Cikël poetik nga Odise Plaku: Kitarë me tela këputur

odise plaku nevojë
Odise Plaku

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik nga Odise Plaku:

Kitarë me tela këputur

Kitara ime me tela të këputur prej mallit,
gropë shpirti arratisur qiellit është.
Askush nuk ia pret rrugën të kthehet përsëri,
gishtat janë këputur dhe dora cung ka mbetur.
Kitara ime nuk ka kujt t’i këndojë tani,
zërin ma morën zanat kur sytë tek ato më ranë.
Si daulle në duar ta mbaj dhe të gjëmoj,
lëndina është e zbrazët, nuk ka fustankuqe të kërcejnë.
Kitara ime as për të çarë koka nuk shërben më.
Kokëhumbur të gjithë duken rrugëve të qorrollepsur,
dru për zjarr a për të pjekur ndopak raki në oborr,
mbase do duhet kjo kitarë në gozhdë të shpirtit varur.

Ylberin pikturoje në çarçaf të ditës

Po thuaje ti, dreqin, fjalën e mirë!
Pse në jetë ka më shumë ligësi?
Si demat ngrefosur përplasur ndër brirë,
villet urrejtje e pak lindet dashuri.
Po jepe ti dorën, kurrizin mos e kthe,
pyete mikun tënd: “O mik, gjallë je?”,
të sotmen vetes gri mos ia bëj ti,
se e shkurtër është jeta, o njeri.
Po jepe ti supin kur dikush kërkon
mbështetje për jetën që po i mbaron,
kur fryma i ndalet, pse e largon?
Fëmija ndër këmbë nis e vajton.
Po grisja ti natës të ziun mantel,
ylberin pikturoje në çarçafin e ditës,
në syrin tënd mbaje ti rrezen si penel,
me ngjyra pikturoji sekondat e jetës.

Mesnatë

Nata veshi mantelin e zisë
për sytë e tu të përlotur.
Qielli birin yll dogji për ty.
Unë brinjën hodha në zjarr,
veç dashuria të mos shuhet kurrë.

Zemra e lënduar

Zemra e lënduar kurrë nuk kthehet përsëri
nga u nis me lotët e dhimbjes në rrahje të saj,
shtegtare e kohës do të mbetet jetë e mot,
me vragë që makijazhi veç ia fsheh, por jo ta fshijë.

Ky dita të jem

Nuk dua të ma pështyni gurin e varrit
kur të mos jem më në këtë jetë.
Rrezet e diellit i rrëmbej dhe me shpirt
për miqtë e mi i bëj përherë dhuratë.
Nëse këmbët një ditë ju sjellin te varri im,
më shani sa toka të tundet vendit,
e kur rrugën ngadalë në kthim të merrni,
mos harroni me mua një cigare të ndizni.
Nuk dua të ma pështyni gurin e varrit,
se shpirtin që lë pas do të më vrisni.
Ju kam dashur gjithmonë siç dija, pa hile,
i keq a i mirë, ky dita të jem unë për ju
Lëndimet në jetë janë më të rënda se vdekja,
me vdekjen gjithçka harrohet dhe askush s’e kujton,
në gjallje shikimi mes syve të kthen kujtesën,
e mbetura pas shpejt gjallon dhe përsëri lëndon.
E kotë gënjeshtra “e kam harruar atë kohë, ka ikur”,
e fshehur qëndron dhe zgjohet si ariu polar nga gjumi,
zemra e lënduar fal, por prapë e brengosur mbetet përjetë,
makijazhi i buzëqeshjes fsheh, por kurrë nuk e fshin.

Braktisje

Kush e njohu dhimbjen tënde në botë?
Askush.
Mbeti brenda shpirtit me flori mbuluar.
Kush lotin tënd e peshoi në këtë botë?
Askush.
Ai rrodhi dhe buza e puthi në heshtje.
Kush rrudhat e tua fshiu në këtë botë?
Askush.
Ato humnera vetmie u bënë ngadalë.
Kush thinjat e tua i pa në këtë botë?
Askush.
Ata që t’i nxorën ikën dhe pas të lanë.
Në dritare me hënën flet vetmitare,
yjet pyet për krijesat që solle në jetë.

Përsëri në jetë

Ku jam këtë natë, ku?
Në rrugë errësira
Kafshon për lezet të vet,
diell më nuk ka,
hëna më braktisi,
drita në fund tunelit
u fik pa u ndezur.
Ku jam këtë natë, ku?
Veten e tres në llavën e mallit,
vetmia gërryen brinjët,
zemra rrahjen e fundit numëron,
gjunjët gjak kullojnë
dhe thonjtë lënë dheut.
Ngrihem e ulem,
lëkurë e dorës mbetet
vulë dhimbjeje
e lot acid syrit rrjedh.
Zvarritje a ringritje,
nuk di çfarë është.
Ku jam këtë natë, ku?
Ylli im i fshehur,
më i largët se kurrë.
Cigarja e ndezur, farmak i ëmbël,
më bën shoqëri
Digjemi të dy
në heshtjen-varr të kësaj nate.
Ku jam këtë natë, ku?
Nuk ka taksi,
autobus, tren të më marrë,
shiu dhe era
përtypen në qenien time.
Larje perëndie,
oh, sa e dëshiroja këtë natë!
Mbeta përsëri në jetë.

I gjallë edhe në të përtejmen botë

Prangat në këmbë nuk i dua,
Zoti më lindi pa to.
Edhe shpirtin me çelësa e dyer hekuri jo,
si zog i lashtë qiellit tim fluturoj,
ku është rreze e gëzimit ngrohem
ku kënga ndez yjet dhe i deh, aty jam unë,
Këmbëzbathur në rrugën plot gjemba eci,
drejt dashurisë sime vrapoj.
Llavë përvëluese jam,
vullkan i fikur kurrë.
Jetën e kam të dashur besnike,
Ndaj si në këtë botë,
ashtu dhe në të përtejmen botë
i gjallë përsëri do të jem.

*Shkëputur nga vëllimi “Puthje të mbetura në ajër”

ObserverKult


Lexo edhe:

ODISE PLAKU: MBYTUR ME DASHURI