Miguel Hernández: Mbas dashnisë

Nuk mujtëm me qenë. Toka
nuk mujti aq shumë. Nuk jemi
aq sa dielli synoi
në nji engjëll të lëvizshëm.
Nji kambë i afrohet së kthjelltës.
Në të errtën kambëngul tjetra.

Sepse dashnia nuk asht e përjetshme
te askush, as në mue gjithashtu.
Urrejtja e ruen çastin e saj
brenda karbonit ma të thellë.
E kuqe asht urrejtja dhe e shëndetshme

Dashnia, e zbehtë dhe e vetmueme.

I lodhun së urryemi, të due.
I lodhun së dashtuni, të urrej.

Rigon kohë, rigon kohë.
Dhe nji ditë e trishtë mes të gjithëve,
e trishtë nëpër të gjithë tokën,
e trishtë sa që nga unë e deri te ujku,
flejmë e zgjohemi
me nji tigër ndër sy.

Gurë, njerëz si gurë,
të fortë e të mbushun me mllef
kërcasin në ajër, aty ku papritun përplasen gurët

Vetmi që sot refuzojnë
e që dje bashkonin ftyrat e tyne.
Vetmi që në puthje
fshehin zhurmën e shurdhët.
Vetmi të përgjithmonëshme.
Vetmi pa krahë ku me u mbështetë.

Trupa si nji lumë i pangopshëm
të kapërthyem, të furishëm.

Vetmueshëm të ngjitun
prej dashnisë, prej urrejtjes.
Prej venave burojnë njerëz,
përshkojnë qytetet, të egër.

Në zemër qëndron
vetmueshëm gjithçka.
Shenjat mbeten pa shoqni
si në ujë, në thellësi.

Vetëm nji za, prej larg,
gjithnji prej larg e dëgjoj,
më shoqënon e ban me ikë,
njisoj si qafa mes supeve

Vetëm nji za ma rrëmben
kjo armaturë gjëmbaçe
e vellos së rikthyer
e ferrueme që e vendosi

Ernat e thata nuk munden
me tha lumenjtë e langshëm
E zemra mbetet
e freskët në burgun e saj prej gushti
sepse ai za asht arma
ma e butë e guximtarëve:

“Migel: më kujtohesh pas diellit e pluhnit,
edhe para vet hanës,
vorr i nji andrre dashunore”

Dashni: largoje qenien time
prej rrangallave të para
e tue më ndryshue, dikto
nji të vërtetë, si nji frymë.

Mbas dashnisë, toka
Mbas tokës, gjithçka.

Përktheu në shqip: Manjola Brahaj

ObserverKult