Tetë apo nëntë vite më parë, kur vajza ime filloi të shihte botën nga dritarja e një ekrani televizori (që në Itali e quajtën “një dritare e hapur në një botë mbyllur”), një herë e pashë tek ndiqte më shumë vëmendje një reklamë, e cila nëse nuk gabohem, thoshte se një produkt i caktuar ishte më i miri në botë, i aftë për të plotësuar çdo kënaqësi.
Nga Umberto Eco
I alarmuar nga pikëpamja edukative, kërkova t’i shpjegoj se nuk ishte e vërtetë dhe për të thjeshtuar argumentet e mia, e informova se publiciteti zakonisht gënjen. Ajo kuptoi se nuk duhej t’i zinte besë televizionit. Dy ditë më vonë po shihte lajmet, që paralajmëronin se nuk do të ishte një ide e mirë udhëtimi drejt veriut për shkak të dëborës (një informacion që kënaqi dëshirat e mia më intime, duke qenë se doja aq shumë të qëndroja në shtëpi gjatë fundjavës.) Ajo m’i hodhi sytë si shigjeta, duke më pyetur se si vallë i besova televizionit në një kohë që dy ditë më parë i thashë se aty zakonisht tregohen gënjeshtra.
U gjenda i detyruar të nis një dizertacion shumë kompleks të logjikës së zgjeruar, pragmatik dhe të teorisë së llojeve me qëllimin për ta bindur se ndonjëherë televizioni gënjen e ndonjëherë thotë të vërtetën. Për shembull, një libër që fillon me “Ishte një herë një vajzë e quajtur Kësulkuqe…” nuk thotë të vërtetën kur në faqen e parë ia atribuon historinë e vajzës një zotërie të quajtur Perrault. Vetëm psikologia, së cilës me shumë mundësi vajza ime do t’i drejtohet kur të jetë në moshë madhore, do të mund t’ia shpjegojë dëmet që ndërhyrja ime pedagogjike shkaktoi në mendjen dhe në nënvetëdijen e saj. Por kjo është tjetër histori.
Fakti që zbulova atë ditë është se nëse televizioni përdoret për t’i mësuar ndonjë gjë dikujt, më parë duhet mësuar se si të përdorim televizionin. Në këtë kuptim, televizioni nuk është shumë i ndryshëm nga një libër. Librat mund të përdoren për të mësuar gjëra të reja, por më parë duhet shpjeguar se si funksionojnë, të paktën alfabeti dhe fjalët, më pas niveli i besueshmërisë, ndërprerja e mosbesimit, ndryshimi mes një romani dhe një libri historie e kështu me radhë.
Mendoj se problemet e lidhura me përdorimin edukativ të televizionit janë të njëjta me ato që lidhen me efektet e supozuara perverse. Mund të ndodhë që televizioni, ashtu si çdo media tjetër, të korruptojë të pafajshmit, por e bën në një mënyrë që nuk parashikohet nga shumica e edukatorëve (apo korruptuesve). Supozojmë se një marsian kërkon të kuptojë impaktin e televizionit në gjeneratën e parë që është rritur nën influencën e tij, pra njerëz që kanë nisur të shohin në moshën 3-vjeçare, në fillim të viteve ’50. Kështu pra marsiani ynë do të nisë të analizojë përmbajtjen e programeve televizive të viteve 1950.
“Testet e para pas ardhjes së televizionit në zonat suburbane të Italisë treguan se shumë njerëz i shihnin programet televizive si një vazhdimësi, pa asnjë dallim mes spektaklit, lajmeve apo dramave. Gjithçka merrej si e mirëqenë me të njëjtin nivel besueshmërie.”
Lojëra si programi “The $64,000 Question”, soap opera, drama të stilit Mary Walcott, publicitet të Coca-Colas dhe filma me John Wayne mbi Luftën e Dytë Botërore. Me shumë mundësi kjo gjeneratë arriti në vitin 1968 me një vend të mirë pune në bankë, karriera ushtarake apo jaka të bardha. Por, nëse nuk e kujtoj gabim, në vitin 1968 ndodhi që kjo “gjeneratë televizioni” nuk kërkoi të vriste japonezët, por profesorët e universiteteve, tymoste hashash dhe jo Marlboro, bënte joga, praktikonte meditimin trashendental, ushqehej në mënyrë makrobiotike e kështu me radhë.
Sociologët që studiuan mass mediat e vieve ’40-’50 njihnin shumë mirë fenomenet si efekti boomerang, influencën e “opinion leader” dhe nevojën për të përforcuar mesazhin derë më derë. E dinin se nga pika e nisjes në atë të mbërritjes, ekzistonin shumë filtra psikologjikë, social apo kulturorë.
Testet e para pas ardhjes së televizionit në zonat suburbane të Italisë treguan se shumë njerëz i shihnin programet televizive si një vazhdimësi, pa asnjë dallim mes spektaklit, lajmeve apo dramave. Gjithçka merrej si e mirëqenë me të njëjtin nivel besueshmërie. Për vite të tëra me radhë, kompanitë televizive kanë bërë sondazhet dhe janë gëzuar kur kanë marrë vesh se sa njerëz vlerësonin programet e tyre (një informacion shumë i rëndësishëm nga pikëpamja tregtare), duke injoruar të dhënat nëse publiku vërtetë e kishte kuptuar programin apo mesazhet që ai përçonte. Thënë kjo, boshllëku komunikativ është më kompleks.
Duhet të marrim parasysh jo vetëm diferencat mes kodeve të komunikimit mes dhënësit dhe marrësit, por edhe varietetin e kodeve që dallojnë disa grupe nga disa të tjerë, në bazë të statusit të tyre social dhe pikëpamjeve ideologjike. Duhet të konsiderojmë se nga një pikëpamje kaq fleksibël, kuadri mbetet i paplotësuar duke qenë se duhet të kemi parasysh edhe faktin se një subjekt i caktuar u përket grupeve të ndryshme në bazë të programit dhe orarit. Ajo që dua të them është se personi X, një njeri që i përket klasës punëtore, mund të shohë edicionin e lajmeve dhe të jetë i përgatitur nga pikëpamja e kompetencave ekonomike dhe politike. Por i njëjti person X mund të jetë i ftohtë ndaj një filmi që trajton rolet seksuale, lirinë femërore apo luftën e klasave, edhe pse zgjohet sërish kur në televizion flitet për rroga, greva dhe të drejtat e njeriut.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se e njëjta gjë i ndodh edhe fëmijëve. Fëmijët mund të jenë shumë të ndjeshëm ndaj vlerave ekologjike kur televizioni gërric kompetencat e tyre duke folur për respektin ndaj kafshëve gjatë një transmetimi për faunën e egër. Por i njëjti fëmijë, përballë një filmi western, do të entuziazmohet nga cowboy që duke shaluar kalin vihet në ndjekje të hajdutit, dhe ky fëmijë as do të jetë i vëmendshëm ndaj vuajtjeve të kafshës, e shfrytëzuar pa mëshirë. A mund të themi se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me ndryshime mes kodeve? Varet nga kuptimi që i japim nocionit kod kulturor.
Por çfarë i ndodh fëmijës që sheh një film western dhe që një herë të pranuara, rregullat nuk aktivizojnë më ndjeshmëritë e tij mbi shfrytëzimin e kafshëve? Nuk arrij të imagjonoj dot ndërprerjen e filmit me një prezantues që shfaqet papritur duke thënë “Kini kujdes sjelljen jo etike të heroit”.
“Edukimi duhet të orientohet drejt njohjes së faktit se televizoni ekziston dhe se është burimi kryesor informativ për të rriturit dhe fëmijët.”
Televizioni edukativ ka pasur shumë merita. Një program si “Sesame Street” i ka mësuar miliona të rinjve amerikanë që anglishtja e komunitetit të njerëzve me ngjyrë ishte një gjuhë e aftë për të shprehur gëzim, zgjuarsi, mëshirë dhe koncepte. Do të më pëlqentë të shihja një program që u shpjegon mësuesve se si ta përdorin, për shembull, Johnny Carson Show për të parashikuar se çfarë i duhet thënë një të riu portorikan, një të riu me ngjyrë, një të riu të bardhë protestant. Ndoshta gjithkush prej tyre sheh diçka të ndryshme në atë program. Asnjë nga këto interpretime nuk është në vetvete “i gabuar”. Gabimi i vërtetë është se të gjithë këta djem nuk e kuptojnë se programi është i njëjti, por interpretimet janë të ndryshme. Çdo interpretim pasqyron një botë të ndryshme kulturore me kode të ndryshme.
Edukimi duhet të orientohet drejt njohjes së faktit se televizoni ekziston dhe se është burimi kryesor informativ për të rriturit dhe fëmijët.
Propozimi im për një televizion edukativ përfshin jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit. Dy ditë më parë kryeministri gjerman Schmidt ka shkruar një artikull të gjatë në “Zeit” ku shprehte shqetësimin rreth televizionit, i cili u rrëmben pjesën më të madhe të kohës së lirë bashkëkombësve të tij duke bllokuar çdo komunikim të mundshëm ballë për ballë, mbi të gjitha brenda familjeve. Kështu që Schmidt propozoi që secila familje të caktojë një ditë kur duhet ta mbajë televizorin mbyllur. Një ditë në javë pa televizion. Ndoshta gjermanët do të jenë kaq të bindur sa ta pranojnë propozimin. Vetëm shpresoj që mos ta bëjnë kur qeveria të jetë duke miratuar një ligj të ri! Gjithsesi, nëse do të isha në vendin e Schmidt, propozimi im do të ishte tjetër.
Do të thoja kështu: miq, bashkëkombas gjermanë (por propozimi vlen edhe për anglezët), një ditë në javë le të takohemi me njerëz të tjerë dhe të shohim televizor në mënyrë kritike, të gjithë bashkë, duke përballur reagimet tona e duke folur ballë për ballë për atë që na ka mësuar, apo që ka bërë gjasme sikur na ka mësuar. Mos e fikni televizorin, hapni lirinë tuaj kritike.
Shqipëruar nga Erjon Uka
ObserverKult
———————
Lexo edhe:
UMBERTO ECO: LIBRAT RESPEKTOHEN DUKE I PËRDORUR, JO DUKE I LËNË MËNJANË…