Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poetik nga Ndue Dedaj:
GJETHET E VJESHTËS
Pikën gjethet e vjeshtës përtokë
Dhe mbi supet tanë si stoli antike
Fshesarët i marrin para me netull,
Të mos ndotet qyteti, universi!
Vashat ecin mbi varka ëndrrash
Që shpesh bien si gjethet…
ALGJEBRA IME
Nuk ishin numrat alfabeti im
as arabë e as romakë
në aritmetikën time një plus një s’bëjnë dy,
por s’bëjnë as tre!…
Logjikë pa matematikë,
matematikë pa logjikë;
unë kësaj i besoj
përderisa këpucët kanë numra,
fustanet jo!?
Zoti është gjithnjë bujar
për mua kish’ krijue algjebrën e shpirtit
që i bën gjërat lëmsh
sidomos llogaritë…
LEGJENDA
asnjë zbulim s’kisha ba ndër yje,
asgja e re s’kishte ndodhun rrokullisë
kur sytë e mi shkrepën në ty
ti nuk ishe legjenda…
legjendat i krijojnë gjithmonë sytë,
asnjiherë zemra.
PAS ARISTOTELIT…
Humba dikur në pyllin me lisa…
Ende atje çukasin çukapikët fëminor,
Përbirojnë drurët e guvat, gurrat e mrizet.
E unë eci termales së Dheut
Herë para, herë mbrapa Aristotelit…
Humba pastaj në pyllin e librave, përgjithmonë…
Çukapikët hutohen prej lakuriqve të ditës
Çelin lule papiruset si në vjeshtat e Edenit.
E unë eci termales së fatit
Herë para, herë mbrapa Sokratit…
QYTETI ME KAMBANË
Qyteti që nuk e mas me gjurmë
po me xhiron e tij të përmbrëmshme.
E mas me pëllëmbë një e nga një
Dhe përpiqem t’i gjej një emër zoti.
Qytetet s’janë sa zënë vend në hartë,
as sa lumi i tyre, i shkurtër apo i gjatë.
S’janë as sa malet që i rrethojnë
Për dashuritë vetëkurdisën si orë.
Qyteti që nuk e mas me hapa,
po me të rëna kambane…
TRAFIK AJROR
Ir.
Albatrosët, nositët, lejlekët
kanë shkundur flatrat e lodhura të ditës
e kanë ra të flenë mbi degët e zhveshura…
Avioni si një somnabul mbi Atlantik
shket përgjumshëm nëpër trafikun ajror,
këmbehet stacioneve surreale me meteorë.
Londra si një anije bajroniane përkund dit’netët…
Elisabeta II ka lënë skeptrin n’Burkingam Palace
e prehet si një mjellmë në parajsë.
Në fluturim njeriu kalon ylberin
iluzioni shkëlqyes sakaq bëhet mal, det, yje
pafundësi që shkriftohet me dorë.
Askund më shumë se kaluar nëpër re
nuk rroket bota në turravrapin e përjetshëm
si një kalë pa fre …
29 dhjetor 2022
XHUBLETA
“Këmisha ma e randë e botës”
E pati veshun stërgjyshja para erës së re
E veshi gjyshja mbas lemjes së Krishtit.
Nuk asht endun prej bari, bari thahet në dimër
Nuk asht endun prej guri, guri shkrihet në shidiell,
Nuk asht endun prej uji, gurrat shterrin në verë,
Nuk asht endun prej shajaku, berret i ze gjarpni.
Xhubleta asht endun e gjitha prej ajri.
Gratë deri atëherë veshë me rrezet e diellit…
Ua zdeshën xhubletën Bjeshkëve të Namuna
Dhe e hodhën mbi shtatin e tyre si vesa.
Për mos me i lënë kreshtat lakuriqe
U prenë kostum të praruar prej bore.
Xhubleta asht vetë fustanella.
MILLOSH KOPILIQ KRYEPREMI
Ia mora pushkën e gjatë nga dora
Boll me këtë “teshën” e çmendur krahaqafë.
Bëj paqe me veten… Për tën’Zonë!
Tash je pa krye e s’të ka më kuptim lufta,
S’ban me qenë prap’ dashnor i pushkës!
Por Kryepremi s’besonte në mua…
SARI SALLTIK
Krujë, shkrep i shenjtë, vij te ti kahmot
Eci nëpër ca gjurmë të ngurtësuara mbi bar…
Kërcej nalt mbi kurrizin e malit tand hyjnor
Si mbi një kalë që për shalë ka një legjendë.
Në shpellën e mrekullive fle Sari Salltiku
E unë katoliku ndez nji qiri, falem si bektashi!
Krujë, yti asht ky mal përrallor, apo i atij?
Ta zgjoj a mos ta zgjoj Dede-në misionar
Me dërvishët përreth si krushq të ngrirë?…
E vëllain e madh kryegjysh Haxhi Bektash?
Më pret në teqe me bekime si një ungj i mirë,
Lutem dhe unë për të, aty mbi sarkofag…
Krujë, 2015
ORAKUJ
Poetët nuk kanë tagër as mbi një gur,
Vetëm nëse ai rrokulliset si ortek e shkundullon detet!
Poetët i bien mandolinës jo se dinë të bëjnë muzikë,
Po që të mos shurdhohet bota nga mungesa e tingujve.
Poetët i ujisin lulet jo se janë lulishtarë të përkryer,
Po që mugujt e natës të endin filizat e dritës…
Poetët asnjë tagër nuk kanë mbi popujt
Luftërat, pandemitë, ngrohjen globale.
Po nëse duan t’i vjedhin gjuhën zotit
Ata kthehen të gjithë në orakuj…
ObserverKult
Lexo edhe: