Pse po e duan Elsa Lilën e vitet ’90-të, e jo këtë të sotit…

elsa lila
Elsa Lila

Elsa për Shqipërinë, e Shqipëria për Elsën

Nga Kristi Pinderi

Mënyra si Shqipëria e trajton Elsën dhe mënyra si Elsa Lila e trajton Shqipërinë kanë të përbashkëta domethënëse edhe pse shkojnë në kahe të kundërta.

Për Shqipërinë, Elsa mbetet një pikë referimi. Si të gjitha vendet e vogla, edhe Shqipëria ka nevojë për referime të mëdha, që e ndihmojnë të kuptojë të kaluarën e vet, që ia bëjnë më të lehtë të ndjejë një sens përkatësie, të kuptojë nga ka ardhur e ku po shkon.

Elsa është si një gur kilometrik që ka vlerë vetëm nëse është e palëvizshme. Ka vlerën që ka stabiliteti për këdo sistem që është në kaos.

Që të mbetet përjetësisht verbues shkëlqimi i idesë që trupëzon Elsa në kulturë, në memorien dhe në ndërgjegjen kolektive, ajo është e destinuar të jetë statike.

Elsa e viteve 90-të është produkt i një vendi që në kohë krize dhe pasigurie kishte nevojë për shpresën dhe optimizmin që përcillte imazhi i pafajshëm dhe i dlirë i një fëmije (siç ishte ajo) me zë e fytyrë engjëllore.

Elsa është kështu e dënuar të jetë përjetësisht një simbol, mundësisht një kujtim që nuk duhet trazuar, as shpluhurosur, e as duhet përditësuar.

Elsa është një link mes së tashmes dhe së shkuarës.

Kurse artistja që rritet profesionalisht, fizikisht, e moralisht është një njeri i panjohur, që edhe fjalët nuk duam t’ia marrim vesh, e papranuar, e përjashtuar dhe e përçmuar për shkak se del jashtë nga korniza. Është si të thuash një rebelim që duhet dënuar.

Shqipëria mund të jetë fluide në rrugëtimin e saj, në shijet e saj, në kërkesat muzikore, në aspiratat kulturore, në përpjekjet evropiane, në dështimet a në sukseset e saj. Ama Elsës i kërkohet të jetë përjetësisht e qëndrueshme, statike, e palëvizshme, si ai guri kilometrik që lëmë pas për të na dëftuar se edhe sa rrugë kemi përpara.

Për Elsën, Shqipëria është gjithashtu një pikë referimi, që asaj i duhet sa herë që ka nevojë për një busull.

Edhe pse Shqipëria e vërtetë është kaotike, shpesh e shëmtuar, shumë e padrejtë, është xheloze për çdo manifestim qytetarie të Elsës, është një vend energjitë e të cilit po shterrojnë gradualisht, po përthahen, ose po arratisen, për Elsën Shqipëria prapë mbetet e bukur.

Shqipëria e Elsës është një simbol, është një ide, është një konstrukt shpirtëror, njësoj siç është Elsa e Shqipërisë!

Mirëpo duke idealizuar te njëra-tjetra të kaluarën që kanë humbur, e kanë të pamundur të ndërtojnë një marrëdhënie të re, për shkak se e bazojnë këtë proces në pritshmëri të padrejta. Elsa për Shqipërinë, e Shqipëria për Elsën.

ObserverKult


anila toto

Lexo edhe:

ANILA TOTO: ËSHTË NATË E FTOHTË KJO NATË DHJETORI

Poezi nga Anila Toto

Është natë e ftohtë kjo natë dhjetori
Nga qielli nisën të bien flokë dëbore
Me një çlirim fryme del nga kraharori
Sikur lindja nisjen e një tjetër epoke.

Edhe duart e tua më duken të akullta
Ndërsa gjithçka ndiej më ka tradhëtuar.
Unë ende mbaj sytë nga kishat e larta
Edhe pse ndihem përditë e kryqëzuar.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


rrahman dedaj
Rrahman Dedaj

RRAHMAN DEDAJ: LETRA QË S’DO TA SHKRUAJ

Poezi nga Rrahman Dedaj

Fluturim i fundit
Është letra që s’do ta shkruaj
Sepse s’do të ketë
Kurrfarë kuptimi
Të shkruash për harresën
Kur mungon adresa e fjalëve

Kështu do të nisë koha
Kur duhet të fillojmë
Të harrojmë

Sepse harresa merr frymë
Në eshtrat
Që s’mund të zgjohen
Ta zbresin pajetën nga jeta.

ObserverKult