Hajriz Sejdiu: Dilemat shekspiriane dhe Kodi shqiptar

lumi

(Një lexim artistik mbi tragjeditë shekspiriane, nën gjykimin e Kanunin shqiptar, sipas Bekim Lumit)

Nga Hajriz Sejdiu

Cila ishte cytja që kultivoi gjakimin për trajtimin e “Kanunit të Lekë Dukagjinit” nga regjisori dhe poeti Bekim Lumi? Aq më parë, cila ishte ajo shtytje dhe ai guxim krijues i autorit Lumi, që të tërhiqte paralele krahasuese në mes të veprave të Shekspirit, që shënojnë vlera kulminante artistike ndër kohëra dhe të Kanunit, që ndër shekuj ishte një nga shtyllat e konstituimit shpirtëror të shqiptarëve, duke shkruar veprën studimore “Shakespeare-i dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”.

Ndoshta grishja nga nëntë muzat, me të cilat siç duket regjisori dhe poeti Lumi ishte vazhdimisht në linjë harmonie e mirëkuptimi, apo ndoshta njëra nga këto muza- Melpomene, ajo e tragjedive, ia ndriqoi imazhin Bekimit që Kanunin ta vështronte në vellon e aurës artistike e hyjnore dhe të kërkonte pika të gërshetimit me tragjeditë e kryeautorit anglez.

Faktikisht kanuni ose kanunet, kodet sikurse ai i Hamurabit, e drejta romake, ligjet e ndryshme që nga antika e këtej, cilësohen si një renditje e zakonshme nenesh e rregullash, që i vendosin korniza asaj lirie njerëzore që quhet liri e natyrshme dhe që nuk është kufizuese, por është në harmoni me tokën, ujin dhe qiellin.

Studiuesi Prof. Dr Besim Muhadri në librin “Studime letrare shqiptare dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit”, duke shkruar për substancën artistike të kanunit lëvruar nga krijuesit shqiptarë na tregon, për disa autorë të letërsisë sonë që kanë trajtuar motive të ndryshme nga Kanuni si: Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Murat Isaku, Din Mehmeti, përfshirë këtu(ver. imja) edhe Ernest Koliqin. Pra siç shihet në artin e letërsisë janë një numër jo i madh shkrimtarësh që për motiv kishin dhe kanë Kanunin. Për dallim prej nesh në letërsinë botërore kishte një mori librash të tillë sikurse kanunet apo zakonet që ishin temë dhe motiv artistik, si pllakat sumere ( Epi i Gilgameshit), Libri i të vdekurve, Tekstet piramidale (Hymni i Kanibalit), Rig Vedat, Upanishadat, deri te Talmudi e ndonjë libër tjetër .

Për dallim prej disa librave të vjetër që nuk kishin apo kishin sadopak substancë letrare, ashtu edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, pa marr parasysh se mund të bëhet subjekt letrar, fillimisht ai është një kodeks përmbledhjesh sjelljesh e sankcionesh për jetesën dhe mbijetesën e një pjese të poullit shqiptar që jetonin kryesisht në viset malore, të cilët asnjëherë, nuk kishin pranuar asnjë ligj dhe zakon të pushtuesëve të shumtë. Pasi kanuni nuk ka substancë letrare, shtrohet pyetja, si arriti Bekimi si regjisor dhe si poet që një kod, kanun pa substancë letrare ta Artësoi dhe ta vesh me aurën estetike dhe etike?

I pasionuar pas kanunit dhe natyrisht duke zbuluar kategori estetike krahasuese mes Kanunit dhe Magbethit, përveç kësaj sigurisht se Bekimi ishte në koherencë edhe me studiues të ndryshëm, të cilët krahasonin kanunin edhe me traditat e lashta Japoneze e të cilët kishin venerue gjashtë elementet bazë të tij. Nga këto krahasime kishin dalë në pah, vlerat e kanunit e të cilat Bekimi i kishte cilësuar dhe trajtuar si kategori estetike e të cilat janë: besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja. Elemente apo koncepte këto që i gjejmë edhe te Homeri, “Iliada” dhe “Odiseu”, pastaj te autorët e tragjedive greke Eskili dhe Sofikliu. Regjisori Lumi shkon edhe më tej kur i “krahason tragjeditë e Shekspirit me kodin dhe traditën zakonore shqiptare sidomos te kaptinat e kanunit si: Miku,Te premt e mikut, Te sjellunit e te zot t’shpisë me miq nē shpi, Ndera vehtjake, Gjaku, Vrasa, Prita, Dorasi, Besa, Deka etj”.

Pikërisht këto koncepte i kishte hetuar edhe Koliqi kur trajtoi artistikisht gjakmarrjen si akt kanunor ose edhe Kadareja tek “Prilli i thyer”. Por, Bekimi shkoi përtej trajtimit zakonor deri tek ai artistik duke nxjerr krahasime mes Shekspirit dhe artit të tij dramatik, veçmas te “Magbethi” dhe Kanuni. Gjakmarrja, besa apo preja e mikut në besë, për Bekimin nuk janë vetëm norma zakonore, por kategori estetike që ai përveçse i krahason edhe i Artëson ato nga groteskja deri te e madhërishmja dhe anasjelltas. Nuk ka kategori estetike më tragjike se sa titulli i dramatizimit “Këmisha e gjakut”, që ishte një krijim i njē huazimi artistik, realizuar me mjeshtri, që i bashkëngjitet natyrshëm një trilogjie tragjedish Shekspiriane si “Magbethi”, “Hamleti”, dhe “Rikardi III” nga regjisori Bekim Lumi.

“Mbasi ky remix: (“Këmisha e gjakut”, “Magbethi”, “Hamleti”, “Rikardi III, ver. e imja), nuk kufizohej në fjalët e Shekspirit-regjisori Lumi përdorte thanie nga Kanuni, të përsërituna si yshtje, që gërthiteshin nga galeria, shushuriteshin nga depoja e kuzhinës, vërshëlleheshin në fytyrat auditorit, murmuriteshin e këndoheshin nga aktorë me kontroll të përkryer zanor. Fjalët në gegnishte të moçme qarkonin e vërshonin sikur aktorët në lëvizje me mimikën e koreografueme me përsosmëni, tue vallëzue me fjalët e Shekspirit derisa gati-gati mund ta paraftyroje dramaturgun plak me mjekrrën e tij t’imtë, vathin karakteristik, t’ulun në një cep me plis siç shfaqet në posterët reklamues të shfaqjes”, shkruan anglezja Elizabet Growing, në vend të pasthënies, në librin e Bekim Lumit “Shekspiri dhe Kanuni i Lek Dukagjinit”.

Titulli i shkrimit të Elizabet Growing është: “ADN-ja shqiptare e Shekspirit”, që njëheri ishte një shkrim kritik me rastin e shfaqjes së dramës “Këmisha e Gjakut”, të regjisorit Lumi, një titull ky që në formën më integrale shpreh dyzimin artistik që ka krijuar Lumi në mes të Kanunit të Lekë Dukagjinit dhe Shekspirit.

Prishtinë, Prill 2024

ObserverKult


bekim lumi

Lexo edhe:

BEKIM LUMI: VDEKJA EKZAKTE

Si kingji nën teh thikash
Dita
Dha shpirt
Mbi akrepat e orës
N’përflakjen e lutjes
U kallën
U dogjën murgjit
E kambana e mortit
As pushoi
As u ndal
As prajti
Tanë natën
Grue e vejë
Veshun n’t’zeza
N’l’terin e qiellës
Qirij mortorë
Dhezi yjet nata
Hana u vizatue gurë vorri
Kunorë me bisht
Kometa Halley kraheqafë
Iu vjerr si strajcë
Bubullimë e rr’fe tri herësh
Nandë herë “I mjeri u…”
L’shoi Zeusi mbi cungun nafakpremë t’asaj dite
Rigë shiu l’shuen retë si lotë vajtojcash
Mbi supe akrepash
Si mbi krahë vorrtarësh
Kufoma e asaj dite u end gjithë natën

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult