Milan Kundera: Në këtë vend drurë ka vetëm në varreza

milan kundera
Milan Kundera

Nga Milan Kundera

Në Islandë pothuajse nuk ka fare drurë, por edhe ata që janë gjenden në varreza; sikur të mos kishte të vdekur pa drurë, sikur të mos kishte drurë pa të vdekur. Nuk i mbjellin përanash varrit, si në idiliken Evropë qendrore, por në mes, me qëllim që ai që kalon andejpari të jetë i detyruar të imagjinojë rrënjët, të cilat, që poshtë, përshkojnë tejpëtej trupin.

Shëtis me Elvar D.në qimiterën e Rejkjevikut , ai ndalon para një varri, druri i të cilit është ende i vogël; po mbushet një vit që aty ka varrosur mikun e vet; fillon ta kujtojë me zë të lartë: jeta vetjake i ishte shënjuar nga një sekret, sipas gjasave, i llojit seksual.

“Meqë sekretet shkaktojnë një kërshëri nervozuese, gruaja, vajzat, njerëzit rreth meje, kanë këmbëngulur t’iu flisja. Gjer në atë pikë sa, qysh prej asokohe, marrëdhëniet me gruan janë prishur. S’munda t’ia fal kuriozitetin agresiv, ajo s’ma fali heshtjen, e cila provonte sa pak besim kisha ndaj saj.”

Pastaj, qeshi dhe tha: “nuk kam tradhtuar asgjë. Sepse nuk kam asgjë për të tradhtuar. Ia ndalova vetes mëtimin që të dija sekretet e mikut tim dhe nuk i dija.” E dëgjoja i mahnitur: qysh prej fëminisë dëgjoj të thuhet se mik është ai që të thotë sekretet dhe që, në emër të miqësisë ka të drejtë të këmbëngulë për të njohur të tuat.

Për islandezin tim miqësia është tjetër gjë: është të jesh roje para portës, ku miku fsheh jetën private; të jesh ai që s’do ta hapë kurrë atë portë; ai që nuk do të lejojë askënd ta hapë.

(Shkëputur nga libri i Milan Kunderas “Testamentet e tradhtuara”)

Përktheu: Balil Gjini

Përgatiti: ObserverKult


milan kundera
Milan Kundera

Lexo edhe:

MILAN KUNDERA: TI NUK KE DITUR KURRË TË JETOSH…

Nga Milan Kundera

Ti nga jeta ke parë vetëm një aspekt dhe më të keqin, – tha doktor Shkreta. – Ti nuk ke ditur kurrë të jetosh. Gjithmonë ke menduar se detyra jote ishte, sikundër thuhet, të ishe njeri i kohës. Të ishe në qendër të realitetit. Po çfarë ishte për ty realiteti? Politika. Mirëpo politika është gjëja më pak e rëndësishme dhe më pa vlerë në jetë. Politika është shkuma e pistë në sipërfaqen e lumit, ndërkohë që në fakt jeta e lumit zhvillohet shumë më thellë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult