Letra më e bukur e dashurisë: U plandosa në shtrat për t’u arratisur nga kjo e vërtetë e hidhur…

Letër dashurie

Në vitin 1776, ambasadori amerikan në Paris, Benjamin Franklin, takoi të venë e filozofit të njohur, Claude Adrien Helvétius, me të cilën ra në dashuri, madje i kërkoi dorën, por ajo nuk pranoi në respekt të shoqit.

Kjo ishte një tronditje e fortë për Franklinin, i cili u fiksua dhe më keq pas saj, saqë i shkroi dhe një letër, për të cilën shumica bien dakord se është letra më e bukur dhe më krijuese në historinë e dashurisë.

Ai i shkroi:

Zonjë e shtrenjtë. Sinqeriteti juaj dhe vendimi për të qëndruar e ve derisa t’i bashkangjitesh tët shoqi, ishte një tronditje e rëndë për mua. Prandaj dhe vendosa të heq dorë dhe u largova, por nga pikëllimi kalova në një dëshpërim vrasës. I dërrmuar dhe i pashpresë mora një qetësues dhe u plandosa në shtrat për t’u arratisur nga kjo e vërtetë e hidhur.

Pasi më kishte marrë gjumi, pashë në ëndërr se kisha kaluar në botën tjetër, ku rendja me vrap, sikur kërkoja dikë të shtrenjtë. Befas m’u shfaq një engjëll i bukur, i cili më pyeti për ku isha nisur. I thashë se po kërkoj këndin e filozofëve. Ai, duke më bërë me shenjë më tha: ”Atje në cepin e bahçes jetojnë dy filozofë, Sokrati dhe Helvetius.”

Pa e zgjatur, engjëlli më mori për dore dhe më çoi tek Helvetius, i cili më uroi mirëseardhjen, pastaj më pyeti për luftën, fenë dhe lirinë. Unë i përgjigjesha, por nga brenda doja që të hiqte dorë nga ato pyetje idiote, sepse doja t’i tregoj për arsyen që kisha vajtur tek këndi i filozofëve.

Më në fund arrita ta pyes: ”Zotëri, më ke shtruar kaq shumë pyetje dhe je interesuar për kaq shumë njerëz, por s’më ke pyetur fare për partneren tënde të jetës.”

Filozofi psherëtiu thellë dhe tha: ”Ti po më kthen në kujtimet e së kaluarës, të cilat një person duhet t’i harrojë për të jetuar i lumtur. Rrethanat këtu më detyruan ta harroj time shoqe dhe të martohem me një grua të bukur që përpiqet të më bëjë të lumtur medoemos.”

I prekur nga besnikëria juaj për tët shoq zonjë, i thashë: ”Po a e di që gruaja jote është më besnike ndaj teje sesa ti ndaj saj? Ajo ka refuzuar që ta prekë burrë tjetër pas teje. Madje, unë i kërkova dorën, por ajo refuzoi për hir të lidhjes që ka pasur me ju.”

Në këtë çast pashë zotin Helvetius që buzëqeshi gjithë keqardhje dhe tha: ”Më vjen shumë keq për ty dhe për time shoqe.”

S’vonoi shumë dhe u hap dera dhe hyri e shoqja e tij në parajsë. U trondita edhe më shumë sepse ajo ishte gruaja ime që më kishte vdekur. Fërkova sytë duke dashur të mos e besoj atë që po shihja. Pastaj e pyeta: ”A nuk je betuar se do të më përkasësh vetëm mua?”

Ajo u përgjigj ftohtë: ” Unë kam qenë një grua e mirë për ty për 29 vite, por këtu, në botën tjetër, u takova me këtë burrë, me të cilin më lidhën qiejt dhe parajsa.”

Me thënë të drejtën u trondita nga përgjigja e saj e ftohtë dhe e sulmova për ta goditur, por në çast më doli gjumi dhe s’munda. Ama kam shansin të hakmerrem ndaj saj në gjendje të zgjuar. Madje të këshilloj të hakmerresh dhe t’i ndaj burrit tënd. Pra, e dashura ime, le të hakmerremi bashkarisht.”

Perktheu: Elmaz Fida

ObserverKult


Foto ilustrim

Lexo edhe:

LETËR DASHURIE: SJELL GJITHMONË NË KUJTESË LOTËT E TU…

LETËR DASHURIE/ JUAN RULFO: ZEMRËN DO TA JEPJA TY… PA PASUR ASPAK FRIKË…