Fragment nga romani “Shtrati 13” i Petrit Palushit: Asgjë nuk do ndryshojë në jetën tënde…

Petrit Palushi

Nga Petrit Palushi

Më ledhatuan fjalët që më nise për ditëlindje, -sikur ia ndërpreu Fjolla shtjellën e mendimeve.
Ai as e dëgjoi…
Pakëz më vonë i erdhi ndërmend mësuesja e klasës së parë.

Para se të shkonte në shkollë, i qe mbushë mendja top se, qysh ditën e parë, do t’i mësonte të gjitha gjërat, do t’i futej në tru çdo mësim që do shpjegonte mësuesja, menjëherë do mësonte të shkruante e lexonte, ndërsa shkronjat e alfabetit do t’i shkruante në dorë , që t’i shihte me sy gjithë ditën.

Kur të vinte mbrëmja e vonë dhe ai të shkonte në gjumë, gjithë natën do shihte ëndrra, ku shkronjat do i shfaqeshin nëpër sy dhe ai do e thoshte me rend, madje me zë të lartë secilën prej tyre.
Por, mbasi u futën në klasë dhe u njoh me shoqet e shokët e klasës, mësuesja ua shënoi vrik emrat në regjistër. Ai u ndie ligsht kur emri i tij u shënua në fund të emrave të tjerë. Ulpian Agshtegu , iu drejtua atij mësuesja . Ke emër e mbiemër shumë të bukur .

Por ai prap s’u qetësua. Pati shumë dëshirë që emri i tij të shënohej në krye të emrave të tjerë, mu në fillim të regjistrit dhe si me dënesë u ankua tek mësuesja.
Emrat shënohen sipas alfabetit ,i tha ajo. Në fillim është shkronja A. Ja, kah fundi është shkronja U, me të cilën fillon emri yt.
Më pas, mësuesja u tha se atë ditë, si dita e parë e shkollës, nuk do zhvillonin mësim, por do dilnin në shëtitje të shihnin pamjet e rrethinave të qytetit.

Ai u mërzit. Kur u kthye në shtëpi i tha prindve se nuk i pëlqente shkolla , se kish dëshirë të mësonte, të shkruante e lexonte qysh në ditën e parë të shkollës, të niste të lexonte libra me përralla, të mësonte gjithashtu për tokën, pemët, ujanën e Drinit të Bardhë e të Zi, qiellin e gjithçmos gjërash të tjera.

Prindët e qetësuan duke i thënë se punët merreshin dora-dorës.
Kur doli në klasë të dytë dhe mësoi për planetet , ku ndërkohë mësimet i ndiqte me zell të teprueshëm, iu ngulit në mendje se mësuesja e tij qe më e mira në planet, se ajo po i mësonte shumë gjëra dhe , sa më shumë kalonin ditët po mësohej se mendja e tij qe shumë e vockël të mbushej me plotepërplot gjëra….

Në dhomë u fut mjeku si t’ia zhdukte me dorë ose t’ia largonte sadopak gjithçka i vlonte Ulpianit në mendje.

-Analizat dolën shumë mirë, -i tha mjeku.
-Përnjimend? –e pyeti ai.
Mjeku e preku në fytyrë si t’i thoshte se fytyra e tij qe fort e lëmueshme.

-Ja , si përanash zemrës vijëzat e zeza po zhduken, -foli ai.
-Edhe sa kohë? –pyeti Ulpiani, por e la si ndërdyshtas atë që deshi të pyeste ose ngurroi, që pyetjen ta shtronte të plotë: Edhe sa kohë do rri në spital?
-Shumë shpejt do dalësh prej këtu, -foli mjeku.
Ndërkohë, nisi me buzëqeshë dhe e preku lehtas te balli.

-Do bësh pak kujdes, -i tha. –Gjërat vijnë me rend.

Asgjë nuk do ndryshojë në jetën tënde. Gjithçka do të jetë njëjtë si më parë, në mos më mirë.

Fjalëve “Njëjtë si më parë”, i mëshoi më fort, sa Ulpianin e ngazëllyen tek s’shkonte më.
-Njëjtë si më parë, -foli Ulpiani dhe beftas u zhyt rëndshëm në mendjen e vet ose pati dëshirë të mos dilte për shumë kohë prej andej.

Iu shfaq sërish në mendje mësuesja e fillores.

Dikur mendoi se qe mësuesja më e mirë në planet.
Por, në planet paska edhe të tjerë! Sikur u shpërgjum.

Ja, edhe mjeku. Edhe ky është mjeku më i mirë në planet! Paska edhe gjëra të tjera…Por, një herë e një kohë, kur gjeti një tubë me lule tulipani dhe ia dhuroi Fjollës, ajo i tha se qenë lulet më të bukura në planet.
-Planeti ynë ka shumë gjëra, -iu kthye mjekut.

Si të mos kënaqej me atë që tha, mbas një heshtje të shkurtë, shtoi:
-Të ndritshme.
I erdhi në mendje se e kapërceu edhe natën e katërt…
Qe një natë e qetë ku, fjalët e mjekut se analizat i dolën shumë mirë, i erdhën si një lajm i papritshëm siç vjen rrufeja në qiell të kthjellët. Do me thënë, shëndeti i tij po përmirësohej dhe ai ende s’po dallonte gjë?

-Sikur u shpërgjum. Tek e ndjente se mëngjesi po vinte tha me veti se do t’i lutej mjekut ta lejonte të merrte makinën e , le të shkonte ku të mundte, por larg, sa më larg spitalit! Ndoshta mjeku nuk do e lejonte. Ç’thoshte ashtu sa po e fuste mendjen në të thella? U trand bukur fort kur e mori me mend se n’atë lloj udhëtimi çdokush mund të kujtonte se i sëmuri rëndë po shtegtonte për herë të mbrame si me u shmallë me ato gjëra që i kish më për zemër.

Megjithatë, në midis të ditës do dilte në pikë të diellit, mu aty ku dielli t’ish më i ashpër dhe të shihte sa qe në gjendje të qendronte. Ndoshta, n’ato çaste do i mbushej mendja se, ato vijëza të zeza si përanash zemrës u zhdukën dhe ai, krejt i qetë do kthehej te spitali si njeriu që erdhi aty të vizitonte ndonjë të sëmurë tjetër.

Unë jam më mirë, i dha zemër vetit. Aty për aty, sikur u këndell kur tha se do dilte dhe të ecte në këmbë sa të mundte e më pas, do kthehej si pandjeshëm te dhoma e vet e të kalonte ato pak net që i kishin mbetë të kalonte aty.

(Shkëputur nga romani i Petrit Palushit “Shtrati 13”)

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

PETRIT PALUSHI: JA CILAT JANË LIBRAT E PARË QË MË LANË MBRESA

Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari Petrit Palushi.

Ja cilat janë librat që i kanë lënë shenjë në jetë z.Palushi.

___________________________________________

Nga Petrit Palushi

Leximi i librave zakonisht  nis kah klasa e tretë a e katërt e Fillores.

Natyrisht, në këtë kohë dallohen më pasionantët, të cilët s’i ndahen leximit të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës së tyre. Leximi për ta kthehet në  domosdoshmëri, në plotësim të dëshirave të tyre për  njohje. Gradualisht, mësojnë se bota letrare është labirinth, e pamatshme dhe dhe që nuk shterret kurrë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult