Poezi nga Eva Tafa
I ke ndezur të gjithë qirinjtë
Për të ndriçuar bregun dhe gjurmët mbi rërë
Atë muaj ishte edhe festa e Shën Antonit
Kur u lidhën nyje e gërshërë u bënë dy trupat tanë
Në ditëlindjen tënde ka ndodhur
Edhe ti e di, ka shumë kohë,
A ta them sa…
Apo bëhesh prush e turpërohesh
Ka që vjet që nuk kemi bërë dashuri
Apo kemi bërë edhe në ditëlindjen time
Tek ai lumi anës rrugës për në shtëpinë tënde
Mendoj e ke harruar përqafimin dhe ofshamën time
Është e drejtë apo e gabim, ti e di
Edhe mua nuk më kujtohen puthjet e tua
I kam zhdukur se ishin tmerrsisht të vërteta
Ikjet tona nuk janë shpëtim
Unë ulërij si ujkonjë
E ti matanë si dem i verbër
Ka që vjet, më duket si parvjet, sa shumë
Ti pa buzën time
Unë pa ty
Lus, mos të marr gjithkund me vete
Të humbas pa bërë zhurmë shpirti
Të hedh padashje si një letër e zhubrosur
Të harroj prej kohës sime
Atë shikimin e shkujdesur
Atë urtësinë si Buda
Atë kujdesin si perla
Për dreq ty më shpesh të kujtoj
Ti lakohesh si zambak i bardhë
Unë bëhem avull dashurie.
E kam ditur se je drama ime
Thërmohesh në peshoren e dashurisë
Si një plagë lupusi
Dhe dhimbjen e kafshon me dhëmbë
E ke ditur që jam tragjedia jote
Ndizem si llavë vullkani e të kthehem në ortek
Mbase për pak do të ishte edhe dashuri
Ose një portret i djegur shkrumb e hi!
ObserverKult
Lexo edhe: