“Gjuha tjetër” nga Khalil Gibran
Tre ditë pas lindjes time, ndodhesha i shtrirë mbi djepin tim, mbuluar me mbështjellëse prej mëndafshi, duke kundruar gjithë habi botën e re që më rrethonte.
Nëna ime iu drejtua mëkueses time me fjalët:”Si është im bir sot?”
Ajo iu përgjigj:”Është shumë mirë zonjë. E kam ushqyer me gji tre herë dhe kurrë më parë nuk kam parë fëmijë më të nurshëm sesa djali jot.”
Sapo dëgjova këto fjalë, një valë zemërimi i papërmbajtshëm më kaploi dhe bërtita fort: ”Mos e beso, mos e beso o nënë! Shtrati ku flej është i ashpër, qumështi që më japin ka shije dhe aromë të keqe. S’di nëse ka mjerim më të thellë sesa kaq.”
Ime më as që e kuptoi çfarë i thashë në gjuhën time, po ashtu dhe mëkuesja nuk kuptoi gjë, sepse unë u kisha folur me gjuhën e botës nga kisha ardhur.
Ditën e njëzetë e një të lindjes time, ishte dhe dita kur u pagëzova. Gjatë procedurës, prifti iu drejtua nënës dhe i tha:”Të përgëzoj zonjë sepse djali juaj ka lindur i krishter.”
I habitur nga çfarë dëgjova i thashë priftit:”Nëse është siç thua, jot ëmë në qiell duhet të jetë e pakënaqur sepse ti s’ke lindur i krishter.”
Por as prifti s’arriti t’a kuptojë dot gjuhën time.
Pas shtatë hënash, na erdhi një fallxhor, i cili duke më kundruar me kujdes i tha nënës:”Yt bir do të bëhet një udhëheqës mendjemprehtë dhe njerëzit do ta ndjekin të bindur.”
Me sa fuqi kisha bërtita:”Ky është një parashikim i rremë. Se ç’do të bëhem e di vetë. Unë do të studio për muzikë, prandaj nuk do të bëhem asgjë tjetër veç muzikant.”
U habita shumë që askush nuk e kuptonte gjuhën time, edhe pse kisha kohë që kisha lindur.
Kaluan tridhjetë e tre vite, vdiq ime më, mëkuesja dhe prifti, Zoti i mëshiroftë të gjithë. Kurse fallxhori është akoma gjallë. Një ditë më parë e pashë para tempullit, i fola dhe ma ktheu, i tregova edhe për angazhimin tim me muzikën. Ai më tha:”Gjithmonë kam besuar se do të bëhesh muzikant i madh. Që kur ke qenë fëmijë i pata treguar nënës tënde për të ardhmen tënde.”
Unë e besova gjithçka që më tha, sepse tashmë e kisha harruar dhe unë gjuhën e botës nga ku kisha ardhur.
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe:
REXHEP QOSJA: MË NË FUND NË KOSOVËN E ÇLIRUAR
KHALIL GIBRAN: VETËM NJERËZIT E E VEGJËL PËRPIQEN TË POSHTËROJNË TË TJERËT!