Halil Matoshi: Në shkrimet e mia kam thânë diçka që e menojnë shumë por s’dijnë me e thânë, s’kanë gjuhë

Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari, Halil Matoshi.

-Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-Librat e parë që i pata në dorë ishin “Poema” nga Ndre Mjeda dhe “Vargjet e lira” të Migjenit dhe “Posta e porositun” e Mark Krasniqit.
Botimet e para të “Rilindjës”, vitet ‘60 të shekullit të kaluem. Këto tre i libra i kishim në trashëgimi familjare asokohe, nga vëllau i madh, Mustafa, arëherë gjmnazist në Kamenicë.

Masandej në klasë të dytë mora dhuratë nji libër të ilustruem për Robin Hood-in e në klasë të pestë mora njashtu dhuratë nga shkolla “Foka e bardhë” të Rudyard Kipling-ut, në të shtatën “Komesari Memo” të Agollit dhe kështu nisi me u themelu biblioteka jéme.
Por lexim më serioz u kisha bâ romaneve “Stuhi në Gang”, të Rabindranath Tagores; botim i Prishtinës, 1965 dhe Petro Marko “Hasta la Vista”, Prishtinë, 1970, “Halimi”, botue në Prishtinë nga “Rilindja” në vitin 1972. Si dhe – të paharreshmin “Për memëdheun” të Thoma Kaçorrit, s’më kujtohet viti i botimit.

-Kur ratë në “grackën” e saj?

-Kam qenë lexues pasionant i Pionierit dhe Gazetës se pionierëve, dy revista fort të lezetshme për fëmijë dhe kam udhëtu 30 km deri në Kamenicë për me i ble për çdo të premte. Dikur rashë në kontakt me Zânin e rinisë, Fjalën e Jetën e re, përmes vëllaut që ishte në gjimnaz dhe fqinjit tém Beqir Buzukut, që ka ndrrue jetë këto ditë. Nisa me shkrue si djalë në fillore, por me botu mora guximin spari si maturant në Prishtinë më 1981.

-Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

-Më 1987-88 dhe botova librin e parë poetik “Frymë varresh në dallgore”; bota e re 1988 me recensentët Dr. Ibrahim Rugova, Agim Deva dhe Milazim Krasniqi. Ishte libër i organizuar mirë, jo fort shkrim i disciplinuet, po i mirë për nerë! E shihni, ishte rezultat e braktisjës së poezisë të epokës së realsocit!
Dhe venerova se po dijsha me shkru.

-A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Âsht e natyrshme qi sejcili autor me ia bâ vetës këtë pyetje, kur ka shumë gjâna ma t’bukura me bâ. Nashta ideja e pavdeksisë, gjurmët ose shtytja me e shumëzu njerëzimin përmes miliona personazheve, me kânë në shumë vende dyzash dhe me udhëtu në kohë para e mas.

Po vërtet kush e shkruen tekstin e autorit?
Që nga “Iliada” e Homerit e “Hamlet-i” i Shakespeare, e deri në ditët tona, kritika e bân të njâjtën pyetje: Kush e shkruen tekstin e autorit?
Athu intenca e kthimit/Itakat tona janë vorret tona, sepse ideja e kthimit të kujton dekën, mes njerëzve të njohtun, sepse, siç thotë Karl R. Popper-i “në qendrën më të thellë të qenies tonë, ne jemi krijesa shoqnore.”

Simas këtij autori nuk munet me pasë imagjinim ma t’gabuet se menimi se dikush munet me fillu diçka nga e para, i lirë nga e kaluemja ose pa qenë borxhli ndaj askujt!”
Kush dhe përse “ma diktoi” tregimin “Lojë” që shpërfaqte dialogje letrare, ekscentrike e të ankthshme dhe po aq reale, për kampet e përqëndrimit, më 1996, tek libri “Lajmësi memec” dhe si u gjeta në ni kamp të njimendët më 1999?

A thue forca të padokshme totemike i flasin atij (autorit) dhe i kërkojnë të mos zmbrapset nga rruga e tij, e kërkimit estetik, (dhe e zbulesës!?) e cila tashmâ kërkon tjera vlera e kode: Totemet e të shkuarës si fatum-i nietzschean dhe rikthim i përhershëm i të njâjtës!?
Në këtë kërkim pa fund, Tomas Man-i shkruen se ne nuk mendojmë e veprojmë si subjekte autonome sepse tjerë mendojnë e veprojnë brenda nesh.
Âsht historia e tânë, që rri pas nesh e na i bân ‘refresh’ informatatat e kodifikueme nga e shkuemja jonë, duke na dhânë ni forcë ose energji të re për ripërtrimje.
Rrugës së njâjtë i biem dy herë!
Niherë në letërsi dhe ni herë në realitetin brutal historik.

Kam shkru dy libra për me hedh dritë mbi misterin e atyne forcave shtytëse misterioze qe e bâjnë letërsinë ma të vërtet se e vërteta, “Udhëtim nepër ândërr të keqe” (1994) dhe “Udhëtim nepër zhgjândërr të keqe” (2000.)
Të vërtetat letrare janë ndryshe nga të vërtetat historike, shkencore, filozofike. Ernesto Sabato thotë se aty ku shkenca dhe filozofia mbarojnë, aty fillon letërsia. Të vërtetat letrare janë metafizike, të painterpretueshme me metodologjinë e njohjes shkencore. Por letërsia ekziston, është e pranishme dhe mbijeton se vetë njeriu është qenie metafizike, është i njohshëm, i prekshëm, i përceptueshëm, por ndërkaq është shumë më tepër i paarritshëm, i papërceptueshem, mistik në vetvete. Kur një krijim letrar i duket lexuesit më i vërtetë se vetë e vërteta, është shenjë se kemi të bëjmë me letërsi, që i kapërcen kufijtë e të zakonshmes. Njâjt mendonte Ernest Hemingway, për të, të gjithë librat e mirë kanë një gjë të përbashkët: Ngjarjet e tyne janë më të vërteta, sesa nëse do të kishin ndodhë realisht!
Kjo âsht liria krijuese, e kufizuar vetiu në thelbin e saj, në mister.

-Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?

-Kërkimi për do të vërteta përtej faktit historik, të vërtetave metafizike dhe natyrisht me vargun befasues dhe magjik, me i dhânë gjuhë të nemitunës.
Pasi i kam studju hollë Mjedën e Camajn – vargun e amël geg – dhe m’ka mrekullu deri në shqetësim vargu i bëftë i Wislawa Szymborska-s, po e sheshoj Tomas Tranströmer-in magjik, sikur aurorat polare dhe Pesoa-n e fellë e të errët, si oqeani, e tash po e gjejë vetën, poet të riseminimit të mitit, historisë tue ndjekun nji logjike tjetërfare të gjuhës më të cilën “thuhet” dashtunia. Gjuhë ndjenjash që nuk digjohet me veshin tonë, sepse nuk kemi mpreh shqisën e shtatë, synin e tretë, çakrat.

-Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Diçka që e menojnë shumë por s’dijnë me e thânë. S’kanë gjuhë.
Po thom, si me e depërtu shurdhimën e njeriut me brimë të këndueme e me i dhanë kuptime të reja. Me rrnu në harmoni me natyrën dhe me njeriun, vërtet me ditë me e thanë: kush jemi na dhe pse erdhëm në këtë tokë!

-Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Të gjitha, në mënyrë të re e me kuptim të ri, përtej klasikës, por tue ju rikthy asaj, masi postmodernja nuk mbrrini me e definu veten dhe nuk prodhoi vepra t’naltësueme.
Shihni psh. njat meselen e bananës të ngjitun me ‘fllaster” në muret e galerisë, që ishte shitur për disa miliona, qëlloi nji student i untë dhe e hangër! Ku mbeti arti postmodern pos që u shndrru në mbetje të fiziologjisë njerzore!?

I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

-Frymëzimi âsht pluhuni kozmik i Zotit. Grimca e tij. Buron nga nji aromë, (aromat janë zbulesa jonë e gjysmëerrësinës së mitrës!), nga ‘i gurgullimë gurre, murmurimë rrfeje, buzëqeshje grueje, trimnie burri. Nga nji mister.

-Sa jeni sistematik në të shkruar?

-Njeriu ka 100 punë, rëndom. Arrinë me bâ pak se âsht i kufizuet në kohë. Çdo gjë e kam msue më 20 vjetët e mia, tânë pjesa tjetër e jetës m’asht dashtë me i verifiku ato dije thojke Emil Cioran, që vlen si ciniku i mramë, pra me kânë sistematik në t’shkruem s’lë koha e dertet e jetës, por shkrimi po që m’âsht bâ mnyrë rrnese.

Struktura e kohës së Martin Heidegger-it funksionon ashtu siç funksionon, sepse individi e projekton veten në një horizont të kufizuem e të përcaktuet nga vdekja.
“Individi âsht nji qenie-drejt-vdekjes. Kafshët jo-njerëzore nuk janë të përkohshme, me sa dimë na, sepse ato nuk parashikojnë vdekjen e tyne”-shkruen Nietszsche.

Vdekja duhet me i gâ nji mjesi mes vjeshtës dhe dimnit!
Ndrrimi i stinës âsht sikur nji piktor maestral që e ndërron stilin dhe intensitetin e ngjyrave!
Asht loja eternale e natyrës me ngjyra e tone.
Me aroma!
Kodi i natyrës i personifikuem në Daphne (Perëndeshës së gjallnimit e intensitetit të ngjyrnave, gjelbrimit e luleve) i ndrron sjelljet dhe ngjyrnat përballë temperaturës, brymës.
Ndrrojnë tingujt, nuansat dhe aromat. Për mu ngjyrat dhe emnat let’ mujnë me u zavendsu me aroma.
Aromë stine vjen n’oborr.
Dhe shpërndahet me nji furi t’artë…

-Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Ndoshta kopshtar ose kafexhi!
Ai që i njeh bimët e lulet âsht ngat Zoti, e kush ma mirë së nji kopshtar? E kush mâ mirë së nji kafexhi (barman) i njeh gjendjet e thyeshme të njerit?

ObserverKult


Lexo edhe:

HALIL MATOSHI: PRÂMJE ME BORË

HALIL MATOSHI: THE LIL’S POEM