44.488 faqe dorëshkrimesh të Ismail Kadaresë ekspozohen- përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica

Dorëshkrimet e Ismail Kadaresë janë shfaqur për herë të parë për publikun në mjediset e Bibliotekës së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Këto dorëshkrime janë ekspozuar në formën e një instalacioni poliedrik, buajtur me shumë nderim në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog.

Hapja e ekspozitës u zhvillua me praninë e shumë dashamirësve të shkrimtarit të njohur botërisht, Ismail Kadare, familjarëve të tij por edhe autoriteteve shtetërore.

Mbrëmja u hap nga drejtore e COD, Jetona Koçibelli e cila tha se vendekspozimi i këtyre dorëshkrimeve riskicohet prej prezencës e peshës së veprave të ekspozuara si një pallat i ëndërrave të dëshiruara e të lëna përgjysmë prej Kadaresë, e që tashmë, si u shpreh ajo, na ngelet ne t’i rrugëtojmë siç duhet.

Ekspozita shpalos dorëshkrimet e shkrimtarit shqiptar bashkëkohor më të njohur në botë, Ismail Kadaresë me 44.488 faqe, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, drejtori i së cilës, Ardit Bido u shpreh se Ismail Kadare ishte një shkrimtar që gjithë veprën e tij ngre lart shqiptarinë, një element që e gjen në vazhdimësi në veprën e tij.

Vajza e Kadaresë shprehu mirënjohjen për DPA dhe COD që organizuan ekspozitën në vijim të dhurimit që familja Kadare bëri të këtyre dorëshkrimeve.

“Ndjesi e re t’i shoh këtu pasi jam mësuar t’i shoh nëpër kartona e nëpër dollape. Mundësi që t’i kenë brezat e ardhshme, pasi është si kronikë e rrugëtimit të kombit shqiptar”, u shpreh ajo ndërsa ndau një poezi me të pranishmit që e cilësoi si një testament të shkruar herët.

Kjo ekspozitë përbën mundësi të rrallë për të eksploruar botën e panjohur të Kadaresë: veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues. Çdo faqe dorëshkrimi është një udhëtim në mendimin dhe artin e tij, ku secila ide dhe reflektim shpërfaqet në mënyra të reja e të befasishme./atsh

ObserverKult


Lexo edhe:

ALBIN KURTI NË “PRISHTINA JAZZ FESTIVAL”, VEÇON PIONERËT E KËTIJ ZHANRI NË KOSOVË