Nga: Blerim Valla
Qe katër vite në Gjakovë, në qytetin nga ku kanë dalur poetë të njohur shqiptarë, mbahet Festivali Mbarëkombëtar i Poezisë i organizuar nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” (QKPSHA GJ).
Misioni i këtij festivali është bashkimi i poetëve mbarëkombëtar shqiptarë drejt përhapjes dhe selektimit të vlerave të mirëfillta poetike. E që kjo bëhet paraprakisht me hapjen e konkursit letrar dhe përzgjedhjen e poezive më të mira nga këshilli organizativ i festivalit. Pastaj organizimi i orës së madhe letrare dhe vlerësimi i poezive më të mira nga juria, më pas përmbledhja e këtyre poezive të përzgjedhura në bazë të kritereve të konkursit dhe botimi i tyre në një libër – antologjitë veçantë.
Në këtë manifestim letrar siç u tha marrin pjesë poetë nga gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Fillimisht fjalën e mirëseardhjes dhe të përshëndjes e mbajti kryetarja e Qendrës Kombëtare të poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” Mevlyde Mezini Saraçi. Më pas Arisa Hoxha, nxënëse e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë ekzekutoi me kitarë një instrumental para të pranishmëve!
Në emër të DKRS në Gjakovë, Demokrat Zhubi, udhëheqës i Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” i përshëndeti organizatorët e festivalit dhe të pranishmit, duke vlerësuar lart këtë ngjarje letrare mbarëkombëtare. Kurse me një fjalë rasti, festivalin e përshëndeti edhe znj. Mimoza Shala e cila është edhe fituese e parë e çmimit “Yllka Domi” që është ndarë në edicionin e parë të këtij festivali. Ndërkaq festivalin e udhëhoqi gazetarja nga Prishtina, Valmira Saraçi Sahatçiu.
Dhe më pas filloi ora letrare e këtij manifestimi me karakter garues, ku morën pjesë 30 poetë nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga diaspora të përzgjedhur në bazë të kritereve të konkursit të shpallur kohë më parë nga Qendra Kombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Gjakova” (QKPSHA GJ) me seli në Gjakovë.
Juria e “Festivalit Mbarëkombëtar të Poezisë 2024”, në përbërje prej 3 anëtarëve, me kryetar Mark Simoni, gazetar, shkrimtar e studiues i njohur nga Tirana, poetja po ashtu nga Tirana Eli Kanina (fituese e edicionit të parë të këtij manifestimi), pastaj poetja nga Prishtina Shefqete Gosalci dhe shkrimtari e veprimtari nga Gjakova Muhamet Rogova, nga 30 poezitë e poetëve pjesëmarrës përzgjodhi si më të mirat, poezitë si në vijim: vendi i parë i takoi poetit Prend Buzhala me poezinë “Kahdo që shkon t’i pikë e gjakut”, vendi i dytë poetit Zenun Hysenukaj me poezinë “Mesnatë”, dhe vendi i tretë poetit Dardan Berisha me poezinë “Mos ma festoni ditëlindjen”. Ndërsa fituese e Çmimit të Publikut këtë herë u zgjodh poetja tashmë e njohur Fjolla Agusholli Muhaxhiri me poezinë “Ju luta Zotrave”.
Kryetari i jurisë Mark Simoni në fund pasi u ndanë çmimet pos tjerash theksoi” “Jam shumë i nderuar që mora pjesë në këtë festival prestigjioz të poezisë dhe që isha kryetar jurie i këtij manfestimi poetik me karakter mbarëkombëtar në Gjakovë i organizuar me aq dinjitet dhe vlera nga e përkushtuara, nga pasionantja për poezi dhe vepimtarja e njohur në Kosovë, Mevlyde Mezini Saraçi, të cilën duhet përgëzuar dhe falenderuar shumë” – tha M. Simoni.
Këtë veprimtari letrare ku morën pjesë poetë e poetesha nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e diaspora e mbështeti Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e komunës së Gjakovës.
Të gjithë poetët pjesëmarrës përpos fletë falënderimeve, morën si dhuratë nga organizatori edhe vëllimin vjetor (antologjinë) me titull “Poezia nuk njeh kufi”, të përgatitur nga Mevlyde Mezini Saraçi, ku gjenden të gjitha krijimet që u lexuan në këtë edicion të katërt. Përpos poezive, libri ka nga një fotografi dhe biografi të shkurtër për secilin autorë.
Pas pjesës zyrtare të leximit të poezive dhe shpalljes së fituesve , në kuadër të këtij manifestimi u promovua libri i autorit nga diaspora (nga Zvicra), poetit Ajet Shala me titull “Plisbardhi shekullor”, për të cilin libër folën Muhamet Rogova dhe Mevlyde Mezini Saraçi.
ObserverKult
Lexo edhe: