Cikël poetik nga Bedri Zyberaj: Hajnat flasin për moralin…

bedri zyberaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Bedri Zyberaj, shkëputur nga libri “Vdekje më të mirë nuk dua”, Armagedoni, Prishtinë, 2018

TRETËSIRË E NGOPUR

Dikur
Etje kishim për çdo gjë
Përveç robërisë
që n’maje të hundës na pat ardhur

Tani
Edhe me lirinë u ngopëm

Rrugëve të jetës rendim si tretësirë e ngopur

FATI IM

Malli
Shpresën ma mban gjallë
Itakën time nuk e prek dot
Edhe pse erërat vazhdimisht më nxjerrin afër saj
As Penelopa nuk është atje ku duhet të jetë
Telemaku ulok qëndron bri vatrës

Vazhdimisht limane mashtruese kaptoj
Kët fat paskam
Të ekzistoj

PARADOKS

Në atdheun tim
Ish-komunistët linçojnë në emër të demokracisë
Frikacakët shesin trimëri
Të marrët mend shesin
Trimave u ka zënë dhëmbi tagji
Hajnat për moralin flasin
Proletarët pasurinë sigurojnë
Të mençurit iso i bëjnë marrëzisë
Sokratët kanë këputur gjuhën
në këtëdheun tim…

SHPËTOMË

E dashur
Orën diku ma kanë vrarë
Vetmia s’ka më frikë
E dashur
Eja shpëtomë nga ankthi
Shpirtin
Nga angështia shpëtoma
Jetën
Të mos ma vrasë vetmia.

VDEKJE MË TË MIRË NUK DUA

Në takimin e parë
shikimi yt vezullues m’i dorëzoi çelësat e shpirtit tënd

Që atë ditë i bart në qafë

Tani
Zëri yt
Më është ngulur në shtat
Ofshamë dashnie ka mbjellë në shpirtin tim
Si gurgullimë gurre shpërthen harlisur
Vetëm kur jam me ty

Buzëqeshja jote mbështjell shtatin tim të zhveshur
Pashë njat Zot
Më shtrëngo fort
Edhe nëse shpirtin ma merr
Vdekje më të mirë nuk dua
As të jetoj pas këtij çasti
Nuk dua.

ObserverKult

Lexo edhe:

BEDRI ZYBERAJ INTERPRETON POEZITË: “ANTIJETË” DHE “PËRHÂNSHËM”