Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës pasurohet me mbi 60 vepra të reja

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës së fundmi është pasuruar me mbi 60 vepra të reja nga 40 artistët e përzgjedhur përmes thirrjes së këtij viti për blerjen e veprave, të cilët kanë filluar dorëzimin e veprave në GKK.

Këtë e ka bërë me dije Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, derisa më tej ka theksuar se “me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe mediume të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra nga artistë të njohur.”

Ndërkohë veprat e reja mbulojnë një gamë të gjerë te temave dhe mediumeve që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet në letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.

Këto vepra shihen si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar.

Komisioni i jurisë profesionale për këto blerje është përbërë nga kuratore të shquara, përfshirë Övül Ö. Durmusoglu, kuratore, profesoreshë, HBK Braunschweig (Bashkëkuratore, Autostrada Biennale), Hana Halilaj, kuratore, Galeria Kombëtare e Kosovës, Joanna Mytkowska, Drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Cathrine Nichols, kuratore, Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart (Kuratore në Manifesta 14). Pastaj Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve, Vera List Center for Art and Politics, The New School.

ObserverKult


Lexo edhe:

GALERIA KOMBËTARE PREZANTON KËNDIN ME PUNËT E SHYQRI NIMANIT

Në nderim të veprës së artistit dhe profesorit, Shyqri Nimani, GKK-ja prezanton për publikun këndin me punën e tij nga arkivi dhe koleksioni i saj.
Nimani ushtroi detyrën si drejtor në Galerinë Kombëtare të Kosovës për 10 vjet,

Ai ndërroi jetë më 22 qershor të këtij viti. Ai la pas vetes një bagazh të madh të punës së tij artistike.

“Shyqri Nimani u lind në vitin 1941, në Shkodër, Shqipëri. Nimani njihet si dizajneri i parë grafik. Po ashtu është një ndër themeluesit e departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve. Nimani diplomoi nga Akademia e Arteve Aplikative në Beograd, me 1967, në seksionin e librit. Kreu studimet postdiplomike në vitin 1969 në të njëjtin universitet.
Vazhdoi hulumtimin e tij artistik në Japoni në periudhën 1976-78.
Më 1979, ai u bë drejtori i parë i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Detyrën e ushtroi për 10 vite.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult