Poemës që ia pa sherrin Uran Kostreci, lindi në burgun e Burrelit

Është ditëlindja e babait të poemës “Epopeja e karkalecave” ose epopeja e komunistëve siç e cilësoi, Uran Kostreci, e cili lindi në burgun e Burrelit dhe përfundoi në fshatin Kurtaj të Peqinit, në vitin 1986.

“Epopeja e Karkalecave” e shkruar prej tij në burgun e Burrelit ishte deklaratë politike, e cila e ktheu atë në sytë e të burgosurve, por edhe të ish-Sigurimit të Shtetit, në kundërshtarin e vendosur të regjimit.

Autoriteti i Dosjeve ka zbardhur disa nga raportet e arkivave, në të cilën Uran Kostreci akuzohet se ka quajtur Enver Hoxhën si “Karkalecin e Madh”, ndërkohë që drejtuesve të tjerë politik të Byrosë u ka venë emra insektesh.

Nga shqyrtimi i dokumenteve të ish-Sigurimit mësohet se nëpërmjet bashkëpunëtorëve, drejtoria e burgut kishte mësuar “Kostreci ka shkruar disa vjersha kundër Kongresit të 7-të të Partisë, por Urani i mban mend përmendësh dhe ka shkruar vetëm rreshtat e parë të strofave në letër.

Në një strofë Urani ka shkruar “Karkaleci i madh mbajti një fjalim ( e ka fjalën për udhëheqësin e Partisë) dhe desh çuditi botën. Të gjithë emrat e udhëheqësve i ka vënë emra zogjsh dhe insektesh. Këtë e ka bërë për kundër peshë të librit ”Epopeja e Ballit Kombëtar”.

(Bashkëpunëtori “Shkëmbi” raporton në nëntor të vitit 1979) .

Historia e përndjekjes së poemës vijon, aty takohen letërsia dhe politika. Gjatë kohës që ishte në burg ai ja mësoi njërit prej të dënuarve, A. Z, tek i cili besonte dhe që arrinte të mbante mend. I burgosuri, A.Z ja recitonte shokëve në burg dhe kjo përcjellje e vargjeve për një vepër letrare është jo vetëm mbijetesë, por edhe sukses i arritur.

Në një letër që ish- Sigurimi i Shtetit, e detyron Uranin, të shkruajë, lexon qartë përpjekjet që bëri autori i kësaj poeme për të ardhur në ditët tona.

I detyruar nga policia sekrete, ai thotë gjërat që ata dëshirojnë të dëgjojnë, por nuk i largohet thelbit të së vërtetës. Kjo poezi doli nga “shpirti dhe mendja e sëmurë”, siç e prek edhe ai në deklaratën e bërë, dhe Urani dinte të ishte sarkastik dhe spontan.

Më poshtë deklarata:

“Unë Uran Kostreci i dënuari për largim pa leje nga internimi me 3 vjet heqje lirie, i pyetur nga organet e Sigurimit të Shtetit, deklaroj sa vijon:

Para shumë vjetësh, kur vuaja dënimin në burgun e Burrelit, i dënuar si armik, pata bërë një shkrim (në vargje) me përmbajtje armiqësore ndaj shtetit, të cilën duke e mësuar përmendësh mbeti në kokën time edhe pasi dola nga burgu. Në Elbasan duke mos guxuar të ja lë dikujt që të mbetej kjo edhe mbas vdekjes time, e shkrova dhe e fsheha në tavanin e dhomës time ku banoja në qytet. Befas u internova. Shkrimi i fshehur mbeti në tavanin e dhomës. Kjo më bëri që më 1984, në janar u largova pa leje nga internimi dhe shkova drejt në shtëpinë time, e nxora nga tavani atë shkrim kobëzi që nuk di dhe vetë pse e pata shkruar (që e marrtë dreqi!) dhe sa e hoqa andej e dogja.

I lehtësuar që e zhduka atë shkrim që ish një provë fajësimi, u ktheva në fshat brenda ditës. Në kthim më kapën e më dënuan 1 vit e gjysmë për largim pa leje. Atje në Përparim ku vuaja dënimin, më bluante një mendim se ajo që pata shkruar do të humbiste me vdekjen time.

Sepse nuk e fsheh që në atë kohë, mendoja akoma se duhej të mos humbiste ai shkrim. Por duhej të mbetej pas vdekjes time. Një marrëzi e vërtetë, natyrisht. Tani e kam të qartë. Pra, po e shpjegoj si ndodh më tej. Aty u njoha me një Artur Zaçe. I prirur ai gjoja për letërsi.

Dhe meqë e besova si njeri, e duke pasur gjithmonë idenë fikse që shkrimi im të mos humbiste pas vdekjes time, mu mbush mendja të ja jap atij atë me amanetin si të thuash, që ai ta fshihte e ta mbante atë edhe pasi të vdisja unë.

E kuptoj mirë tani edhe veten time, se kjo e gjitha ishte një marrëzi dhe punë vërtet boshe. Por ja që ashtu mendoja atë kohë.

Ja dhashë pra, atë shkrim me porosinë e vetme që ta fshihte si reliktin tim e të mos ja jepte askujt, por vetëm le të mbetej edhe pas vdekjes time.

Tani që po shkruaj këto radhë, i vetëdijshëm që kam vepruar shumë keq se e kam shkruar atë shkrim të pështirë në ato vite çoroditjeje mendore dhe botëkuptimore, e shoh se bëra edhe gabimin tjetër që ja dhashë atë shkrim një tjetri.

Këtë gabim të dytë e quaj të tillë se ajo që pata shkruar duhej të qe zhdukur nga po unë vetë. Por një marrëzi prej njeriu të sëmurë nga shpirti e nga truri, më shtyn që e bëra edhe këtë gabim: ja dhashë dikujt këtë krijim pa vlerë dhe denigrues për një sistem që fundi s’më pati ndonjë faj pse unë kam bërë aq vjet burg.

Uran Kostreci

2 Tetor 1986

ATSH

ObserverKult


Lexo edhe:

SIDORELA BERISHAJ: DIKU N’ HORIZONT

endem mendueshëm
duke shëtitë nëpër sytë e tu
rrugicave të mendjes
e shtigjeve të jetës
ndjej puhizën e erës
që m’i ledhaton lehtë flokët
duke m’i shpupurisë
furishëm mendimet
që gjejnë strehim
nëpër ëndërrime t’ pleksura
skutave të vjetra
e horizonteve të reja
hapat ndjekin ritmin e jetës
që nxitohen përherë
sado ngadalë ecim
nguten mendimet
ma shpejt se era
me dalë prej strofullës
e shpërndahen si molekula,
por rrotull nuk gjejnë strehim
busullën e kanë humbur
bredhin si të dehura
krejtësisht pa drejtim
un’ iki …
e ato më vijnë pas
un’ ndalem …
e ato largohen prej meje
si gjethet në fund të vjeshtës
shpalosen qetësisht, kujtimet
koha nuk i mban më në pemë
të lira shëtisin

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult