Hajriz Sejdiu: Kohën mate me zemër

hajriz sejdiu

Poezi nga Hajriz Sejdiu

Ne jemi ata që e presim
ringjalljen si n’balada
në kopshtin tokësor
gjithë dyshim për agun
e dritën e hershme
dhe në mjegullën që nuk davaritet
e na e humb besimin në shikim
derisa pak para ndarjes
na hapen dyert e përtejme
e ai vrapim ikanak
përtyp dilemën tronditëse
për amshim apo rilindje
zhgënjyer n’huti
sepse nëntë herë do të ringjallemi
si shpirtëra të papërlyer
e herë si lebrozë
dhe nuk do të na i lënë bashkë
shpirt e trup as ato ditë
prandaj e dashur
ti zgjedh se kur do të dalim si fije bari
në kohën e parë
për këndim në qiell
apo në gjykimin e dytë
për vajtim në tokë
deri atëherë
kohën mos e mat me orë
nëse dëshiron ta zotërosh
të tërën për ne
mate me zemër
si trokitje të përhershme
deri në rizgjim
O për atë dashuri
edhe pas asaj
koha është si rrahje varri
thirrje për kthim
gjamë e madhe e mëkatit
një idhnake inatçore
që na i rrëmben të gjitha ngjarjet
e na i zë të gjitha pritat
mos me u rikthy
shtigjeve tona të vjetra e të pastra
sa çel e mshel sytë
atëherë kur duam ne.
Më beso e dashur.

ObserverKult


Lexo edhe:

HAJRIZ SEJDIU: MË PRIT