Nga Seneka
1. Një gjë është e sigurt, duhet t’i zgjedhim njerëzit: të shikojmë nëse e meritojnë që ne të shpenzojmë për ta një pjesë të jetës sonë apo nëse e vlerësojnë atë kohë që humbasim me ta; disa, në të vërtetë, na i caktojmë vetë detyrat që duhet të bëjmë.
2. Atenodori pohon se nuk do të shkonte as për darkë te dikush që nuk do ta ndiente veten në borxh me të për këtë gjë.
Ma merr mendja se e kupton që atij as nuk i shkon ndër mend të shkojë tek ata që e shlyejnë nderin e një miku me një drekë, që i numërojnë pjatat si të ishin bakshishe, sillen sikur janë të papërmbajtur për t’u bërë ndere të tjerëve: hiqu këtyre njerëzve dëshmitarët dhe sehirxhinjtë e nuk do të ngazëllehen nga kuzhina e vetmuar.
Duhet të mendohesh gjatë që të kuptosh nëse natyrës tënde i përshtatet më shumë një jetë aktive apo është më mirë të merresh me studime, e duhet të shkosh atje ku do të çojnë aftësitë e mendjes tënde—Izokrati e largoi me duart e tij Eforin nga forumi, sepse mendonte se ai ishte më i aftë të shkruante shënime historike-në të vërtetë, kur një mendje është e detyruar të bëjë diçka, ajo përgjigjet keq; u shkon mundi dëm, nëse natyra iu kundërvihet.
3. Sidoqoftë, asgjë nuk do ta gëzojë shpirtin më shumë se një miqësi besnike dhe e këndshme. Sa gjë e mirë është kur shpirtrat janë përgatitur për të mbajtur një të fshehtë, kur ti i trembesh më shumë ndërgjegjes tënde sepse ndërgjegjes së tyre, kur fjalët e tyre e zbutin shqetësimin tënd, kur mendimi i tyre të ndihmon për të marrë një vendim, kur gjallëria e tyre të largon trishtimin, kur gëzohesh edhe vetëm ngaqë i shikon ata! Pa dyshim që shpirtrat që ne do të zgjedhim do të jenë të lirë nga pasionet: në të vërtetë veset zvarriten dhe përhapen te kushdo që ndodhet pranë tyre e, duke qenë kaq afër, dëmtojnë.
4. Pra, siç duhet të kemi kujdes në një epidemi murtajë që të mos ulemi pranë atij që është i sëmurë dhe dergjet prej saj, sepse do të vëmë veten në rrezik dhe do të sëmuremi edhe vetëm nga frymëmarrja e tyre, ashtu do të bëjmë edhe kur të zgjedhim miqtë, në mënyrë që të marim ata që janë më pak të infektuar nga veset: sëmundja fillon duke përzjerë të shëndetshmit me të sëmurët.
Nuk dua të të këshilloj as që të ndjekësh ose të tërheqësh pas vetes vetëm njeriun e ditur: ku do ta gjesh këtë nejri që ne po e kërkojmë prej shumë brezash? Shembulli më i mirë është ai që është më pak i keq nga të tjerët.
5. Nuk do të kishe shumë mundësi për të zgjedhur nëse të mirët do t’i kërkoje mes njerëzish si Platoni dhe Ksenofonti, mes brezave të dishepujve të Sokratit, ose nëse do të kishe mundësinë të zgjidhje në epokën katoniane, gjatë së cilës lindën shumë njerëz të denjë për brezin e Katonit, por lindën edhe shumë të tjerë më të këqij se çdo brez tjetër dhe nismëtarë të krimeve më të rënda-duhet të kishte edhe njerëz të mirë edhe të këqij që të ishte e mundur të kuptohej Katoni: ai duhej të përballej si me të mirët, nga të cilët të merrte pëlqimin për ato që bënte, ashtu edhe me të këqijtë, në mes të të cilëve të vinte në provë forcën e tij-ndërsa tani që ka kaq pak njerëz të mirë nuk do të kesh shumë mundësi zgjedhjeje.
6. Mbi të gjitha, duhet t’u qëndrosh larg njerëzve të pakënaqur dhe atyre që ankohen për gjithçka, për ata çdo rast është i mirë për t’u ankuar.
Një mik shumë i tronditur dhe që ankohet për çdo gjë, edhe nëse është shumë besnik dhe dashamirës, prapëseprapë, është armik i qetësisë.
(Shkëputur nga libri i Senekës “Dialogje” )
Përktheu: Alda Mukli
Përgatiti: ObserverKult
Lexo edhe:
SENEKA: SI TË VARFËRIT ASHTU EDHE TË PASURIT NJËLLOJ PËRFUNDOJNË…
I quajtur ndryshe edhe Seneka moralisti, Seneka filozofi, Seneka tragjiku apo Seneka djaloshari, Lucious Anneo Seneca, lindi në Kordoba të Spanjës në vitin 5 para erës sonë dhe vdiq në Romë në vitin 65 pas erës sonë.
Në vendlindje, ai u vu shpejt në kontakt me idetë filo-republikane dhe anti-imperiale të kohës. I ardhur në Romë, në moshë të re, Seneka mori një edukim të thellë retorik dhe filozofik: mes mësuesve të tij mund të përmendim Papirio Fabiano nga shkolla e Sestii-it, stoikun Attalo dhe neopitagorikun Sozione, prej të cilit fitoi zakonin e një jete të thjeshtë dhe të qetë, të trashëguar edhe nga e ëma.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
JORGO PAPINGJI: KU PO SHKON KJO BOTË?
Ku po shkon kjo botë?, poezi nga Jorgo Papingji
Një ditë u zgjua bota
Nga ëndrra që kish parë
E çirrej, qante, qeshte si e marrë.
Me flokët e pakrehur,
Shpresa zhdukur,
Kërkonte bota trurin që kish humbur.
Me sytë e zgurdulluar, ndjenja mpirë,
Bota kafshonte veten, si vampir.
Si erdhi kjo sëmundje? Kush e solli?
Ç’kuçedër nga legjendat birin polli?
E bota kur vetveten e ndërsente,
Kërkonte një arsye, por se gjente,
E trembej të shikohej në pasqyrë,
Kjo botë vetëvrarë, kjo botë e ndyrë.
E pisët, e palarë, pa tualet,
Vetëvetes i vërsulet dhe e vret.
E në një çast që stepet,
Zë e vajton,
E pyet bota veten
Hej, ku po shkon?
Ku po shkon kjo botë
Nuk e di asnjeri
Nuk e di as unë, nuk e di as ti..
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult