W. H. Auden: 1 shtator 1939

Kjo poezi është shkruar për fillimin e Luftës II Botërore që shënohet më 1 shtator 1939, me pushtimin e Polonisë nga Gjermania.

I ulur në një nga baret
e Rrugës Pesëdhjetë e Dy
I pasigurtë dhe i frikësuar
Ndërsa shpresat e pritshme shuhen,
Të një dekade të ulët dhe të pandershme
Valë zemërimi dhe frike
qarkullojnë mbi vende të kthjellëta
dhe të errësuara të globit
duke pushtuar jetët tona private;
ndihet kundërmimi i vdekjes
që shkel mbi natën e shtatorit.

Dijet e sakta mund të nxjerrin
në dritë të gjithë keqbërjen
nga Luteri deri në ditët tona
çfarë e ka bërë një popull të çmendet,
gjej çfarë ndodhi në Linz (2)
Një megaloman i shndërruar
Në një zot psikopat.
Unë dhe publiku e dimë
Ashtu si edhe fëmijët e shkollës
Atyre që ju është bërë e keqja
Me të keq do të ta kthejnë.

Tukiditi i mërguar e dinte
Ç’do të thotë një fjalim populist
për demokracinë
Dhe çfarë bëjnë diktatorët.
Gjepurat e vjetra që flasin
Për një varr apatik,
I gjithi i analizuar në librin e tij.
Iluminizmi i hedhur tutje,
zakonet që krijon dhimbja,
keqqeverisja dhe brenga
duhet t’i vuajmë të gjitha përsëri.

Në këtë vend asnjanës
Ku grataçelat e verbëra përdorin
Të gjithë lartësinë për të shpallur
Forcën e Njeriut Kolektiv
Secila gjuhë derdh shfajësimin
e saj të ethshëm, të kotë
Po kush mund të jetojë gjatë
në një ëndërr euforike
Nga pasqyra ata sodisin
Fytyrën e imperializmit
dhe të së keqes së botës.

Fytyrat e njerëzve në bar
Kapen në ditët e tyre të zakonshme
Dritat kurrë nuk duhet të fiken
Dhe muzika kurrë të mos pushojë.
Të gjitha zakonet synojnë
Ta bëjnë këtë gjendje të duket
Sikur asgjë s’ka ndryshuar.
Që të mos shohim ku jemi
Të humbur në një pyll të fanitur
Fëmijët që kanë frikë kur vjen nata,
që s’kanë qenë kurrë të lumtur apo të mirë.

Plehrat militantë, më dredharakët,
Personat e Rëndësishëm gërthasin
Nuk është aq e pastër sa dëshira jonë
Çfarë shkroi Njinsky i acaruar
për Diaghilev, (3)
është e vërtetë për zemrën normale.
Sepse gabimi i mbrujtur në kockë
i çdo gruaje dhe çdo burri
Digjet për atë që s’mund ta ketë,
Jo për dashurinë universale
Por vetëm për t’u dashur vetë.

Nga errësira konservatore
Në jetën e moralshme
Kalimtarët e ngjeshur përsërisin
zotimin e tyre të mëngjesit
“Do të jem i sinqertë me gruan
Do të përqendrohem më shumë në punë”
Dhe guvernatorët e pakrahë të provincave zgjohen
Për të rifilluar lojën e tyre të detyrueshme;
Kush mund t’i lirojë ata tani;
Kush mund t’i kuptojë të shurdhërit
Kush mund të flasë me memecët?

E gjitha çfarë kam është një zë
Për të zhbërë gënjeshtrën e palosur
Gënjeshtrën romantike në trurin
E një njeriu të ndjeshëm në rrugë
Dhe gënjeshtrën e Autoritetit
Ndërtesat e të cilit prekin qiellin
Nuk ka ekzistuar diçka e tillë si Shteti
Dhe askush nuk ekziston më vete.
Uria nuk të jep zgjedhje
Për qytetarët apo policinë
Duhet të duam njëri-tjetrin ose të vdesim.

I pambrojtur në këtë natë
Bota jonë në gënjeshtra të trullosura,
Megjithatë, shquhen gjithandej
Pikëla drite ironike,
Vetëtijnë kurdo që të Drejtit
Shkëmbejnë mesazhe
A mundem unë, i krijuar si ata
Nga Erosi dhe pluhuri
I dërmuar nga i njëjti
Mohim dhe dëshpërim
Të tregoj një flakë afirmuese.

Përkthyer nga Kujtim Morina

ObserverKult

[1] Poezia u botua së pari në numrin e The New Republic, të datës 18 tetor 1939 në Nju Jork dhe pastaj është përfshirë në përmbledhjen e Auden “Another time” (Njëherë tjetër), 1940. Kritikët kanë theksuar se autori mbështetet në modelin e strofave të poezisë “Easter 1916” (Pashkët 1916) të W.B. Yeats. e cila evokon Ludtën I Botërore.

[3] Linz, Austri, vend lindja e Hit lerit.

[3] Valltari i baletit Njinski për të dashurën Diaghilev.

————————

Lexo edhe:

MID’HAT FRASHËRI: PUNËT QË NGJAJN’ NË SHQIPËRI…