Aster*
Nga Lili Kristuli
Nuk e di ç’të veçantë pati ai mëngjes. Di se u zgjova dhe kuptova që isha një grua pothuajse e lumtur.
Nuk ka asgjë të gabuar apo të pavend në jetën time. Kam të njëjtin bashkëshort, prej vitesh, mendoj se duhemi, kam një punë që më pëlqen.
Megjithatë, atë mëngjes, ishte pikërisht ajo fjalë e padëmshme – pothuajse – që më hapi një humnerë para syve.
Ajo që dukej si një çarje e vogël në strukturën e jetës sime të përditshme, shpejt u zgjerua, u thellua, e vuri në dyshim të gjitha siguritë e mia.
Të njohurit tanë thonë se burri im është një bashkëshort i mrekullueshëm. I vëmendshëm, me vetëbesim, i përgjegjshëm. Plotësisht e vërtetë kjo, e mund të shtoj akoma: psh. se si planifikon çdo gjë me përpikmëri. Vizitat, qokat, orën kur do shkojmë e sa do rrimë, dhuratat, që duhet të jenë proporcionalisht me sebepin. Planifikon fund javën, pushimet, kur do nisemi, çdo marrim me vete.
I përpiktë. Nuk i lëviz as presja në ato që bën e thotë.
Askujt nuk mund t’i përshtatet vetëm një përkufizim. Kurse për tim shoq kjo është e mundur. Ai është përpikmëria vetë.
Tashmë i di përmendesh çdo fjalë, çdo lëvizje të tij.
Kur kthehet në shtëpi, heq këpucët, çorapet i vendos sipër tyre, të palosura. Vesh pizhamet, pasi i jep një të shtrirrë me dorë mbi shtrat.
Bën zapping me telekomandë në tre kanale, gjithmonë të njëjtët, sheh pesë minuta secilin prej tyre. Gogësit, për të shprehur mos aprovimin për ato që ka dëgjuar e ulet në tavolinë.
Pasi ka ngrënë, më kritikon “me dashamirësi” gjellën që kam përgatitur, më shpjegon se si duhet ta kisha përgatitur. Unë aprovoj. Gjithmonë aprovoj. Kështu ai, i vetëkënaqur shtrihet në divan. Me pizhame.
Kur shoqet e mia më thonë, gjithë nerva, se burrat e tyre shtrihen mbi divan pa u zhveshur, i kam zili.
Unë do ta doja një bashkëshort normalisht të papërsosur. Është e tepër përsosmëria e tij
Këtu është problemi : ndajfolja-tepër-që më sjell në mëndje se jam një grua pothuajse e lumtur…
*personazh i librit të ri
ObserverKult
Lexo edhe: