Nga: Blerim Valla
Trashëgimi kulturore, artizanate, kulturë shpirtërore, muzikë, gatime tradicionale e shumë çka nga tradita gjakovare ishin të gjitha ato që qytetarët jo vetëm të Gjakovës e më gjerë, por edhe nga shumë turistë të huaj, u panë, u shijuan dhe u dëgjuan në edicionin e parë të Festivalit “Me t’venit për venin”.
Ky festival njëditor u hap me Panairin e Zejtarëve, ku tjetër përveç se në Çarshinë e Vjetër, në një nga vendet më të dashura për gjakovarët dhe të gjithë ata që vizitojnë Gjakovën. Në këtë ngjarje unike tek ne pos muzikës së vjetër qytetare , ushqimeve tradicionale të vendit, u panë edhe shumë zejtar të vjetër gjakovar të cilët me punimet e tyre të vjetra dhe të rralla hijeshuan dhe përçuan traditën e kulturën e pasur të trevës së Gjakovës por edhe asaj mbarëshqiptare.
Sipas dy organizatorëve të këtij festivali unik dhe i cili nga ky vit do të jetë tradicional, dy të rinj nga Gjakova, Epikad Hoxha dhe Ermal Vejsa, qëllimi i mbajtjes së tij është “Promovimi i trashëgimisë kulturore të Gjakovës ku pos muzikës e zejtarëve hyjnë edhe ushqimet tradicionale gjakovare e njohur si “Sofra gjakovare””.
Hoxha dhe Vejsa, me këtë rast u shprehën falënderues për të gjithë sponzorët të cilët kanë kontribuar “për ta mbajtur dhe për ta bërë këtë festival të rrallë dhe paharrueshëm!”
Në çdo cep të Çarshisë së Vjetër të Gjakovës, gjatë këtij festivali njëditor “frymojë” tradita, puna, kreativiteti dhe kultura e muzika gjakovare. Në këtë ditë të veçantë, qytetarët dhe mysafirët e shumtë patën mundësi të njoftohen me shumë zejtarë dhe të shohin dhe të blejnë punimet e dorës të punuara nga ta. Nga punimet e poçarisë, punimet e drurit, të lëkurës, qëndisjeve, plisave, suvenirëve, rruazave e byzylykëve të ndryshëm, etj.
Nga gjithë ajo se çka u pa ky aktivitet interesant shërben në ndërgjegjësimin kulturor dhe rritjen e vetëdijes, përmes përkrahjes së veprimtarisë së zanatlinjëve, si dhe pasurimin e jetës kulturore në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës. Festivali “Me t’venit për Venin” përveçse mbështetjes konkrete të zanatlinjve, krijimtarisë muzikore si dhe zhvillimin e jetës kulturore e biznesore në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës, njëkohësisht synon të frymëzojë, edukojë, ndërgjegjësojë kulturalisht dhe të rrisë vetëdijen dhe motivimin sidomos të gjeneratave të reja për të mos u larguar nga Kosova, nga familja, tradita e vendlindja.
Kjo ngjarje unike që gërshetoi të kaluarën dhe të ardhmen, punën e festën në zemrën e Çarshisë së Vjetër të Gjakovës, nëpërmjet muzikës, artizanateve dhe ushqimeve, pasqyroi traditën dhe kulturën e një prej vendeve më të veçanta dhe historike të Kosovës, atë të Gjakovës! Për një ditë të tërë, Çarshia e Vjetër e Gjakovës u mbushet me tingujt e muzikës së gjallë, me ngjyrat e punimeve unike të zejtarëve dhe aromat e ushqimeve tradicionale.
Ndërkaq për pjesën artistike të këtij festivali u përkujdesën grupet e njohura gjakovare të muzikës së vjetër popullore qytetare “Arshikët” e “Rilindja” si dhe grupi po ashtu i njohur “Don’t listen to your neighbors”.
Veteranët e këngës gjakovare të mbledhur në grupin “Arshikët” me ritmet e këngëve të tyre e dërguan publikun në një udhëtim magjik nëpër kulturën e pasur të Gjakovës. Publiku pati rastin të dëgjoj muzikë të mirë tradicionale nga artistët e vjetër që këndimin nuk e ndalën për më shumë se gjysmë shekulli. Me ritmet e këngëve jo vetëm të Gjakovës, por të të gjitha trojeve shqiptare.
Kurse djelmoshat e rinj dhe shumë të talentuar të grupit “Rilindja”, ngritën atmosferën me ritmet dhe këngët e trashëgimisë sonë kulturore gjegjësisht të trevës së Gjakovës.
Kurse në mbrëmje, fundi i festivalit ishte i caktuar për grupin e njohur “Don’t Listen to Your Neighbours”, të cilët me paraqitjen e tyre skenike dhe artistike tejet profesionale, ngjallën atmosferën në maksimum në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës.
Festivali “Me t’venit për venin” është një aktivitet në formën e një feste (festivali) njëditor i cili do të përkrahë prezantojë dhe do i japë shtysë ruajtjes së trashëgimisë kulturore me fokus të veçantë tek zanatlinjve (kultura jomateriale/shpirtërore), pastaj te tradita muzikore e kulinare, si dhe në ndërgjegjësimin kulturor dhe rritjen e vetëdijes, përmes përkrahjes së veprimtarisë së zanatlinjëve, si dhe pasurimin e jetës kulturore në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës.
ObserverKult
Lexo edhe:
ORGANIZUAR NGA SHKËLZEN DOLI, EDHE SIVJET MBAHET “GJAKOVA SUMMER FEST”