Fehmi Pireva: Mbeti një pyetje pa përgjigje

(Aziz Kelmendit)

Tutje qelqit dru gjethrënës
Gjethet e para, bien sot,
I ardhur vrullshëm si nxënës
Profesori hesht, e s’flet më dot.

“Një pyetje, asgjë më shumë
Kur mbaron një ligjëratë,
E drejta jonë për bashkim
Fle në errësirë si e ngratë”.

Dhe sa shpejt vjen qershori
Ngjitet fjala, maje flake,
Përgjigjet kobshëm shtatori
Gojën mbyll, e drejta romake.

Tutje qelqit dru gjethrënës
Hesht profesori, s’flet më dot,
Mbeti një pyetje pa përgjigje
Në vend të saj ca pika lotë.

Amfiteatër i madh i juridikut
Kthehet si në teatër antik,
I mbushur plot me ligjërata
Ti aktor, me rol tragjik…!

Aziz Kelmendi u vra në Paraqin, më 3 shtator, 1987