Visar Zhiti: Flamuri më i bukur është ai që njerëzit kanë në shpirt…

Visar Zhiti

Flamuri në shtëpi

Nga Visar Zhiti

Flamuri më i bukur është ai që njerëzit kanë në shpirt…
Ndërkaq shqiptarët e duan Flamurin e tyre dhe u pëlqen ta valëvisin rrugëve në ditën e festës së tij, por dhe në raste të tjera, jo vetëm solemne, – po i thosha fqinjit tim të huaj, – edhe në dasma dhe në stadiume, mbulohen me të, ja… Dhe pashë që pranë meje s’kisha fqinjë fare, por gjëra të tilla do t’i thosha sot, kujdo që mund të kisha pranë, doja të valëvisja fjalë kuq-e-zi… Dhe nga libri i tim eti mora një poezi të hershme, “Simbol”, e shkruar para çlirimit. Vërtet, kur jemi çliruar më 28 apo 29 nëntor? Apo s’jemi çliruar ende, se më 29 nëntor u çlirua ca Shqipëri, por jo shqiptarët, – kështu kisha shkruar dikur.

Por kjo është çështje historianësh, do të thosha, politikanësh tani, sherri i tyre, por a jemi të lirë dhe pa “29 nëntorin”? Madje, po tē duam mund të ngremë dhe dy flamuj, një të 28-ës dhe një të 29-ës, natyrisht i njëjti. Rëndësi ka që shqiptarët e kanë idol flamurin dhe aq, e duan siç duan dhe aq, po dhe as duan t’ja dinë dhe aq, betohen “për Flamur”, betoheshin, desha të thosha, etj, etj.

Dhe m’u kujtua libri i Ernest Koliqit, “Tregtar flamujsh”, ishte i ndaluar si dhe autori dhe s’na ka ikur kjo ndjesi ndalimi. Jo mua, por Shqipërisë…
Dhe iu ktheva plangëprishës himnit të tim eti për Flamurin.

SIMBOL…

Të ngrenë, të ngritën,
Në ëndrra, te bregu.
Të zbresin, të shitën,
Porsi plaçkë tregu.

Të mbrojnë, të mbrojtën,
Me shpirt e me dhëmbë.
Të ndjekin, të ndoqën,
Të shkelën me këmbë.

Të heqin, të hoqën,
Në male, harrime.
Të djegin, të dogjën
Me plumba, mallkime.

Në flakë si flakë
E shenjtë flak’rove.
U derdhe si gjak,
Përgjakur gjakove.

Vërvitu, valvitu,
Krahët mos i mbyll.
Ç’të dhëmbi, ç’të piku,
Një plagë a një yll?

Është në librin me poezi të tim eti, e botuam në Tiranë në 2004, “Kryengritje shqiptare në parajsë”. Dhe parajsë dhe kryengrjtje, por shqiptare, ama!

Dhe im atë e shkruajti atë himn në kohë lufte. Ishte i ri. Por kur i tha të fejuarës së vet, asaj që do të bëhej nëna ime, që t’i qëndiste një Flamur? S’e di a i kishte thënë fjalë dashurie? Se lufta vazhdonte, kur ato duheshin më shumë….

Më kishin treguar vetë se atëhere s’gjendeshin coha e kuqe për flamur, duhej prej mëndafshi, ndërsa pllanga gjaku kishte kudo, as penjë të zez moline s’gjendeshin për shqiponjën, megjithëse zi kishte plot, duheshin dhe fije ari, hënë kishte dhe atëhere, nejse, Flamuri u bë, ç’duhej ua gjeti miku familjar Mit’hat Frashëri, me kushtin që mamaja ime të qendiste dy flamuj, edhe një për atë. S’e dimë ç’e bëri të vetin Frashërlliu magjepsës, ai humbi dhe Shqipërinë, do të thosha, a Shqipëria humbi atë, por ne
Flamurin tonë e kemi edhe sot, të vënë në një kornizë të madhe, ka patur rast dhe të ekspozohet…

Në kornizë kemi vënë dhe Flamurin që ka vizatuar djali, kur ishte tre vjeç e gjysmë, e kam treguar dhe herë tjetër, bëhej lufta në Kosovë, dëgjonim lajmet në tv të shqetësuar, i dëgjonte dhe ai dhe vizatoi “flamurin shqiptar”, një kokolepsje vijash kuq e zi të dalldisura.

-E kujt është kjo, e Paul Klee? – më pyeti një mik, piktor i njohur, kur e pa në kopertinën e një libri tim. Pastaj Atjoni do të vizatonte prapë “Flamur Shqiptar” dhe në klasë të parë dhe në kompjuter, janë dhe në Albumin e tij, që e përgati Eda për botim. Atjonit i pëlqente të vishte bluzë të kuqe në Ditën e Flamurit. Siç duket trashëgohet diçka flamurtare në breza…
Po këta janë flamuj shtëpie, do të thosha, të dashur, familjarë, teksa janë dhe ata, zyrtarët, që mbajmë në tryezë. Me atë amerikan pranë.
Po flamur është shpirti i njeriut…

ObserverKult


Lexo edhe:

VISAR ZHITI: MIRËMBRËMA, PRISHTINË!