Kronika e errësirës dhe e dritës

rrezarta reka thaqi

Refleksion mbi librin “Kronikë në zemër (Këto ishin të 90-tat)”, të autores Rrezarta Reka Thaqi, Littera, Prishtinë, 2024

përkthimin vlora konushevci alternative war

Nga Vlora Konushevci

Në hyrje të romanit “Asgjë të re nga Fronti i Perëndimit”, shkrimtari Erich Maria Remarque thekson se ky libër nuk është as akuzë, as pohim, dhe aq më pak aventurë, pasi vdekja nuk është aventurë për ata që përballen me të. Në të njëjtën mënyrë, libri i autores Rrezarta Reka nuk është as akuzë, as pohim, e më së paku aventurë.

Kronikë në zemër është një përmbledhje prekëse rrëfimesh dhe kujtimesh që depërtojnë thellë në përvojat e autores si fëmijë dhe adoleshente para luftës në Kosovë. Ky libër dëshmon fuqinë e qëndrueshme të kujtesës dhe ndërlikimet e ndërthurjes së historisë personale me atë kolektive. Libri e kap esencën e një kohe të shënuar nga vuajtje të thella, qëndrueshmëria dhe shpirti i palëkundur njerëzor. Pavarësisht se ka elemente të autobiografisë, libri shkon përtej këtij zhanri, duke ofruar një strukturë rrëfimtare të rafinuar artistike.

Autorja krijon një rrjedhë narrative që e ngërthen lexuesin me elegancën dhe artin e saj të tregimit. Përmes stilistikës dhe gjuhës së pasur, ajo ndërton një univers letrar të gjallë dhe të thellë, ku çdo detaj dhe ndjesi është e ngjyrosur me sens estetik. Rrëfimet ndërtojnë një tablo reale të ngjarjeve që kanë karakterizuar periudhën e viteve ’90, të bazuara në reflektime personale, historike dhe emocionale, në një frymë realiste.

Këndvështrimi personal dhe parashtrimi subjektiv i ngjarjeve synojnë të tërheqin vëmendjen mbi ndikimin që këto ngjarje kanë pasur te njerëzit që jetuan në Kosovë gjatë luftës. Autorja, dëshmitare e mprehtë dhe vigjilente, ofron dëshmi të dorës së parë të jetës së saj rinore pa rrëshqitur në patetizëm. Filozofi izraelit Avishai Margalit thotë se artisti luan rol të rëndësishëm si dëshmitar moral dhe se vepra artistike kryen të njëjtin funksion, madje edhe pas ngjarjes, “fenomeni i post-dëshmitarit“, njësoj siç bën Rrezarta Reka me “Kronikë në zemër”.

Libri, jo vetëm që dokumenton dhe përjetëson përvojat individuale dhe kolektive, por gjithashtu luan rol kritik në edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut të gjerë. Duke njohur dhe kuptuar historitë e përbashkëta të vuajtjes dhe qëndresës, individët dhe komunitetet ndërtojnë një urë empatie dhe solidariteti. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e Kosovës, ku kujtesa e luftës dhe përpjekjeve për liri është ende e freskët dhe thellësisht e ndjerë.

Libra si “Kronikë në zemër” që përmbledhin kujtimet dhe historitë personale të një periudhe të vështirë dhe të rëndësishme historike, kanë vlerë të jashtëzakonshme. Ata ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive, kontribuojnë në kuptimin e identitetit dhe historisë, si dhe ofrojnë një mjet të fuqishëm për përballimin dhe përpunimin e traumës. Që në hyrje, autorja vendos tonin e një narrative që nderon kujtesën si bekim, por edhe si barrë. Pas 25 vitesh, ajo shpreh dëshirën që përvojat e saj dhe të popullit të mos përsëriten me shprehjen e bukur frazeologjike: “Mos na raftë me harru”.

Reflektimet e autores zbulojnë një lidhje të ngushtë me të kaluarën, ku kujtimet, pavarësisht dhimbjes së tyre të qenësishme, çmohen dhe ruhen si pjesë jetike e identitetit. “Ani që kujtimi përnjëmend dhemb. Por, çfarë do të ishim ne pa kujtimet?”, persiatë autorja. Rrëfimet janë të ndërthurura me momente introspektive, ku autorja reflekton mbi rëndësinë e kujtesës dhe rolin e saj në formësimin e kuptimit tonë për veten dhe botën tonë.

Një tregim ndërmjet dashurisë, luftës dhe paqes është kronika e një kohe të errët, është dedikim për lirinë si vlerë universale dhe kujtimet si triumf i përbotshëm.

Kësisoj, autorja përballë natyrën duale të kujtesës—fuqinë për të shëruar dhe kapacitetin të lënduar. Tregimet shpesh luhaten midis nostalgjisë dhe dhimbjes, duke krijuar një përjetim leximi dinamik dhe emocionalisht të pasur. Portretimi i një anëtari të familjes duke hekurosur këmishat, evokon ndjenjë ngrohtësie dhe dashurie, megjithëse nënvizon kalimin e pamëshirshëm të kohës dhe humbjen që sjell.

Teoritë e kujtesës kolektive të Maurice Halbwachs ofrojnë një perspektivë të dobishme për ta analizuar këtë libër. Ai argumenton se kujtesa individuale është gjithmonë e ndërtuar brenda konteksteve shoqërore. Kujtimet e autores, të rrëfyera në librin e saj, janë pjesë e historisë kolektive të shqiptarëve të Kosovës, duke gërshetuar historinë personale me atë të popullit të cilit i përket.

Autorja nuk i shmanget realiteteve të ashpra të jetës para dhe gjatë luftës. Tregimet e shpërnguljes, frika nga dëbimi dhe lufta për mbijetesë rrëfehen besnikërisht. Megjithatë, në mes të vuajtjeve, ekziston një rrjedhë qëndrueshmërie dhe shprese. Ligjërimi letrar dhe zëri potent janë të mbushura me forcë dhe urtësi që reflektojnë shpirtin e pathyeshëm të një populli që, pavarësisht gjasave, vazhdon të ecë përpara.

Me stilin e saj të ndjeshëm dhe introspektiv, autorja reflekton mbi përvojat e saj personale, duke i kthyer ato në një mozaik të gjallë të kujtimeve kolektive. Një shembull i kësaj ndjeshmërie është kur ajo shkruan: “Por janë po këto çarje që i hapin rrugën dritës, dhe po këto dhimbje që na bëjnë njerëzor, të gjallë…”. Ky përdorim poetik i gjuhës shpërfaqë shkathtësinë në kapjen e emocioneve komplekse dhe në artikulimin e tyre në mënyrë të kuptueshme.

Narrativa e autores është jolineare dhe shpesh shtegëton midis të kaluarës dhe të tashmes, duke pasqyruar natyrën fragmentare të kujtesës. Kjo qasje jolineare e bën rrëfimin më autentik dhe të besueshëm, pasi reflekton mënyrën se si kujtimet shpesh dalin në sipërfaqe—spontanisht dhe pa një rend të caktuar. Për shembull, përshkrimi i thjeshtë, por emocional i një Citroeni të vjetër, i cili rikthen kujtimet e fëmijërisë, ose një pjatë e veçantë nga e ëma, e cila evokon ndjenja ngrohtësie dhe nostalgjie, janë dëshmi e kësaj qasje narrative. Këto detaje, megjithëse duken të parëndësishme, janë të mbushura me rezonancë të thellë emocionale, duke treguar se si momentet e zakonshme bëhen të jashtëzakonshme nëpërmjet lentes së kujtesës.

Ndër rrëfimet më mbresëlënëse si në aspektin simbolik ashtu edhe historik është rrëfimi mbi fletoren e fëmijëve të familjes së komandantit Adem Jashari: “Fletorja ishte e fëmijëve të Jasharajve, përplot vizatime të ndryshme të njerëzve, objekteve, mjedisit ku ata jetonin”.

 Përshkrimi i vizatimeve të fëmijëve, që tani nuk janë më, krijon lidhje emocionale të fortë me lexuesin. Ky element humanizon ngjarjet tragjike dhe i bën ato më të prekshme. Vizionet fëmijërore dhe lumturia që shprehin vizatimet shërbejnë si kujtesë e pafajësisë dhe e jetës së ndërprerë brutalisht. “Ato vizatime shpërfaqnin gjithë fëmijërinë e pafajshme jetëshkurtër të këtyre fëmijëve, që kishin bërë historinë.”

Rrugëtimi i fletores nga Prekazi dhe rikthimi i saj në po këtë fshat, në duart e Besartës, të mbijetuarës së familjes Jashari, është premtimi i dhënë, është fjala e mbajtur, amaneti i përmbushur.

Ky akt tregon përkushtimin për të mos harruar kurrë sakrificat e bëra për liri dhe drejtësi. “Rrugëtimi që kishte bërë fletorja mbante rrëfimin e dramës shqiptare të Kosovës: të luftës, të strehës, të heroizmit dhe premtimit të mbajtur”, shprehet autorja.

Ndërmjet kujtimeve, autorja tregon se përkundër frikës dhe pasigurisë, edhe në kohë lufte, njerëzit jetronin dhe rezistonin. Protestat masive dhe shpërndarja e kasetave me këngën “Give Peace a Chance”, janë shembuj të solidaritetit dhe rezistencës që e karakterizonin popullin kosovar gjatë asaj periudhe. “Më 2 mars, kishim një protestë paqësore, ku më shumë se 300.000 njerëz shprehën dhimbjen dhe solidaritetin me popullsinë e Drenicës”, shkruan autorja, teksa rrëfen vetëm  një pjesë të historisë së trishtë të luftës.

Si një pjesëmarrëse direkte, autorja në një pjesë të rrëfimit flet për përpjekjet për ndërkombëtarizimin medial të krizës në Kosovë. Madje, ajo vetë kontribuon për të vërtetën e saj, të popullit dhe të Kosovës: “Më është botuar një shkrim në gazetën londineze ‘The Guardian’, dhe kam dhënë një intervistë për Radio Canada dhe VOA”.

Libri “Kronikë në zemër” është shembull i shkëlqyer i mënyrës se si letërsia mund të shërbejë si mjet për të kuptuar më mirë të kaluarën dhe për të reflektuar mbi të tashmen dhe të ardhmen. Rrëfimet e Rrezartës rezonojnë thellë me historinë dhe kujtesën tonë kolektive, ato e pasqyrojnë të kaluarën tonë të përbashkët, sa të dhimbshme, po aq edhe të lavdishme. Rrëfimet autentike dhe të pafiltruara, të rrëmbejnë fuqishëm dhe tmerrshëm. Imazhet e gjalla që ofron autorja zgjojnë edhe ndjesitë më të fjetura.

Kronika e viteve të 90-ta është një nostalgji për idilën e dashurisë, një betejë kundër harresës, një testament për kujtimet.

Njerëzit dhe kujtimet flasin, ndaj autorja rrëfen, kujtimet flasin dhe kujtimet mbijetojnë. Siç thotë edhe Elie Wiesel, i mbijetuar i holokaustit, shkrimtar dhe laureat i çmimit Nobel: “Pa kujtesë, nuk ka kulturë. Pa kujtesë, nuk do të kishte civilizim, shoqëri, apo të ardhme.”

ObserverKult

Lexo edhe:

“KRONIKË NË ZEMËR: KËTO ISHIN TË ’90-TAT” NGA RREZARTA REKA THAQI, SË SHPEJTI NË DUART E LEXUESVE