“Ngushëllimorja”, nga Fehmi Pireva

Nga Fehmi Pireva

Vendlindja e shkrimtarit, sidoqoftë, si vend, qoftë fushor, malor apo shkëmbor, ku të mahnit si për bukuritë, njerëzit si gjëllijnë, mbetet për njeriun, shkrimtarin, vendi më i dashur. Aty ku ti ke hedhur rrënjë, në një truall, si një bimë, për t’u bërë pjesë e asaj shumësie të “kopshtit njerëzor”. Jo të gjitha kopshtet, ngjajnë në kopshtin e Edenit… Çka të sheh syri, të duket e bukur, diçka deri në përrallore. Nëse në truallin e vendlindjes, kushtet kanë qenë të egra, nuk është çudi, të gjeni edhe një ferrë, pikërisht në zemër të tij, aty ku ta vret syrin, të prishet gjaku.

Ndonëse, ashtu si është, do të mundohesh, ta heqësh me rrënjë, t’ua shkulësh dheun, që në vend të tyre të mbjellësh një trëndafil apo borzilok, që kundërmon ndryshe. Gjatë tërë jetës, kam qenë peng i një fenomeni tepër interesant, i mosthënies së asaj, e cila quhet dhe thuhet e vertetë. E vërteta për vendlindjen, njerëzit e gjakut, fisit, atij trualli, që ka vendosur rregulla, se si duhet të (mos) sillesh, se si duhet të (mos) flasësh. Kjo, zaten çon edhe në varfërimin e ideve, zhvillimin mendor, nënshtrimit dhe frikës, për të thyer normat e brendshme të bashkësisë.

Në vendet komuniste, roli i individit në mjedis, me gjykim ndryshe, ka qenë gati i pahetueshëm, në raport me dukjen e komunitetit shumicë. Komuniteti shumicë, shpesh ka “vrarë” njerëz të talentuar, me aftësi të jashtëzakonshme në shumë fusha, jo vetëm të artit, por të shkencës dhe filozofisë etj.

Në këtë vorbull, si anija mes dallgëve, pa e ditur se në ç’drejtim është duke lundruar, ke marrë përsipër rrezikun të hedhësh: o për jetë o vdekje, duke mos ditur, se si fati yt do të përfundojë. Pas teje, sigurisht, do të provojnë të tjerët, si një lloj “arratie”, që ta shmangin përplasjen në një copë shkëmbi, me fatalitet.

Koha dhe hapësira, njerëzit përreth, shpesh janë sinorë të fortë, që fillimisht t’i vrasin ëndërrat, pastaj të fusin në një rrugë qorre, ku gjithçka ka rrezik të vdesë, pa asnjë shenjë jete. Në një përlasje të këtij lloji, shkrimtari dhe vendlindja? Kundër tij, nuk është çudi se do të zgjohen edhe shpirtërat e vdekur. Në pamundësi nënshtrimi, sajohen dy veçime: E para, lëçitja e shkrimtarit nga njerëzit e vetë, e dyta, përpjekja e shkrimtarit për t’u veçuar, po nga këta njerëz.

E gjithë ngjarja kulmon me idenë, e cila, si për nga mënyra, qasja e realizimit, zë fill me ndërtimin e një ngushëllimoreje. Në tokën, e cila e ka për titullar, një shtet laik, i cili mbyll njërin sy, para këtyre nismave, duke u kthyer në njëfarë ciklopi, i cili nuk i ngjante krijesave të zakonshme. As shkrimtari nuk është engjëll. Nuk lëviz dot nga krahu i djathtë, i atij njeriu, e cila cilësohet me të drejtë, qenie e arsyeshme dhe kthehet në një force shtytëse e shoqërisë.

Por, që, jo rrallë mbetet i vetmuar brenda sojit të vetë. Thuhet shpesh, nëse ke humbur një betejë, nuk do të thotë se ke humbur luftën. E keqja, e cila del në shesh, bën të kuptosh, se me ca rituale, ngushëllimorja nuk e zbeh shkrimtarin, as nuk mund ta fusë në atë deriçkën, në të cilën hyjnë dhe dalin, ata, që do ta dërgonin sa ma parë për në botën tjetër. Me apo pa ritualin e ngushëlllimeve.

Shkrimtari e ka ritualin e vetë të zakonshëm, si mison i pavdekshëm. As nuk blihet, as nuk shitet! Lufta e shkrimtarit nuk është e lehtë. Në mos qoftë e para, është një nga më të rëndat, me të cilat përballet tërë jetën. Për ta mbajtur gjallë shpresën dhe dritën ndezur, në netët më të errëta, qoftë për një kalimtar të vetëm, që kërkon kalim të sigurtë nëpër Urën e Siratit, drejt parajëses. Atë “urë” që ngre çdo shkrimtar për njerëzit e vetë, kombin dhe njerëzimin.

Kjo peshë e urës mbahet pikërisht mbi supet e tija, që në ditë më të mërzitshme, më të mjegullta, me shi, borë, apo diell verbues, që nëpër të duhet të kalojë njeriu, që të mos i ketë dy ferre . Njërin të kësaj bote dhe atë të përtejshmes, të panjohurës, agnostikës, të cilin e humbi, që në fillim, Adami, për të ngelur sërish në origjinën e vetë. Tek ajo copë dheu apo argjile, që të mos kthehet në lëndë zjarri dhe hiri, aty, ku thuhet se Zoti, me hukamën e tij, i dha shpirt. Ndonëse, këtij shpirti të sfilitur, shkrimtarit, sikur i ka mbetur për mision, që ta provojë, që me “hukamën” e vetë ta mbajë gjallë këtë shpirt, edhe kur veçohet apo e veçonë vendlindja, rrethi, partitë politike, qeveritë. Ku me kryeneçësinë e tyre, forcat të errëta, duan ta përthithin, në atë vrimën e zezë. Pastaj, ai nuk mbetet më shkrimtar, qenie e dallueshme, brenda kastave, turmës njerëzore, qoftë e vogël, apo e madhe, sido që të jetë, e cila synon ta shkrijë në universin e vetë të mjegullt.

ObserverKult


Lexo edhe:

FEHMI PIREVA: MBETI NJË PYETJE PA PËRGJIGJE