Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Alfons Zeneli.
-Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Sigurisht nuk mund të jap një përgjigje të saktë. Pasi nuk bëhet fjalë për një pikëtakim të qartë, gjeometrik. Duke qenë se letërsia e ofruar njeriut përbën kontakt të gjerë e të disafishtë, mund të them se takimi im i parë me letërsinë i ngjan ballafaqimit të parë të njeriut me oqeanin apo me qiellin e paanë. Besoj se kemi të bëjmë me një kontakt flu, të paqartë. Si kontakti i një lumi me detin ku nuk ka një piketë të caktuar por një bashkim organik.
Në shtëpinë e gjyshit në fshat ka patur shumë libra. Ai lexonte papushim. Dhe “infektimi” më ka ndodhur pa mësuar zyrtarisht shkrim e këndim. Prekja dhe hapja e një libri më trondit emocionalisht edhe sot e kësaj dite. Pra bëhet fjalë për një lidhje e vendtakim gati iracional.
-Kur ratë në “grackën” e saj?
– Edhe rënia në “grackë” ka ndodhur pikërisht asokohësh. Leximi i librave të krijon një mikroklimë rreth vetes, një egzotikë të mrekullueshme ishullore. Dhe kështu “vetëskllavërohesh” tek ajo. Krijohet një simbiozë e atillë që të bën të mos e mbash mend kohën por të kujtosh se ke qenë gjithmonë nën pushtetin e saj pra letërsisë.
-Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
– Kjo është pyetje “problematike “. Vërshimi, inflacioni i “poetëve dhe shkrimtëve”, vetëtitullimi “shkrimtar, poet, kritik” nëpër rrjete apo aktivitete etj më ka shkaktuar një tronditje. Gati-gati kompleks, ndjesi refuzuese ndaj emërtesave poet apo shkrimtar. Nuk e di kur dhe si e ndjej veten nga kjo pikëpamje. Sidoqoftë, unë nuk mund të ndjehem piktor, astrofizikan apo fermer. Kështu që për sa kohë merrem me letërsi më duhet ta pranoj. Kur e ndjeva veten? Nuk e di.
-A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
– Është një pyetje e cila në forma e ngjyra të ndryshme, i shfaqet secilit poet. Poezia vjen si një nevojë, si një urdhëresë e brendshme nga ato zona të shpirtit ku ne nuk kemi asnjë kontroll. Poezia krijohet vetvetiu atje në thellësitë e kaltëra të shpirtit dhe kumbon, ulërin e qan sepse do të dalë. Sepse të duhet ta nxjerrësh, ta lindësh. Përndryshe pëlcet, shpërthen, vdes. Prandaj arsyeja se “përse shkruaj” është një arsye pa arsye. Nëse do kishim arsye, nuk do kishim poezi.
-Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
– Po më quani për të dytën herë “shkrimtar”, dmth ObserverKult, po më sugjestinon. Poezia është atribut ekskluzivisht shpirtëror. Si e tillë asnjë nuk i ngjan asnjërës. Se shpirtërat janë si shenjat e gishtave. Duket sikur ngjajnë por kanë dallime. Aq më tepër shpirtërat me pakufijshmërinë e tyre të pakonceptueshme. Pra mjafton të shkruash poezi autentike, të dala natyrshëm nga ato shtresat e panjohura të shpirtit dhe poezia, letërsia bëhen automatkisht të veçanta. Kështu mund të jesh poet i veçantë. Në këtë pikë besoj se jam.
-Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
– Po të vazhdoj logjikën e rrëfimit të deritanishëm, do të thoja se në shkrimet e mia them ” SHPIRTIN”. Më saktë, i marr njerëzit, ndodhitë, natyrën, dhimbjet, pengjet, dashuritë, kohën, udhët e të gjithë njerëzve e i fut në shpirt. Pastaj i rilind prej dhimbjes dhe dashurisë. Këto ju them njerëzve.
–Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
– Shumë gjëra. Nuk mund t’i nominoj edhe për arsyen se nuk kanë emra të përveçëm. Sa më shumë jeton, sa më shumë shkruan aq më shumë ke gjëra për të thënë. Është si puna e “rrethit të njohurive”: sa më i madh bëhet rrethi i njohurive, aq më i madh bëhet kontakti me të panjohurën.
-I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
– Tek proza duhet një kombinim, një ndërthurje fatlume. Pra duhen të dyja. Tek poezia është më ndryshe. Mjafton të kesh mundësinë për t’u përfshirë në “përvuajtni”. Muza është pikërisht aftësia ose më saktë DHUNTIA pë të udhëtuar në kohë e dimensione dhe për të sjellë prej andej madhështinë e poezisë. Unë pres shumë kohë për të shkruar poezi. Kjo është “puna ime e parreshtur”. Pres që të vijë vetë, të mos e kërkoj. Kush kërkon e ulet “hajt” se po ia qëlloj një poezie, nuk na servir poezi. Poezia nuk kërkon vullnet e këmbëngulje. Kërkon të kesh dhuntinë e lindur për të shkuar në vendin e muzave dhe të bëhesh strehë e muzave. Poezia është një koncentrat dhe shprehje shumë sintetike e epërme. Nuk mund të shkruash poezi nga dy e nga pesë në ditë. Është “krim” ndaj shenjtërisë së saj.
-Sa jeni sistematik në të shkruar?
– Nuk jam sistematik. Besoj se e preka indirekt dhe tek përgjigja paraardhëse. Shkruaj vetëm kur më vjen si një kërkesë shumë fort dhe e thellë nga brendësia. Përndryshe nuk shkruaj. Mendoj se duhet të tregojmë respekt ndaj supremacisë së poezisë.
-Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
– Nuk do ndryshoja asgjë. Do shkruaja sërish. Do isha i gatshëm të “paguaja” sërish çmimin e krijimit.
ObserverKult
Lexo edhe:
PYETËSORI I PRUSTIT/ALFONS ZENELI: BABËZIA ËSHTË MËKATI EKSTREM