Charles Bukowski: Nëse rrekesh të shkruash si çdokush tjetër, lëre fare…

charles bukowski nëse, poesi observerkult
Charles Bukowski

Poezi nga Charles Bukowski

Nëse nuk buron prej teje, pavarësisht gjithçkaje,
mos e bëj.
Aq më pak, nëse s’ del pa të marrë leje
jashtë zemrës sate,
mendjes sate,
gojës sate,
rropullive të tua,
mos e bëj.
Nëse duhet të rrish ulur
me orë të tëra
me sytë ngulur në ekranin e kompjuterit,
apo përkulur mbi makinën tënde të shkrimit
duke kërkuar fjalë,
mos e bëj.
Nëse e bën për para apo emër,
mos e bëj.
Nëse e bën se dëshiron gra
në shtrojën tënde,
mos e bëj.
Nëse duhet të ulesh atje
e të shkruash e rishkruash,
mos e bëj.
Nëse e sheh si punë të vështirë vetëm kur e shkon ndër mend ta bësh,
mos e bëj.
Nëse rrekesh të shkruash
si çdokush tjetër,
lëre fare.

Nëse duhet të presësh që të buçasë jashtë teje,
ti, prit durueshëm.
Nëse nuk buçet kurrë
jashtë teje,
bëj diçka tjetër.

Nëse së pari duhet t’ ia lexosh gruas sate,
apo të dashurës sate,
apo të dashurit tënd,
prindërve të tu apo kujtdo tjetër qoftë,
ti s’ je gati

Mos ji si shumë të tjerë shkrimtarë,
mos ji si ata mijëra njerëz që vetëquhen shkrimtarë,
mos ji budall, i mërzitshëm dhe fodull,
mos u venit nga vetëkënaqësia,
bibliotekat e botës kanë hapur gojën në dremitje
për tipa të ngjashëm me ty,
mos ua shto veten,
mos e bëj.

Aq më pak nëse s’ del nga shpirti si raketë,
aq më pak nëse duke ndenjur pa lëvizur s’ mund të çojë në çmenduri,
vetëvrasje ose vrasje,
mos e bëj.
Nëse dielli brenda teje
nuk është duke të djegur rropullitë,
mos e bëj.

Kur të jetë vërtetë koha
dhe nëse do jesh parazgjedhur,
do të bëhet vetë e do të vazhdojë të bëhet
derisa të vdesësh ti
apo të vdesë në ty.

S’ ka tjetër udhë,
e as që ka patur kurrë.

Shqipërimi: Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

JAMES JOYCE: DASHURIA IME ËSHTË NJË PETK I NDRITSHËM

Poezi nga James Joyce

Dashuria ime është një petk i ndritshëm
midis pemëve të mollës,
ku erërat e hareshme fryjnë me shumë dëshirë
për të më bërë shoqëri.

Atje, ku erërat e gëzueshme qëndrojnë për të mikluar
gjethet e reja teksa kalojnë,
dashuria ime bartet ngadalë, duke u përkulur mbi
hijen e saj në bar.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult