Cikël poezish nga Gabriela Mujaj: Të kam pru nji lule, Martin…

gabriela mujaj

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish të poetes Gabriela Mujaj:

SHELGU

E kujtoj si sot shelgun e qullun
Në oborrin e shtëpisë sonë.

Ai m’përgiante me nji burrë
Thellësisht të trishtuem.

Asokohe nuk fjeta gjithë natën
Se mendoja shelgun e lamun n’lot.

Mandej, ’em At’ e preu
me gjithë të kjajtunen teme
ngashnjyese
Dhe protestën me çirrje dej n’qiell,
E në vendin e tij mbolli plot
Pesë shega të buta.

Nuk i fola plot tri javë dit’,
Derisa më bleu nji kukull në Shkodër.

Kur u poqën shegat në vjeshtë
Shkova te shpia jonë në Malësi
dhe i hangra ulun në oborr,
Tue kujtue shelgun plak që s’ish’ ma.

Aj e la në mue shpirtin e tij të trishtimit,
E kur bjen shi,
Më bahet se shoh shelqe të trishta
të bamuna qull
Dhe burra të trishtuem për dekje.

Pesë shegat janë ala ktu…
Dhe më bahet sikur m’thojnë,
Se në kët’ jetë,
gjithshka e paska nji zavëndsim.

SHERMASHEKËT

Asht nji vrag’
Varun në lëkurën
E kohës,
Brenda të cilës
Rrin e kuqja e dashnisë sonë.

Mbas do vjet’ve,
u riktheva në qytetin e
biçikletave.

Në rinjalljen e kujtimeve të mia
Studentore,
Shermashekët që më prekën
supet,
Të prun’ në kujtesën teme.

Ku je?

– Ktheva kryet, e dveta
avullinë e nji porte të madhe
shkodrane.

M’u gjegjen vetëm karajfilat,
Ata që ti, tue u përviedh mbi mur,
I pate k’put me m’i dhurue atë zheg.

…asht nji vragë pra,
E vizatueme në lëkurën e kohës,
E cilla vazhdimisht
çel luleboren e qytetit tonë.

RIGA

Po rigon ky shi,
Shpirt,
Po rigon.

Gjithshka n’dynja mbaroi,
Gjithshka në kët’ dynja.

U ban’ rrugët baltë,
Balta i mbuloi rrug’t.
S’kam hall që kam mbet’ mrenda,
Që kam mbet mrend’ s’kam hall.

Por tutem mos po don me ardh’
Me m’pa,
E rrugt janë nxan’
Jan nxan’ rrugët e s’ke ka vjen…

Mos pushoftë ky shi,
Kjo baltë mos u thaftë,
Që un me mendue gjithnji
Se ti nuk ke ka’j bjen,
Ka i bjen nuk ke me ardh’.

…Se shpresa shpirtin rrnon
Se feja mendjen ndrit
Se dashnia zemrën pshton.

Po rigon ky shi,
Shpirt,
Fort po rigon.
Oj, Trini,
Oj Dashuni!

TË KAM PRU NJI LULE

Të kam pru nji lule, Martin,
Pështjellë në kmishë të shtatit.
Po e mbielli te guri jot i vorrit.

Kur ajo të çelet,
Ka me qesh me ty.

Kur ajo të mbledhet,
Ka me kja me ty.

GRUEJA E BAJRAKTARIT

(NORJA)

Mbasdite fryni er’ e trazueme!

Ajo u çue prej gjumit zhegut
Dhe veshi nji haver bojgjaku.

Mali i zymtë përballë,
ja shtoi ma shumë vetminë,
Tue lexue lajmin e shtypun
Në nji copë gazetë
Për pushkatimin e Bajraktarit
Të Kastratit.

I lau teshat e tij me uj’ pusit
E mandej i qiti n’tel.

Kurrkush s’muj me ja thye asaj
at’ heshtje.
Tash rr’non ajo dhe vetmia e saj,
Te shtëpia prej drunit në Gradec.

Në darkë, kandilat e shpive
të fshatit aty afër,
Dukeshin si yjza toket.
Ajo i hoqi teshat e saj dhe,
Me k’mishën e tij të thame
Mbuloi parzmin e saj të bardhë,
Tue mendue njat kohë të shkueme
Qi kurr’ s’kish shkue…

Norja kjo,
Grueja qi mbet’ pa burrë,
Pa Gjokën!

INSTRUMENTALE

Atëbot’ kur u njoftme bashkë,
Ti mësojshe për mue
E unë lypsha me dit për ty
me etje e ûj’ shpirti,
E kët’ vet’ e quejta solfezh.

Kur u ndamë
Zemra jeme u ba violine,
Çdo çast ndëgjohej vaji i thektë.

Mbas do kohësh
Vaji erth’ e u paque disi.
U ba violë,
Disi ma e ftoftë.

Nji ditë e gjeta zemrën teme
Të bamun violinçel.
Pra, mësova me përqafue vetin
pajtueshëm.

Kur erth’ pranvera më gjeti në piano,
Teksa ti më përfytyroheshe mbas
Dritores si vegim i kohnave të vjetra.

Kur të vijnë vera,
Mendoj me shkue ndër male t’mija
Me i ra fyellit simbas notave
Të mallit tem.

ObserverKult

Lexo edhe:

GABRIELA MUJAJ: LAJMËROJ SE KA DEKË NJI DASHUNI…
GABRIELA MUJAJ: LETËR MIKUT: UNË TA DUE AQ FORT SHPIRTIN!
GABRIELA MUJAJ: MA DON ZEMNA SHPIRTIN TAND!