Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është gjuhëtari, shkrimtari, diplomati e publicisti Mehmet Elezi.
Ja cilat janë librat që Elezi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
—————————————
Cilët janë tre librat që do të këshilloja? Pyetje e pamëshirshme. Përballë saj të ngurohet goja si ujkut. Thonë se ujkut i ndodh me ra në vathë plot me dhen, çobani s’është, qeni s’është, ujku shtang, cilën me zgjedhë të parën? Dhe i ngurohet goja, s’e prek dot asnjërën!
Pra cilën vepër, cilin autor me përzgjedhë në këtë rast, kur “vathë” është një botë me libra?
Nga Mehmet Elezi
Një “triptik” me poemat e Eposit të Kreshnikëve
Një “triptik” me poemat e Eposit të Kreshnikëve: “Gjergj Elez Alia”, “Martesa e Halilit”, “Ajkuna kjan Omerin”. Ato nuk ndahen. Duhet të merren si një.
Nuk mjafton leximi i tyre, as rileximi. Duhet t’i shijosh ngadalë. Duhen pirë si vera (vena). Fillimisht shijo ngjyrën e rubintë në gotë, thith erëzimin dehës, merr një hurb e mbaje në gojë, gjatë. Vazhdo duke e ndier çdo pikë kah derdhet në gjak.
Çka kanë të veçantë këto tri poema?
Në to gdhendet karakteri shqiptar unik, me kundërshtitë e papajtueshme brenda tij. Heroi që çohet prej shtratit varr dhe mbron Lirinë (Gjergj Elez Alia). Aventurieri romantik me mendjelehtësi adoleshenti, që kokëfortësisht rrezikon gjithçka për një vajzë, që kujton se ia del vetëm në zemër të një mbretërie armike (Halili te “Martesa”). Tragjizmi i përmasave kozmike, që e shkim edhe dritën e hanës (te “Ajkuna”). Si i tillë, ky “triptik” i thellë shfaqet sa i moçëm, aq edhe modern.
Përkryerja artistike e të tri poemave është robëruese. Çdo varg i tyre rrjedh, nuk bart grimca rëre, bart grimca të florinjta arti. Homeri nuk guxon me ndërmarrë përshkrimin e Helenës, gjeniu i panjohur i “Martesës së Halilit” e gdhend Tanushën me dorën e Fidias:
Shtati i saj si shtat çetine
Shtegu i ballit si shtegu i malit
Kur merr hana me prarue
Vetulla e saj drejt si fiskaja
Syni i saj si kokrra e qershisë
Hunda e drejtë si kalemi Tushës
Goja e saj si lulja kur shpërthen
Dhambët e saj si gurzit e lumit
Fill mbas shiut kur po i shndrit dielli
Dora e saj porsi rremi i shemshirit
Portretin artistik të saj Fishta e përqas me një lirikë të rrallë të Petrarkës.
Gjuha e tyre, me ngjyresat e pafundme, i shndërron të tri poemat në galeri impresioniste, ku nuk mbizotëron lirizmi.
Nuk duhet harruar një homazh për Atë Bernardin Palajn, që i mblodhi. Pa përkushtimin e talentin e tij, edhe poemat mund t’i kish mbuluar dheu bashkë me lahutarët e tyre. Ashtu si pa përkushtimin dhe talentin e Atë Donat Kurtit, do të ishin shuar shumë prej përrallave vezulluese, që i mblodhi ai.
“Shtatë fletoret” e Havzi Nelës
Është thënë se Havzi Nela është poeti i mbramë i vrarë në Europën ish-komuniste. Por, me sa dimë:
– është i vetmi poet i varur në krejt botën, qysh nga mesjeta;
– është i vetmi poet me kryet e prerë për së vdekuri, qysh para kohëve homerike. I është gjetur trupi, kryet jo.
Për kah forma, vargu i tij është i thjeshtë. Tradicional, herë-herë foklorik.
Shumicën e poezive i ka shkruar në mbamendje. S’ka laps në burg, s’ka letër. S’ka kushte me e lëmue vargun. S’ka asnjë mundësi me e ndjekë poezinë bashkëkohore, me u pasurue prej saj. Ai e ndien veten në luftë. Në luftë gjithçka shndërrohet në armë. Edhe arti. Me vargun e tij u përgjigjet ngjarjeve aty për aty.
Për kah kumtet, është më moderni i letrave shqipe, në kohën që jetoi. Pa alegori, pa metafora të errëta, thërret me u ngritë kundër «demonit me brirë». Që «njerëzoren e bani shkrumb e hi». Që «barbaren e ngriti në piedestal». Si u bë kështu kjo Shqipëri e dashur? «Luftë klasash, diktaturë/ Midis njerëzish s’mbeti urë/ U mbush vendi me spiunë!». Sytë nga bota demokratike, se “Europa asht e jona”. Konferenca e Helsinkit zdrit si shpresë. Ani pse, në Helsinki “Nji vend bosh po rri për serit/ Vendi i Judës, i Enverit!”.
Sa ka Havzi Nela vargje për Kosovën, s’ka tërë letërsia e Republikës së Shqipërisë në pesëdhjetë vjet diktaturë!
Pa Havzi Nelën disidenca e letrave shqipe do të ndihej pa kurorë.
“Festa e cjapit”, roman i Vargas Llosës
Kur lexova “Vjeshtën e patriarkut” të Markezit në vitet nëntëdhjetë – ende nuk qe përkthyer në shqip – mendova se kurrkush nuk mund të gdhendë aq mjeshtërisht sa ai figurën e zezë të një diktatori. “Vjeshta” e Markezit është eksperiment marramendës, fjalitë çmendurisht të gjata, një kapitull deri në 72 faqe pa vënë pikë kund. Të lodh, këtu ndoshta e tejkalon Xhojsin. Borgesi thotë një vepër letrare duhet të jetë edhe çlodhëse.
Ndërsa “Festa e cjapit” e Llosës, që rrah të njëjtën temë, është roman sa modern, aq edhe klasik. U rrëshqet mjeshtërisht skemave. Disa pamje janë dublime të mirëfillta skëterre. Mjafton njëra syresh, vështrim i diktatorit në një kënd intim, me zbulue tek ai përbindëshin dhe coftinën në të njëjtën kohë.
Nga pikëpamja kompozicionale, veprën e lidh një vajzë, bija e njërit prej bashkëpunëtorëve më të afërt të diktatorit. E fshehta rrënuese e saj zbulohet në fund. Krimin e papërfytyrueshëm ndaj bijës së vet bashkëpunëtori i ngushtë i diktatorit s’e kryen me përfitue në karrierë, në pasuri. Ai është qenie e mjerë, e hipnotizuar nga diktatori, diktatori ia ka shpërlarë trurin e shpirtin. Për të plotësimi i çdo teke të çartur të liderit është detyrë, vuajtja për liderin është “kënaqësi”! Dhe ai e ha gjallë të bijën. Ndërsa kundërshtarëve, më saktë armiqve politikë, u shërbehen bijtë copa-copa në pjatë!
Romani trazon ndërgjegjen e njerëzimit kundër keqpërdorimit të pushtetit. Ai klith. Ai piskat.
ObserverKult
Lexo edhe:
MEHMET ELEZI: VITE APO VJET? KUR DHE SI DUHET TË SHKRUHEN?