Halil Matoshi: Mëshirë, Zot! Ose tundimi i t’burgosunit Blg 500459

(Zabela, 1999)

kur mbrrijtem në burgun famkeq Zabela brimat e pshtymat
na mluen si me shprazë hi vullkanik përmi neve

tek vazhdonte rituali i torturës
“Topli zec”* unë vështrojsha sipër reve

për me ia gjetë rrâjën fjalës
kreni
krejt çka m’ka ra n’mèn ishte
me iu lutë gujve

mos u dridhni shtylla divi
të ksaj ngrehine t’lëndueshme
që lidhni siproren me pluhnin

qenia u bjen n’guj gujve
(dy ashtave qi e majnë drejt rrashten)

e pranoj, jam tundue
po të ishte nji Perëndi –
engjujt rujtës kish me i dërgu
me u kujdesë për robin e ti

Po Jezusi tha:
“Mos e vno n’provë Zotin, Perëndinë tàne”!

e vetmja uzdajë gujve me iu përgjerue
mos u lakoni nga peshë e qelles
kur tfillohet fiqir i zi

kurajo e gjithkohshme gujve
me u ngul n’dhé

Ave, mos u ligshtoni,
n’këtë natë me gjamë

farisejve t’truem gjarpnoj**
mos me u ra nër kâmë

———————————————-

* Emnimi i nji lloj torture “mirseardhje” (lepuri i nxetë!) kur t’burgosunit e lidhun duersh kapërcejnë ndërmjet dy kordonëve të gardianëve të cilët sjellin me shufra gome pandalshëm dhe përnjiherësh.
Ky ritual burimin e ka nga burgu Goli Otok ku nga 1949-1956 ishte kamp “riedukimi” për disidentat politik në ish-Jugosllavi.

** Libri i zanafillës 3:14 “Kështu Zoti i tha gjarpnit: Me qenë se e bâne këtë, je i mallkuet mbi të gjitha kafshët dhe bishat! Ki mu zvarritë mbi barkun tan dhe ki me hangër pluhun tâna ditët e jetës tane”.

ObserverKult


Lexo edhe:

HALIL MATOSHI: BABA PO ZVOGËLOHET