N’shpirtin tim
Rreh malli i Shkodrës. Tash, që jam n’mërgim,
Kam et netësh shqiptare.
Pse më përkujtohen mbramjet magjistare
Ku çdo jeh në muzg vdes ashtu mejherë
Në t’amblën heshti?
Ndiej frushullim gjethesh
Kah përkdhel pema pemën me butsi.
Por, kur mbas mali zb’lon ballin e gjanë
Hana fytyrëbardhë,
Zana shpërthejnë.
Tash s’ndiej land’t tue pëshpëritë,
Pse hana qiejt nga gjumi trazon
E njimij’ gojë lehin ashtu papritë.
E vashat ledhatare
Qeshin kah ngrehin shtregullat mijvjeçare.
Përkund djalin e kndon:
“Po ti, hanë pse s’dole mbramë?”
Vasha sheh sytë djalosharë,
Që qeshen n’t’mektën dritë:
“Mbramë, si ti dhe un, o djalë,
Hanën kam pritë”.
Por nuk ngjati shumë vegimi andërrtar.
Zhdukë andrra, n’shpirtin tim
Malli kthen mejherë,
Mbasi kurrkush nuk kndon për mue n’mërgim.
ObserverKult
lexo edhe:
Gaspër Pali, shpirtja qi mallshëm këndoi… “Pse ty e mua Shkodër, me andrrue na kande”
Nga Albert Vataj
Edhe pse vdekja nuk e la gjatë me jetue, tue e marr në vjetin e 26 të jetës, tue ndalue hovin runuer, e zjarrin e dishrimeve, tue mos e lan me kriju dhe me andrru. Ai njaq vjet sa pati frymë e rrahje zemre, jetoi t’amëltat çaste n’Shkodrën qi deshti andshëm, ngjizi kang e i dha za shpirtit, t’nezun dashnish e t’amëlcuem gazmimi. Andrrimit ju dha me kandje e adhurim, tue e meku me mish e me shpirt, tançkaje e ndez n’za e n’zemër, për me ken e me mbet, njaj qi sod e kujtojmë e përgjithmonshmërisë i’a lam amanet.
Gaspër Pali u lind në Shkodër, n’lagjen Sarreq, më 14 gusht 1916. Kreu shkëlqyeshëm filloren e pesë klasat e gjimnazit françeskan në qytetin e lindjes. U dashunu që herët si me leximin, krjimin edhe me muzikën, duke ndigjue s’bashku me mikun e tij, Prenkë Jakov, muzikën e gjenive, si Shubert, Puçini, Hajden, Moxartit, etj., frym e cilla gjallonte n’Shkodrën e traditave dhe kulturës, n’Shkodrën e adhurimit t’kahershëm të njatyne aspiratave qytetnuese, qi kjen fryma dhe andrra e tan’njatij brezi, n’themelet e t’cillës u naltue emni i qytetit, u hyjnizua bekimi i çdo vullneti rinuer, për me i ken dorzan këtij mëkimi t’hyjt.
Gaspër Pali
PRENDIMI I ANDRRIMEVE
Zhurma e karrove
Meket mbi qelqe t’ bardh’ të dhomës sime,
Nga sheshi k’tu tue ardhë.
E mbrend’ s’ dridhet n’ ajri
As ma e vogla valë.
E mue andrrimet më bulojnë
E syt’ me driza hijesh m’ avullojnë.
Vegime m’ lejnë at’herë
Në kët mesditë zhegore.
E shoh, shka s’ pashë kurr’ në jetë.
Ndjej shka s’ ndjeva kurrnjiherë;
Vasha me buzë n’ t’ cilat shpërthyen burbuqet,
Shtëpia të ndërtueme
N’ rubina, si mollëza fytyrash vashnore,
Ku rrëshqet gazi, si ‘i mij’ gusha bilbilash.
Por nji za nga fundi i shpirtit më trand.
Shkyhet tisi i vegimeve t’ krijueme.
Menjiherë zhduken lulishtat prrallzore
Si hyjt, që shkëputen në nji natë verore.
Zani me grish me jetue
E jo me afrue qepallën me qepallë
E me ndejë tue andrrue.
Më thotë zani me i kndue jetës,
Më thotë zani me i kndue kohës,
Më thotë zani: “Kndoi s’ vërtetës!”
ObserverKult