reklamë

Art e moral dhe vetëdije letrare

arshi pipa

Nga Arshi Pipa

Thojshim tue përfundue në nji numër të mâparshëm se kritika letrare duhet të jetë nji provim i vetëdijes. Ky pohim mund të përgjithsohet në krejt lamën e letratyrës e t’artit .

Prekim kështu raportin midis artit e moralitetit.

Raport i pakjartësuem e shum i rrahun qysh prej agimevet të filozofisë. Duhet t’arrijnë kohna ma kryengritse e ma kritike për me i pa dy problemet në nji vështrim të dlirë prej paragjykimesh. Estetika fiton pamvarësinë dalngadalë e me shum vështirësi.

Problemi estetik luhatet gjithmonë mes logjikës e etikës pa përcaktime të sigurta. Por prirja e përgjithshme asht me e bâ artin shërbyes t’etikës. Mendimet e Platonit e të Aristotelit në kët pikëpamje qenë shtylla themelore. Thonte pra Platoni se arti duhet t’i nënshtrohej absolutisht qëllimit edukativ të qytetarit e se asht i damshëm kur nuk bahet vegël moralizuese e, perkundrazi, nxitë shfrenimin e fantazisë nder sfera të pakontrollueme nga spirita etike-politike. Ndër çastet ma “artistike” të tijat, kur poezia i gufonte pa dashtazi permbrenda, Platoni e gjasoi artin me marrinë, megjithse me nji marri “hyjnore”, arti u përkufizue si një fuqi demoniake qi e pushton artistin e i a humbet kontrollin e vetëdijes. E mbasi baza e filozofisë platonike qe e moçmja “njife vetvehten”, dënimi i artit ishte vendosun.

Aristoteli , spiritë ma e çelun kah bota konkrete, u ndal ke roli “pastrues” i artit . Rol gjithnji moral por arti shpëtonte nga gjykimi i vdekjes. Aristoteli kuptoi i pari se arti ishte riparaqitje (rapresentacion) e se subjekti i riparaqitjes mundet me qenë edhe i shemtuet, mjaft qi t’arrijë me edukue, mjaft qi të perftojë “Katarsin” nder shpirtna të vezhguesavet-çka i kërkohej poezisë tragjike.

Ishte e kjartë tashma se prodhimi artistik imponohej vetvetiu. Monumente madhështore si vepra e tre Tragjikëvet nuk mundshin mos të çmoheshin edhe për vlerën e tyne poetike .

Por gjithnjë çmimi ishte ma tepër mbi një vlerë estrinseke t’artit, jo mbi immediatetin e tij. E kuptohet prandaj si poetët e mbëdhaj grekë u vështruen me nji sy të ndryshëm, si profetë, si heronj, si prisa të popullit. Vetë artisti nuk arrijti kurr të kuptonte se aj duhej të jetonte ma parë veç e veç për artin e vet por u sugjestionue gjithmonë nga nji funksjon shoqnuer extra-poetik. Kur vdiq Eskili, mbi epitafën e tij u përmend vetën si nji grek qi trimnisht kishte luftue, në Marathonë e gjetiu, për atdheun e vet. Por asnji shënim për madhninë e tij poetike.

Në paganizmin grek veshtrimi i pamvarësisë s’artit mbetë i pakjartësuem. Vetëm nji hap duhej për qi të qitej në pah fuqija e tij elementare në spiritualitetin njerzuer, të kujtohej, bje fjala, se Platoni pohonte me eksperiencën e jetës së vet artin qi dënonte: Platoni qe -shembull rrallë i përsëritun -nji artist i nji fuqije të jashtëzakonshme e arti i tij rrojti edhe pse aj e mohoi.
Krishtenizmi u perpoq t’a skllavonte artin. E veç kështu spjegohet shterpësija relative e prodhimevet artistike gjatë mesjetës. Shembujt e nji Dantes, e nji Cavalcantit, janë perjashtime qi gati na çudisin. Por edhe ke Dante vrehet shum i fortë kujdesi i mëkatnimit t’artit profan.

Nji provë e vonueme e kësajë dileme ndeshet ke nji nga shpirtnat ma të travajtuemët: Tasso. Duhet të vijë Rilindja për qi arti të fillojë me u emancipue.
Emancipimi i plotë i artit asht nevojë e kohnavet moderne.

Kur horizontet zgjanohen nder thellësina të reja metafizike, vetëdija e absolutetit t’artit fillon me dalë në siperfaqe.

Kritiçizmi i Kantit e ban grima krejt nji botë të maparshme të vendosun. E Kanti i pari, seriozisht, perballon problemin estetik e kërkon t’i japë nji zgjidhje. Moraliteti në të cilin arti shifet i naltuem asht nji moralitet i ri i themeluem në dinjitet njerzuer e në përgjegjsi.
Kanti nuk arrinë të dajë kufijt, edhe n’art, midis Arsyes e Intuicionit. Teorija e tij e intuicionit, aq pjellore për kërkimet e mapastajme, mbetë si farë e mbështjellun në lëvezhgën e Logjikës. Me idealizmin romantik (Fichte, Schelling) arti arrin kulmin e konsideracionit. Naltohet si mistikë, si fe. E , tue lanë mbas dore teprimet, fiton per herë të parë vetëdijen e vet të kjartë.
II
Ky ekskursion historik do të na ndihmojë t’afrohemi me shpirtë të përgatitun kah kuptimi i saktë i artit. E thomi që në fillim: jemi për nji kuptim i artit të bazuem thellësisht në vetëdijën morale, për nji art qi ka në vehte moralitetin si nënshtresë të doemosdoshme. Asht kot prandaj me e kërkue jashtë kët moralitet nder kushte praktike, nder prirje të veçanta extra-artistike. Kundrshtojmë katekorikisht çdo moral qi prirje të tilla ekonomike. T’a quejmë ma mirë ket lloj morali me emnin e tij të njimendët: moralizëm, rregullore, konvencionale, retorikë e vetëdijes. Asht kjo rrymë “moralizuese” qi ka pengue deri më sot përmbushjen e moralitetit të vertetë . Të gjitha gabimet e spekulimevet të maparshme rrjedhin nga se nuk arrinë të kuptohet ky absolutet i artit, kjo vlerë e tij e imponueme me mundimin e krijimit të vet, rrjedhin nga se kërkohen jashta fushës së tij kritere drejtuese në lindjen e veprimin e tij.

Arti asht kulturë e si i tillë rolin edukativ e ka me vehte. O ma mirë, e sjell pas, por nuk e paravendosë. Artisti kur krijon nuk mundet mos me pasë të nenkuptuem edukimin e vetvehtes .

E deri sa aj asht i penguem kundrejt vetvehtes, deri sa kërkon të bjeri nji identitet midis kërkesës së tij të mbrendshme e veprës qi do të krijojë, aj arrinë moralitetin e kulluet . I cili mandej përgjithsohet tue vleftë si nji funksion edukativ për të gjithë.

Qe pra si arrinë arti të bahet “njerëzuer”, nepërmjet vetëdijës së pastër vehtjake . Universiliteti nuk mundet mos me qenë i perfshimë n’individualitetin. E sa për dobinë qi bjen ma vonë arti, ajo hynë në njerëzim me të njajtën energji me të cilën imponohet çdo vepër tjetër morale. Asht nji dobi jo e lypun, jo e kushtetueme, por urgjente immediate, nji dobi qi vjen edhe pa u dishrue.

Në fund ndjenjat qo shoqnojnë lindjen e artit e të moralitetit janë po ato: dashuni në çdo fillim vepre, kënaqësi e pastër në dalje, dëshpërim i painterresë në mosdalje. Pasjoni vehtjak mungon fare. Pasioni qi asht zjarri i veprës asht nji pasion bujar, asht entuziasëm, asht liri e plotë e në të njajtën kohë kontroll i rrebtë.

Madje arti me moralitetin vllaznohen ma ngusht: moral asht çdo kriter qi shtyn lindjen e artit: dinjiteti, komprometimi tanësuer i vehtes. Estetike asht, n’anë të vet, ndjenja e permbushjes morale: gazmend, shpirt i lehtë i frymun qi don me perfshi mbarë botën.

Kriteret e njenit manifestim spiritual vlejnë anasjelltas për tjetrin: jemi t’autorizuem prandaj me i konsiderue artin e moralin si dy faqe të së njajtës monedhë. Ose ma drejtë, arti e morali janë e njajta pemë, rranjët e së cilës janë rranjët morale e gjethet e lulet janë shprehjet artistike.

E bukura e e mira puqen kështu te e verteta. Spirita asht nji e tanë. I njofim meritë të plotë idealizmit qi insiston mbi njisinë e pandashme të spiritës.

“Verus quatenus fit”. Por ky “fit”. Por ky “fit”, ky të bamun , nuk asht nji rasë e veçantë, presupozon krejt nji njohuni qi asht nji autonjohuni me u çfaqun; presupozon fjalën e arrijtun në pjekuni qi nuk mund të ndrydhet, qi vuen deri sa mos të shprehet. Ky të bamun nuk asht nji “factum”, jo nji vepër qi bahet nji herë e mandej vdes, tue humbun jetën e lëvizjes, por nji të bamun i parreshtun, i amshuem, nji lëvizje, nji veprimtari qi nuk mund të ndalohet. Në ket “fit” asht perligjja ma e kjarta e moralitetit, si ajo fuqi qi asht vetë jeta, qi asht shpirti i veprës, vlerë e sajë, tramvajimi i mbrendshëm qi mban në nji shqetsim të vijuem shpirtin e krijuesit e nuk e len me u shmangë prej drejtimit, ardhun prej thellësinavet qi nuk maten , prej nji nënvetëdijeje qi dalngadalë, ndersa vepra çfaqet, fiton kjartësi e spjegim. Asht ky frymëzimi, ajo energj e mbrendshme qi i jep shkas çdo vepre, e jo vetëm veprës artistike.

Spirita asht nji e tanë. E në se kët njisi e pranojmë objekt të filozofisë, tue nënkuptue qysh ma përpara se njisija asht njisi së shumtash e se universaliteti asht individualiteti i veçantë i çuem në nji potencë humaniteti, rrjedh këndej se arti asht pjesë tanësore e filozofisë e se nuk mund të shkoqet prej sajë pa çvlerësim. Me folë prandaj për nji art si nji subjektivitet absolut, qi nuk ka referim ke kjo njisi, me folë për nji art -tue përdorë nji shembull-artisti të ndrymun në kullën e tij të fildishtë, asht nji abstrakcion qi si çdo abstrakcion asht i njianshëm e arbitrar.

Arbitrariteti-kuptohet lehtazi-nuk mundet me marrë nji vlerë universale, nuk asht prandaj moral. E qe se si riprovohet çka thojshim ma sipër, se arti nuk mundet me u kufizue vetëm në njenën faqe të monedhës. Postulohet prej këndej zgjidhja e problemit qi asht themeluer në fushën estetike, e qi, mund të permblidhet në kët alternativë: art si jetë e plotë a por si nji pjesë e sajë.

III

Me e marrë artin si nji pjesë të jetës tanësore don me thanë me e veshtrue si nji okupacion të thjeshtë, si nji kohë të teprueme të lirshme nga andrrallat tjera të jetës ma së madhe, në të cilën të kërkohet nji farë dëfrimi. Njisoj si nji pushim mbas nji lodhjeje së maparshme. Nji humnerë vendoset atëhere mes jetës tanësore e jetës pjesore t’artit . Nuk ka nji urë e shkapërcimi asht nji “saltus”. Personaliteti i njeriut ndahet atëhere dyshë, humbet njisinë e tij e me kte humbet edhe dinjitetin. Aasht qyshk fillestar qi prodhimi serioz të ketë , në çfarëdo lame, nji integritet në nisje e në veprim. Nuk kemi fryt prej njerëzvet të pasigurtë, të perçamë andej e këndej nder veprimtari të ndryshme. Janë utopi të pa-krypë pohimet mbi mundësinë e kryemjes, në të njajtën kohë, të ma se nji detyre. Geniu në njimendësi nuk asht i tillë veçse me qyshk qi t’a perqendrojë spiritën e tij në nji kërkesë të caktueme në nji drejtim. Këtu nuk flasim për aftësi, për mjeshtri, ndër të cilat ka burimin “arti si zanatë”. Nji njeri mund të “specializohet” edhe në ma se nji zanatë. Por artisti nuk asht nji “jungleur” zanatesh. Zanati nuk ka nji jetë në vehte, asht mjet jo finalitet. Arti perkundrazi asht mision. Kush pengohet në jetën e artit asht i thirrun, asht i shtërnguem për me marrë at drejtim e asnji tjetër. Nuk mund t’i rrihet perballë nji shtërngesë të tillë të mbrendshme. Artisti e ndinë vehten të predestinuem e ky predestinim përligjet me ate qi po e quejmë “ankth të shprehjes”. Artisti lindë me vulë në ballë. E qe e skalitun detyra e tij. Gjithë jeta e tij ka me qenë nji mendim i parreshtun për me ia pershtatë veprën e vet përgjegjësisë qi mori e pranoi. Çdo veprimtari qi nuk bazohet mbi një nënshtresë psikologjike asht e caktueme me u bjerrun pa fryt. Drami i jetës sanë asht shpesh ky: me kërkue ate qi ndër ne asht ma e mira,me kuptue misionin tanë- të gjithë e kemi nga nji -e me i u kushtue krejt atij. Kjo don me thanë me njoftë vetvehten.

E vetvehten nuk mund t’a njohim po qe se fillojmë me vendosë vullnetisht humnera në rrojtjen tanë. Arti prandaj duhet marrë prej artistit si e vetmja jetë e njimendët, si jeta e tij e caktueme. Artisti i vertetë e jeton jetën vetëm nepër prizmin e artit, kandi nepër të cilin aj shikon asht vetëm aj i së bukurës.

E thame se si nji e bukur e tillë nuk mundet mos me qenë e vertetë. Artisti qi fillon me e aventurue pamjen e tij nepër udha tjera asht nji dilektant e puna e tij asht mundë i bjerrun.

Ambicja qi artisti i vetëdijshëm ka, nuk asht e shumllojshme: kufizohet vetëm te kërkimi i misterit të bukurisë. Asht nji ambicje morale jashta së cilës çdo ambicje tjetër bahet pasion vehtjak e prandaj e mjerë.

Për nji gja duhet të kemi kuptim të sigurtë: ka në rruzullimin nji ekonomi të pagabueshme qi i shenjon secilit nji detyrë të veçantë . Të gjithë projektojmë nga nji rreze; e të gjitha rrezet përmblidhen në nji zjarr qendrruer qi na ndriçon e na ngrohë të gjithë. I ndershem e i denjë asht aj, qi tue e pasë kuptue kët gja, i pershtatet me gëzim.

“Njerëzimi” i çdo spirtualiteti këtu e nxjerr kuptimin e vet; në punen e veçantë të bame me nji dëshirë universale, “sub specie aeternitatis”. Arti asht subjektiv por jo subjektiv abstrakt , asht projekcion i vetvehtes në gjithësi, asht anasjelltas përqendrimi i gjithësisë në vetvehte. Asht jeta e veçantë qi ka jehona e përgjithshme, asht zemra e artistit “ma e madhe se nji oqean” ku rrahin zemra të panumurta.

E zhduket kështu çdo kufi konvencional qi nuk asht prodhimi i nji vetëdije të kulluet. Zhduken klasifikimet abstrakte empirike të bazueme ndër kritete extra-artistikë.

Nuk ka ma art të këtij kombi a po të ksajë periudhe, çdo atribut asht atribut i vdekun.

Artisti kalon përmbi kronikë kohnash e ambjentash. Historiçiteti i artit asht thjesht spiritual e nuk përcaktohet veç se prej spiritës me atributet e tija të vetme.

Komunikacionet qi vendosen kështu midis artistit dhe profanit janë ideale shkapercejnë çdo pengim. Në se asht diçka në rruzullim qi ka pushtet të vllaznojë gjithë nejrëzit e për ma tepër njerëzit me rruzullimin, kjo nuk mund të jetë perveç se moraliteti i artit, njerzimi i tij.

E pra arti nuk mundet me hymë në veprën veç se si jetë e tanë, e nji hovi, e nji dëshire. Jeta jonë vjen e veshtrohet si nji qyshk për kërkimin e së vërtetës. Çdo luhatje asht nji hap mbrapa, asht nji akt mos-besimi. Arti ma së parit duhet t’i besojë vetvehtes. Aj asht nji mënyrë njohunije, asht nji shishe kuptimi të rruzullimit. E bukura hynë nder ne si nji ndiellje (sugjeriment), kapet si nji shise së vertete. Depërtojmë ndër thellësina të pazbulueme, ndër mistere që rilindin e krijojnë e krijojnë pamje qi janë revelacione. Jetë asht në nji lëvizje t’amshueme.

Edhe arti asht pra art lëvizjeje. Arti statik, i pazoti me ndiellë idena të reja, intuicione të frytshme, nuk asht art. Arti i vertetë nxitë gjithnji energjitë tona. Na shofim në te drita të reja, e krijojmë rishtaz, e jetojmë pa ja da. Si mund të spjegohen ndryshej mrekullitë e mbijetesës s’artit, të thomi, t’artit klasik?

E si mundemi ndryshej të guxojmë me kërkue nga e ardhshmja gjithnji fëtyrime të reja, kuptime qi sot ende nuk kemi ?Na kemi gjithmonë përpara nji mister qi na magjepsë e na tërhjekë kah horizonte të reja. E jeta e vertetë e artit në ket vështrim, asht nji jetë misteri, nji kërkim guximtar.

E çfarë jete tjetër mund të jetë pra kjo përveçse nji jetë e spiritës? Faktet deri sa kryhen janë të vdekuna e hyjnë në ngrimësinë e gjasë natyrore. Arti kundërshton natyrën. Transfiguron të qenunën, i jep shpirtë prap së ndodhunës, rikrijon jetën. Vetëm spirita ka zotësinë me krijue, ajo asht vetë nji të krijuem i vazhdueshëm. E në spiritën fuqinat qi mundem me krijue nuk mundem me qenë veçse fuqina intuitive, jo reflekse. Pra Art e Metafizikë.

Prekim këtu kulmin e dinjitetit t’Artit. Misteri, për të cilin flitshim ma nalt, asht ndjenja metafizike e Kohës, asht lajmi i amshimit nder ne. Jeta e artit asht ankth i së vertets si jeta e metafizikës, e problemat e artit janë gjithashtu problema të fundëm të rruzullimit.

IV
Tash duket kjartaz se çka donte me thanë art i ndamun prej jetës. Tue u kufizue tashti në sferën artistike për ne ma urgjenten, në letratyrë, kuptohetse si letratyra si profesion asht ji akt mos-besimi në dinjitetin e shkrimit. Gjendja e nji të tillë letratyre asht e nërdyshme: në njenën anë pretendon me e perfasue artin letrar, n’anë tjetër zmbrapet në nji gjendje “rezervimi”. Nuk ka guximin me hymë nder shtigje të parrahuna, i pëlqen me rrëmue të vjetrat e vdekuna e asht për rrjedhim, anmike e rrebtë e çdo hapi përparimtar. Vullneti i sajë asht vullnet fjalamanash, parimet e saja ndryshojnë simbas rasavet e janë thjesht konvencionale. Rregullohet nga shtytje pasioni, nga polemika private. E jeton për hirë të qëndrimit të sajë “dipomatik” qi vezhgon mos të bajë ndonji hap të gabuem.

Por letratyra , si e duem na, asht krejt e kunderta e ksajë.

Nuk ka rezerva, shprehet e tana, lakuriqe, e guxon me nji hov t’entuziasmit të sinqertë. I shpallë të mësheftat e shpirtit, nuk ruhet mbrapa paragjykimesh simbas nji maske. Divergjenca e siperme midis njeriut dhe artistit asht e shueme. Shkrimtari, për kët letratyrë, asht njeriu qi vështron faqen e bardhë si pasqyrën e vetëdijes së vet në nji ças dlirësije tanësore qi vështron faqen si të vetmin realitet ku essenca e tij njerëzore do të konkretizohet. Për këtë letratyrë, shkrimtari me pendë në dorë, qi kontrollohet para se të derdhi fjalët, asht njisoj si njeriu, qi para se të bajë nji vepër morale, matet gjatë e cakton me siguri. Njeriu-letrar i vertetë kompremetohet i tani në tekstin e vet, pengohet mbas fjalës së thanun, merr çdo përgjegjësi mbi vehte. Aj nuk ban legjendë mbi ndjenjat vehtjake. I flijon kto kur shef se janë të gabueshme. Por i mpron pa frigë kur i mbushet mendja se janë të drejta. Horizontet e tija, horizonte ideale. Shikon me dyshim çdo gja qi nuk asht e kjartë e çon zanin për padi. E kjartësia e tekstit të tij nuk asht kjartësija sipërfaqësore e zakonshme. Aj e din se ma lehtë njeriu mbytet në nji knetë të cektë se sa në nji oqean. Kjartësia e tij mundet me ngja e errët, por vetëm për shpirtën pertacë o të topitun qi nuk dojnë ose nuk dijnë me kuptue thellësinat,. Aj nuk e vorrosë fjalën në faqen, nuk ia ndrydhë zanin në mënyrë qi fjala të mos mundet mos me pasë jehona. Aj e din se kjo mënyrë asht ajo ma e afta e ma e lehta për me i hikë pergjegjsivet, tue e ba fjalën të pamundun me u diskutue. Perkundrazi e vendosë fjalën të gjallë zanore, e don ai ajo të vazhdojë me folë nder spiritat e atyne qi e lexojnë. E ban fjalën të lëvizshme, kërkimtare të palodhun të së vertetës. Mendimi i tij vazhdon gjithnji edhe mbasi të shkruhet, të zhvillohet në mendjen e tij e të të gjithëvet. E vështron fjalën nji herë të thanun jo si pronë të vet , por si pronë të mbarë njerëzisë. Nuk len rasë për ngatrresa e për keqkuptime.

Veç kjo letratyrë asht shprehja ma e plota e essencës njerëzore të shkrimtarit, sepse ky e shpenzon krejt personalitetin e vet në letratyrë. Qëllimet praktike qi munden me u futë ndër skutat e dëshirës së tij aj nuk i përfillë. I kushtohet krejt letratyrës e nji veprimtari e bame jashta ktij rrethi i duket si nji pjesë e vjedhun essencës së tij qi kërkon të shfrytëzohet ekonomikisht gjetiu.

Shkrimtari i këtillë mundohet me vendosë ate qi asht kanuni i dinjitetit të vet: identitetin mes tekstit e vetvehtes. Aj asht në nji tramvajim mendimi të përhershëm. Prandaj kërkon me i dhanë tekstit të vet nji jetë ma të gjanë se ajo e faqes, tue shkrue,-si thohet-edhe me mereqep të bardhë. Përbuzë çdo kriter sasuer. Thotë aq sa duhet e në se fjala asht e tepërme shprehet me heshtjen e vet.

Të gjithë artistat e mbëdhaj e kan arrijtë kët identitet me veprës së tyne e vetvehtes. Të mbëdhajt janë doemos harmonikë. Vetëm për mesatarët kemi nevojë të zbresim, për interpretin të veprës së tyne, nder veçori psikologjike qi mbesin jashta transformimit n’art. Këndej postulojmë-për kritikën:

se asht e mjaftueshme për me e vleftësue nji shkrimtar tue e studjue veprën e tij. Njohunija e vertetë e shkrimtarut bahet nën nji dritë ideale, sht njohuni e shprehjes. Personaliteti i shkrimtarit vlen për ate çka mundet me shprehë në tekstin e vet. E-të mos keqkuptohemi-shprehje quejtëm edhe shprehjen e pazashme. Janë iluzione besimet dër vertyte të mëshefta qi nk mundem me u shprehë. Çka nuk shprehet nuk qenson.

Kjo rrjedh nga se shprehja asht nji urgjencë e mbrendshme e nuk mund të shmanget. Fjala asht e shtërngueme të shprehet.

Prej këndej, dramatiçiteti i shpeshtë i shprehjes, vuejtja e shkrimtarit të kapërthyem nga ky pushtet i mbrendshëm ma i fortë. Subjektiviteti lirik këtu gjen përligje. Nuk asht se poeti don me këndue ndjenjat e vetvehtes, dojnë këto qi të këndohen prej poetit. Rrëfime të tmerrshme, bena tragjike, zbulohen shpesh kështu, kundra hirit të shkrimtarit. I cili pra nuk mund të gënjejë. E, edhe po të donte, na do t’a kuptojshim nga mungesa e harmonisë, nga thyemja e integritetit.

Na i besojmë vetëm ksajë letratyre. E i besojmë me nji hov spontan: na e dijmë se letratyra e naltë nuk mund të shkruhet veç se me vuejtje e travaje. Të gjithë të mbëdhajt e shikuen faqen e bardhë si mishnimin e shpirtit të tyne. E kur shkruejtën njimend, shkruejtën me gjakun e tyne. Edhe në gëzimin estetik ndihet rrahja e nji delli të përgjakun.

Kjo asht letratyra qi na kërkojmë. Vetëm kështu dinjiteti i shkrimtarit mundet e u vendosë, vetëm kështy fëtyra e tij mundet me vijue me nderë misionin qi i perket.


(Shkëputur nga libri Kritika -Esse 1940-1944 i autorit Arshi Pipa )

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

ARSHI PIPA, NJË NGA ZËRAT E RËNDËSISHËM TË LETRAVE SHQIPE

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, përkujtoi sot Arshi Pipën, poet, kritik, përkthyes, albanolog, filozof, të cilin e cilësoi si një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe.

“Plot 100 vjet më parë lindi Arshi Pipa, një nga zërat e rëndësishëm të letrave shqipe. Një rebel i lindur, poet, kritik, përkthyes, albanolog, filozof, një antikomunist, që e vuajti në lëkurë bindjen e tij të palëkundur, në qeli e kampe pune. Edhe gjatë viteve të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku shkëlqeu në lëmë të pedagogjisë, por dhe filozofisë, nuk reshti së punuari për Shqipërinë, për të treguar të vërtetën e një vendi të izoluar, një sagë të cilën e shkroi në letra cigaresh”, – shprehet Margariti.

Ndërsa Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shetit 1944-1991 teksa ka publikuar dosjen mbi Arshi Pipën thekson se “themelues i organit “Bota e re” të Lidhjes së Shkrimtarëve, Arshi Pipa me Mitrush Kuteli. Të dy jokomunistë, më pas u dënuan me burg dhe u rigjetën në punën e rëndë për tharjen e kënetës së Maliqit”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult