Rrëfimi emocionues i Luljeta Lleshanakut: Sigurimi na shpalli të vdekur mua dhe bashkëshortin Lazer Stanin, na qanë për së gjalli

Poetja e njohur, Luljeta Lleshanaku ka bërë një rrëfim tepër të ndjerë në emisionin “Pas Mesnate”. Ajo i ka emocionuar të gjithë, kur ndau momentin që së bashku me bashkëshortin Lazer Stani sigurimi i shpalli të vdekur në kufi.

Luljeta zbuloi që familjarët dhe të afërmit i qanë për së gjalli, pasi në atë kohë jetonin në mal dhe posta ishte shumë larg për t’i njoftuar.

“Një nga planet tona ishte për t’u arratisur sepse nuk kishim rrugëzgjidhje tjetër. Ishte e pamundur t’i mbijetonim malit në dimër kur bora arrinte deri në gju. Ishte momenti kur kishte ikur Ismail Kadare dhe ishte momenti për t’i bërë presion intelektualëve, që ky fat ju pret nëse do të provoni të rebelehoni. Ishte presion për të tjerët dhe jo për ne. Shumë nga të njohurit tanë, familjarët, në një farë mënyre na kanë qarë të gjallë, sepse e besuan vërtetë lajmin. Në atë kohë, nuk kishte një mënyrë për t’u vënë në kontakt, sepse ne ishim në mal në shtëpinë e tim shoqi në një fshat të thellë. Duhej dy orë për të shkuar në postën më të afërt. Kështu që u besua nga të gjithë dhe i erdhi keq pjesës më të madhe”.

Më tej, ajo tregoi se i madhi Dritëro Agolli ka qenë një nga mbështetësit e saj të parë, pasi i botoi poezitë e para dhe bëri rekomandim që ajo të fillonte universitetin.

“E vërtetë Dritëroi ka qenë një nga mbështetësit e mi më të mëdhenj, sepse që në atë kohë, poezitë e mia të para u botua në Gazetën Drita dhe me autorizimin e Dritëro Agollit. Ka qene ai që e mori përsipër. Ka qenë vera e vitit ’90. Nuk kishte rënë akoma regjimi. Pastaj Dritëroi ishte po ai që dha rekomandimin për të vazhduar universitetin. Sigurisht, që nuk piu ujë, sepse unë nuk shkova në shkollë atë vit, shkova në universitet kur isha 23 vjeç, 5 vjet me vonesë në ’91 kur ra sistemi dhe isha nënë me një fëmijë 3-muajsh”./abcnews.al

ObserverKult

Videon mund ta shihni duke klikuar më poshtë:


Lexo edhe:

LULJETA LLESHANAKU: PESË VITE JETË PËR NJË DËSHTIM NË DASHURI