Historia e skenarit të filmit “Lulëkuqet mbi mure”/ Si ndryshoi rrjedha dhe fati i tij, pasi ishte parë pa u shfaqur në familjen e Enver Hoxhës

Filmi “Lulëkuqet mbi mure” vjen i restauruar dhe së shpejti do të ketë një “jetë” të re nëpër festivale ndërkombëtare filmi.

“Lulëkuqet mbi mure” u restaurua në studion “Dabimus srl”, e cila është pjesë e universitetit “Aldo Moro” të Barit, Itali.

Projekti u mbështet financiarisht nga programi “Sezoni i Filmave Klasikë” 2023 i Shoqatës së Kinematekave Europiane dhe programi Europa Krijuese Desk – MEDIA.

“Lulëkuqet mbi mure” u bazua në romanin autobiografik “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafzezi, i cili kishte jetuar 10 vite në strehët vorfnore, deri në moshën 13-vjeçare.

Ky realitet i asaj kohe do të ngacmonte imagjinatën regjisoriale të regjisorit të njohur Dhimitër Anagnosti, i cili arriti të realizonte në vitin 1976 një kryevepër kinematografike si “Lulëkuqet mbi mure”. Filmi i restauruar u shfaq së fundmi nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Petraq Qafëzezi, inxhinier, aviator, si dhe autor i një sërë poezish dhe romanësh ka treguar kohë më parë historinë se në çfarë rrethanash u shkrua skenari i filmit “Lulëkuqet mbi mure”, që mori shkas nga romani i tij “Bonjakët”, botuar në vitin 1972.

Zanafilla për përzgjedhjen e romanit “Bonjakët”, që ai të ekranizohej ka nisur pas një sugjerimi që shkrimtari Vath Koreshi i bëri regjisorit Dhimitër Anagnosti.

Ishte koha kur Anagnosti po kërkonte një skenar të ri për filmin e tij dhe Koreshi i sugjeroi romanin “Bonjakët”.

“Ai e lexoi dhe shprehu interesim për të, por skenari për filmin do të punohej nga e para. Petraqi tregon se i gjithë xhirimi i filmit u bë pa u shfaqur asnjë fragment.

“Vetëm Dhimitri, unë dhe piktori e dinim xhirimet e tij. Gjithçka u mbajt e fshehtë. Gjithsesi, filmi sapo kishte mbaruar dhe u hapën fjalë se ‘së shpejti do të shfaqet një film i ri shumë i bukur’.

Sidoqoftë do të ishte komisioni i posaçëm në Kinostudio që do të vendoste për fatin e filmit dhe vendimtar do të ishte qëndrimi partiak që do të mbahej”. “Unë isha në hall për veten time. Kisha një gjendje ankthi dhe pasigurie.

Në këtë kohë, meqë ishte fundi i vitit dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve ishte mbrapa me veprat e 5-vjeçarit, më caktuan edhe mua që të shkoja për ndihmë.

Pikërisht në këtë institut gjeta edhe vajzën e Enver Hoxhës, Pranverën dhe bashkëshortin e saj, Klement Kolanecin.

Një mëngjes, Klementi m’u afrua duke qeshur dhe, pasi më përqafoi, më tha: “Na kënaqe me filmin!”.

Fillimisht nuk e kuptova, por pas disa orësh shkova e takova përsëri Klemin dhe i thashë: “Të lutem, unë kam blerë një gjel për Vitin e Ri.

Më thuaj, ta ha i qetë apo jo”? Klemi më tha: “Pa merak, ha edhe dy po të kesh mundësi”!

Pas kësaj shkova me vrap tek shtëpia e Dhimitrit. Trokita tek dera disa herë. Ai përgjigjej me frikë nga brenda: “Kush është?” Unë ia ktheva: “Dil jashtë se kam marrë lajme të mira”. Kështu dolëm të dy dhe pa hyrë mirë tek oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve, të gjithë që na panë na uruan për filmin, madje edhe njerëz që nuk e prisnim.

Filmi, pasi u shfaq për publikun, mori çmimin e parë si skenar dhe regji. Fati i filmit në dorë të Nexhmije Hoxhës – Thashethemet që nisën për filmin “Lulëkuqet mbi mure” bënë që për të të interesohej dhe familja Hoxha.

Ndërkaq filmi ishte shfaqur një mbrëmje enkas për familjen e tij dhe shpejt u mësua se ai ishte pëlqyer shumë, sidomos nga Nexhmije Hoxha.

Megjithëse filmi evokon, midis të tjerash, edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend, përsëri censura mund të kapej në çdo gjë dhe mund të ndodhte që filmi të mos shfaqej kurrë.

Vetë Petraqi thotë se elementi që përdoret në film, që banorët e qytetit ku ndodhej jetimorja, merrnin herë pas here fëmijë jetimë për dreka ose darka, ka një të vërtetë. Kjo gjë ndodhte edhe në kohën që ai ishte vetë fëmijë në jetimore”, – është shprehur skenaristi Petraq Qafëzezi.

Filmi, pasi u shfaq për publikun, mori çmimin e parë si skenar dhe regji. Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga fashistët italianë në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe evokon në këtë mënyrë edhe aksionet e lëvizjes antifashiste që sapo kishte nisur në vend. /panorama.com.al

ObserverKult


Lexo edhe:

sadik krasniqi enver visoka

SADIK KRASNIQI: PORTAT E MBYLLURA

(Duke e parë një lagje të braktisur)

Të gjitha portat i mbyllën
si kanatet e dritareve anëdetit
para stuhisë me zhurinë

humbën si zogjtë e qyqes
me çelësat e varur në qafë

mola kohën brejti
dikush e humbi çelësin
e dikujt iu ndryshk dryri

bari i mbuloi varret
i mbuloi trarët

çfarë mortaje e zezë
e faroi këtë lagje të shkretë
pyet pikëllueshëm një dallëndyshe
e fluturimin s‘e ndali
deri në një tjetër pranverë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult