Lugë pjata kripë

E m’i lënë blegërimat e deleve
Që mes gishtrinjve sjellin gjethin e tharë
E m’i marrin rrugët e asfaltuara para dere
Urat e larta prej çimentos dhe hekurit

E m’i lënë çiftelitë e fyejt për t’i rreshkë Bjeshkët e Nemuna
Me plisa bore edhe në vapën e korrikut

E m’i marrin hipsetëvravat e zbritsetëvravat e jetës

E m’i lënë duart rreth qafe dhe një shuplakë pranvere
për t’m’u gjetur në ditën e vështirë

E ma marrin frikën mbi kasafortën e botës nga atomi

E m’i lënë besimet e tyre që s’lëkunden

E m’i marrin të gjitha librat për ta gjetur veten e tyre

Duke u ngjitur kah e nesërmja e pathyeshme
Në atë prehër të madh të Diellit
Që na ruan nga vdekjet
E më marrin
E më lënë
Ditëve të tregut fshatarët
Tërë jetën…

Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr

Jam pakëz i ndrydhur pakëz i çliruar
Duke vrapuar pas emrit
Pakëz i zverdhur pakëz i frikësuar

Jam pakëz i ngrirë pakëz i shkrirë
Duke kënduar për ty
pakëz i rrahur pakëz i ndjekur jam.

Jam pakëz i përbuzur nga dielli
Kënga jote më ka ndezur
E më ka stërpikur me lot
Pakëz i vrarë edhe nga ylli jam.

Jam në ëndërr pakëz zhgëndërr
Pakëz fëmijë kur fluturojnë zogjtë

Jam pakëz endacak-shtegtimin e kam në gjak
Duke ecur me ty kalistrok
Pakëz i çuditshëm kur qëlloj rete.

Jam pakëz i dyshimtë pakëz kokëfortë
Kur shqelmoj zotrat që s’dinë të ngopen kurrë

Pakëz diçka nëpër zjarr diçka nëpër ujë
Diçka që hyn në të ardhmen
Për të ikur nga vdekja jam…

Nata e poetëve

Kur heshtja mbulon çdo gjë
Kur të gjithë flenë
Zgjohen poetët
Për t’u djegur nëpër vargje

Ata ia shtrydhin
Gjakun e keq mendimit

Shpirti i tyne shesh betejash

Nga temperatura e fjalëve
Vdesin ngadalë pa klithma

Avull i zi

Bulevardeve të mënyres dëftore
zjarri e uji luftonin përsëri

maskat engjëj maskat thike
shkelnin pushtonin çdo pikë

në mesnatë salla mbeti e zbrazur
e karriga mbi karrige
fjalët krijonin ide nëpër shi
plehu u rrigeve avull i zi.

————

Din Mehmeti lindi në 1932 në fshatin Gjocaj të Junikut. Ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Beogradit.
Edhe pse ka botuar kritika letrare dhe një dramë, Din Mehmeti njihet kryesisht për poezi, e cila është botuar që nga viti 1961 deri në vitin 1999 në 16 vëllime.

Poezinë e parë e botoi në vitin 1949 në revistën letrare Jeta e re. Veprat më të njohura janë:

Në krahët e shkrepave (1961), Rini diellore. (1966) Dridhjet e dritës (1969), Heshtja e kallur (1972), (1974), Fanar në furtuna (1981) Agu, dramë (1982), Prapë fillimi (1996), Klithmë është emri im ( Tiranë 2002), Mos vdis kur vdiset (2001).

Ka ndërruar jetë më 11 nëntor të vitit 2010.

ObserverKult


Lexo edhe:

DIN MEHMETI: KËNDO OSE VDIS PA KLITHMË

Bëhu i blertë si unë
më tha bari një natë
këndo derisa të vallzojnë yjet
rreth diellit
si fëmijët rreth zjarrit në tokë
e pastaj dëgjo oshtimën
pa fjalë nër botë
lart do të mbesin kodrat duarthatë
e gurë breg rrugëve në mendime çarë

Këndo derisa të pëlcasish
si kripa në flakë
vajto po të duash
kosave të egra s’do të mundesh t’u ikësh kurrë
kur çmenden kohërat në furtunë…

Bari ma tregoi ëndrrën e vet:
–majet më të larta e hëngrën qiellin
e zjarrtë
e shteku i rrezeve kërkon veten në breg…
e bregu bregun pas bregut në breg….

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult