“Anima Mea”, shfaqje që e mahniti publikun e pranishëm

Nga: Blerim Valla

Se dramaturgjia e jonë kombëtare me autorë shqiptarë i ka munguar që moti skenës tonë teatrore, e sidomos asaj në Gjakovë, kjo u pa më së miri me shfaqjen më të fundit të Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës, që u pëlqye dhe u duartrokitë nga publiku, për tekstin domethënës, për rolet e aktorëve dhe për konceptin regjisorial.
Dhe krejt kjo fal trupës së Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovë, që shfaqi premierën e dytë për këtë vit, konkretisht komedinë e zezë me titull “Anima Mea” të autores Seadet Beqiri, me regji të Ilir Bokshit.

Shfaqja është një trajtim interesant i klasës politike (sigurisht klasës tonë politike) dhe e marrëdhënjëve politike, pastaj i shtytjeve politike për interesa politike, që njerëzit të shtyten të garojnë dhe të merren me politikë, dhe të bëhen politikan me çdo kusht!
“Anima Mea” (në shqip “Shpirti im”) është shfaqje e cila solli në skenë politikën por e parë në një këndvështrim tjetër. Ku lakmia për pushtet politik e më pastaj edhe për pushtet edhe më të lartë, kur bashkohet edhe me veprime djallëzore fillon të bëhet keq e më keq. Dhe kjo tematikë e shfaqjes na paraqet lakminë e disa personave që me çdo kusht duan të kandidojnë për të marrë poste të larta shtetërore.

Regjisori Ilir Bokshi, gjithë këtë tematikë me sukses e ka kthyer në aktualitetin tonë, këtë shfaqje me ditët e sotme, dhe në hapësirën shqiptare, duke e bërë më të kapshme për publikun. Ashtu siç di Bokshi, me një regjisur moderne, me zgjidhje interesante mizanskenike dhe me një interpretim frymëzues të aktorëve. Me plot situata interesante dhe me karaktere poashtu interesante (edhe djallëzore) të personazheve. Kështu si punë djallëzore e trajton edhe politikën në këtë shfaqje regjisori Bokshi, e jo si punë njerëzore për të mirën e të gjithëve siç do të duhej të ishte në vendet e civilizuara. Dhe kur merret parasysh ky invencion regjisorial i Bokshit, shfaqja “Anima Mea” arrin të shndërrohet në shfaqje interesante ku përzihen bukur teksti i autores, loja e aktorëve por edhe kënga!

Drama trajton situata nga fushata parazgjedhore e cila vjen si pasojë e vdekjes së presidentit. Mefi (Mefistofeli) vendos të ndërhyjë në përzgjedhjen e presidentit të ri gjegjësisht personit të përshtatshëm dhe të manipulueshëm me të cilin do t’i fitojë zgjedhjet.

Vera e verbuar nga lakmia dhe ambicia, pranon marrëveshjen e Mefit i cili përmes joshjes, intrigave dhe shantazheve arrin të bindë dhe kontrolloj Verën. Burri i saj Roni dhe miku Dani të dëshpëruar dhe të zhgënjyer, fillojnë të kërkojë mënyrën për ta shpëtuar Verën nga kurthi i Mefit. Me kalimin e kohës, edhe ajo fillon të kuptojë se ngritja e saj në pushtet vjen me një çmim të lartë moral dhe personal dhe me ndihmën e Ronit dhe Danit, gjen kurajën për të sfiduar Mefin, duke rikthyer fuqinë e ndikimit në duart e saj, pavarësisht pasojave të mundshme dhe mos zgjedhjes së saj në garën zgjedhore dhe pozitës së lartë politike.

Në këtë komedi të zezë interpretuan Edi Kastrati, Vlora Dervishi, Edmond Hafizademi, Besfort Berberi, Edi Gjakova dhe Valon Pallaska. Edhe në këtë shfaqje doli në pah interpretimi brilant i aktorëve gjakovarë për çka në fund morën duartrokitjet e gjata. Kështu roli i Mefit luajtur nga Edi Kastratit ishte një gjetje shumë e mirë e regjisorit që i përshtatej shumë aktorit në fjalë për nga karakteri dhe situatat skenike.

Ajo që la mbresa edhe këtë herë, sikurse dhe në shfaqjet e tjera të teatrit gjakovar, ishte loja fenomenale e aktores Vlora Dervishi, e cila çdo herë e më shumë po shkëlqen me rolet dhe paraqitjen e saj skenike. Dhe tashmë është bërë aktore e pashmangshme për çdo rol dhe për çdo shfaqje të re të Teatrit “Hadi Shehu”!

Gjithashtu edhe aktori tashmë i njohur Edmond Hafizademi ka ndërtuar një rol jashtëzakonisht të arrirë me finesa të rralla që tregojnë se kemi të bëjmë me një aktor brilant që “i flen” çdo rol!
Role në nivel të konceptit regjisorial dhe tematikës së shfaqje realizuan edhe aktorët tashmë të njohur si Besfort Berberi, Valon Pallaska dhe Edi Gjakova. Sikurse që në nivel artistik dhe plot kuptim ide domethënëse ishte edhe skenografia e Petrit Bakallit, pastaj kostumografia e Njomza Lucit dhe muzika e Valton Beqirit.

ObserverKult


Lexo edhe:

BLERIM VALLA: PSE U HARRUA KAQ SHPEJT ALI PODRIMJA?