Sot ka vdekur albanologu Mehmet Rukiqi, i cili ishte edhe doktor i letërsisë popullore, veteran i arsimit, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik dhe pjesëmarrës aktiv i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve.
Mehmet Rukiqi u lind në Verboc të Drenicës, ndërsa shkollën fillore e kreu në Tërstenik, gjimnazin në Drenas, Shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik në Prishtinë.
Rreth 20 vjet punoi në arsim. Ishte mësues dhe mësimdhënës në disa shkolla në Drenicë, kurse nga viti shkollor 1972/73 u punësua në shkollën teknike “19 Nëntori” në Prishtinë, por u përjashtua nga puna për arsye politike.
Ndërsa, në vitin 1984, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe mbrojti tezën e magjistraturës me titull “Anekdota gojore shqiptare”, kurse në vitin 1994 mbrojti tezën e doktoratës me titull “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”.
Në folkloristikën kombëtare konsiderohet si njëri ndër nxënësit, studentët më të zellshëm të profesorit Anton Çetta.
Me profesorin Anton Çetta, bashkëveproj ngushtë në njërën ndër lëvizjet me të rëndësishme në historinë e vendit tonë, Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve.
Nga folklori i mbledhur në Drenicë dhe në vendet tjera në Kosovë, ka botuar tetë vëllime me anekdota: “Anekdota popullore” dhe dy vëllime me “Këngë dasme”.
Po ashtu, ka botuar edhe veprat studimore “Krijues dhe bartës të tregimeve popullore në Drenicë”, si dhe monografitë, “Tahir Berisha” (2008), “Azem Galica” (2013) dhe Ramadan Shabani (2021).
Ceremonia e varrimit, të të ndjerit, mbahet në varrezat e fshatit Verboc (Komuna e Drenasit), nesër me datë 25 qershor 2024 (e martë)./zeri
ObserverKult
Lexo edhe: