Një shkollë në Itali detyrohet t’i paguajë dëmshpërblim 60 mijë euro nxënëses që u bullizua nga shoku i klasës

shkollë

“Kam kaluar vite duke u frikësuar, duke u fshehur. Tani me vendimin që dënon shkollën që lejoi të bullizohesha, unë kam rilindur. Jam gati të them: Mos kini frikë. Raportoni bullizmin”.

Anna është 20 vjeç dhe më në fund po buzëqesh. Ajo luftoi fillimisht me bullizmin, pastaj me pasojat e tij dhe mori ndihmë psikologjike. Tani vendimi i Gjykatës së Apelit të L’Aquila dënon ish-shkollën e saj, duke e konsideruar “fajtore” se nuk e ka monitoruar dhe e ka lejuar të keqtrajtohet. Tashmë shkolla i detyrohet Anna-s një dëmshpërblim prej 60 mijë eurosh.

Prej vitesh, që nga viti 2015, iu desh të duronte fyerjet dhe ngacmimet nga një prej shokëve të klasës. Ai ishte vetëm 12 vjeç dhe ishte në klasën e shtatë në Pescara. “Ai më tha ‘ti je një vajzë e pistë. Je e shëmtuar, e trashë…”, thotë ajo. “Kjo ndodhte në klasë, në kohën e pushimit, në korridore. Nuk më linte kurrë vetëm. Kisha arritur të flisja e përsërisja me vete: “Pse mua? Çfarë ka që nuk shkon me mua?’

Derisa vendosi të denonconte dhunën verbale të vazhdueshme.

“Pas vitesh qëndrese, shpërtheva. Nuk flija më natën. Deri në atë moment shpresoja se nuk do të më duhej të kërkoja ndihmë. I thashë vetes se gjithçka do të mbaronte. Mjaftonte të heshtja. Në vend të kësaj ai vazhdoi më tej. Çdo ditë ishte më keq. Kështu, një ditë pas një fyerje të radhës, i hodha librat që ishin mbi tavolinë, në dysheme, dhe vrapova te drejtori”.

Në atë moment Anna vendosi të rrëfente se sa po vuante. “Shkova në drejtori me të vetmen shoqe që kisha – kujton ajo, teksa thotë se ajo situatë e bëri të humbiste 20 kilogramë dhe e detyroi të ndryshonte shkollën, duke humbur vitin – Kisha gjithë klasën kundër meje, ndjeja se të gjithë qeshnin me mua.

Mendova se prindërit e mi nuk do të më besonin. Më rëndonte gjykimi i të gjithë atyre që më rrethonin. Kisha frikë nga pasojat e hakmarrjes. Nuk po dilja më. Nuk po flija”. U deshën tetë vjet seanca gjyqësore falë avokatit Giacomo Ceçhinelli nga Pescara, për të marrë drejtësinë e merituar.

“Më desh kohë për të kuptuar se nuk kisha faj – shpjegon ajo –. Më duhej të mësoja të kërkoja ndihmë. Tek prindërit e mi. Tek psikologët. Dhe kuptova që nuk kisha gabuar”. Të njëjtën ndihmë ishte munduar të kërkonte edhe nga profesorët, të cilët, siç është shpjeguar edhe në procesverbal, «injoruan ankesat e mia. Ata i minimizuan ato. Derisa bullizuesi u pezullua për shtatë ditë. Kur u kthye, filloi përsëri. Dhe mësuesit gjithmonë e mohonin gjithçka”.

Sot Anna është një vajzë që ka kapërcyer çdo trauma dhe ka një mesazh për të gjithë fëmijët.

“Mos kini turp të kërkoni ndihmë. Ata që ngacmojnë gabojnë, jo ata që janë viktima”.

ObserverKult