Donika Dabishevci: Tuj ikë dekës

e gjithkohshmja anderr

Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,
prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranxash,
pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.
Përpjetë. Tatëpjetë.

Janë shumë. T’panumërueshëm janë.
Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq
n’karvan t’pakthimit. Humbtinave
kurrë t’njohuna tamam.

Andërrmbytun.
Shpresëvdekun.

Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,
t’plagosunit n’lese t’sajueme.
T’lodhun e tangall.
T’uritun, te tanë.
Dergjun për nji pikë ujë.

Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat.
Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem.
Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun.
T’mavijosun.

Dielli i përvlon e hana i ngrin.
S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.
Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri.

Ikanak t’zanun n’lak t’kohës t’nemun
nënshtruem i janë fatit,
pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,
pa kurrnji mundësi me u përvijue…

Ata ik e deka njek!

*𝘚𝘩𝘬ë𝘱𝘶𝘵𝘶𝘯 𝘱𝘳𝘦𝘫 𝘭𝘪𝘣𝘳𝘪𝘵 “𝘌 𝘨𝘫𝘪𝘵𝘩𝘬𝘰𝘩𝘴𝘩𝘮𝘫𝘢 𝘈𝘯𝘥ë𝘳𝘳”, Littera, 2024

ObserverKult

lexo edhe:

“E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË U KUSHTOHET VIKTIMAVE TË LUFTËS NGA DONIKA DABISHEVCI