“Gjethesh”, poezi nga Sueton Zhugri

Poezi nga Sueton Zhugri

Ashtu është, ashtu do të jetë…
Mbarim i vjeshtës u ngjan atyre
kuajve që shkojnë pa ditur
drejt thertores,
Sy qensh të rrahur fare pa shkak…

Ngjyrat kaftërohen si buzët e dheut,
me ca lot të padukshëm
që i ndjen brenda teje,
një lloj pagoje, padhimbje…

Kështu është, kështu do të jetë.
Vdekja ekziston kaq hapur.
Ja ca punëtorë funebër
që dalin nga krematoriumi
dhe shkundin
pluhurin e njerëzve anonimë
mbi heshtjen e trëndafilëve të ngrirë.
(se ka njerëz që nuk e duan as edhe një varr,
një mbresë)

Ndoshta vdekja është më e bukura në botë,
se pa të s’mund të ketë një jetë të re,
një buzëqeshje pranvere, një lot dimri…
një puthje, një shpresë,
një dorë që shtrëngon vetminë,
ëndrra…
që nuk treten në mjegull.

2015

ObserverKult


Lexo edhe:

SUETON ZHUGRI: NUK DI…