Monodrama si moment i reflektimit për vetminë

Përkitazi me festivalin MonoAkt i cili u mbajt këto ditë në Teatrin “Dodona” të Prishtinës

Nga: Agron Gërguri

Festivali Ndërkombëtar i Monodramës u mbyll me shfaqjen ” Zotëri Ibrahimi dhe Lulet e Kuranit” e Marius Donkin (Bullgari), e cila nga juria e festivalit, Nina Mazur (Ukrainë/Gjermani), Tatiana Czepurnyi (Gjermani), Svetlana Ivanova (Ukrainë/Qipro) u vlerësua shfaqja më e mirë e festivalit.
Duke qenë se monodrama kishte për temë njeriun midis jetes dhe vdekjes me intertematizim të religjionit m’u duk e qëlluar gjetja që në prapavijë të veprimeve kryesisht treguese të personazhit të futej si ilustrim “fryma” e Becketit që njihet si drama më e shkurtër në letërsinë dramatike.

Dilema që shqyrohet tek monodrama përfshirë edhe  “Z. Ibrahim dhe Lulet e Kuranit” fituese e Monoakt 2024 është mungesa e veprimeve dhe ngjarjes në kohën aktive derisa autorët kryesisht lëshohen në rrëfim i cili sado dramatik dhe interesant mbetet kohë e kaluar derisa e tashmja, e drejtpërdrejta, siç e do teatri nuk i ndodhë personazhit në momentet kur tregohet rrëfim pra nuk ndodh procesi i krijimit të rrëfimit… Mirëpo autori i kësaj monodrame për t’i “ikur” këtij kurthi krijon një raport dramatik të personazhit dhe tregimit që ai rrëfen.

Shfaqja  “Z. Ibrahimi dhe Lulet e Kuranit” flet për një djalë hebre i cili quhet Moisi por e thërrasin Momo,  ai miqësohet me një dyqanxhi me emrin Ibrahim i cili bëhet mësues i tij dhe pasi që Momos i vdes babai, Ibrahimi e birëson atë. Esenca e marrëdhënies dhe raportit të tyre nxjerr mesazhin thelbësor të shfaqjes si kuptime të jetës dhe vdekjes që ndodhin edhe kur nuk i presim.

Me veprimet tash e këtu regjisori arrin ta emancipoj rrëfimin skenik në nivel të idiomave teatrore të cilat i ndërton me rekuizita, kostume dhe dritë-hije e arritur përmes ndriçimit të dizajnuar mirë. Aktori ndërkaq gjatë veprimeve me të cilat e zbërthen tregimin manipulon kreativisht me mimikë, shikim, qeshje- nënqeshje – vaj, djegie të cigares…

Gjithsesi një nga shenjat treguese të temës për jetëshkurtësinë ishte “Fryma” e Becketit e cila të dërgonte në “kuptimet e pakuptimta” që brenda rrëfimit thuheshin apo kërkoheshin edhe tek mësimet fetare apo aludoshin tek ai fakt iracional i të vërtetës të cilën e gjen Tolstoi tek “Rrëfimi” në kërkim të kuptimit të jetës.

Gjithsesi Festivali MonAkt është një mundësi e mirë për të shqyrtuar momentet e vetmisë si gjendje sa psikologjike po aq sociale të njeriut në betejë me jetën por edhe të monodramës si zhanër i vështirë teatror pikërisht për faktin se një njeri (aktor) i vetëm në skenë e ka vështirë të prodhoj një ngjarje para syve të spektatorëve në kohën kur ata janë të mbërthyer me fatin e personazhit.

Kjo sfidë e bënë monodramën njëfarë mbretëreshe të Teatrit në përpjekjen konsitente për ta gjetur njeriun e shpëtuar njerëzoren në betejë me teknologjinë e pa gjak.

Festivali MonoAkt duke sjell shfaqje nga skena botërore i kontribuoon zhvillimit të monodramës dhe Teatrit. Duke dhënë edhe një mundësi krahasuese dhe  pikëtakim me nivelet e realizimeve ndër ne. Sidomos në nivel të aktrimit. Këtë e dëshmon aktori Ismet Azemi i cili në një konkurencë ndërkombëtare u vlerësua aktori më i mirë i festivalit. Në këtë manifestim aktorja më e mirë e Festivalit u shpall Dungaamaa Chimedtseye, Mongoli, e cila u paraqit në shfaqjen “E dashura ime. Ky është vetëm fillimi”, ndërsa Çmimi Special (për tekstin më të mirë të shfaqjes) shkoi për Heather Massie, për shfaqjen “HEDY! Jeta dhe shpikjet e Hedy Lamarr” nga SHBA.

Vlen të përmenden edhe dy momente emocionale të cilat organizatori i kishte ideuar me respekt. Çmimi i karrierës për Safete Rugoven dhe sidomos çmimi posmortum për artistin Haqif Mulliqi- profesor, dramaturg dhe studiues i cili vitin e kaluar iku në përjetësi.

Fundja shfaqja “Artisti në tavan” ishte përkushtim për këtë personalitet që ka lënë trashëgimi vlerore në fushën e artit dramatik.

ObserverKult

———————

Lexo edhe:

AGRON GËRGURI: “E GJITHKOHSHMJA ANDËRR”, LIBËR QË DUHET DRAMATIZUAR PËR T’I DHËNË VULË KUJTESËS!