Nga: Blerim Valla
Festën e Flamurit – 28 Nëntorin secili shqiptar është mirë ta pres në Gjakovë me festivalin “Ditët e Nëntorit”! Pasi nga sot, pra nga data 19 deri më 30 nëntor, Gjakova do të jetë qendra e kulturës, muzikës dhe traditës shqiptare.
Gjatë 12 ditëve të këtij nëntori në Gjakovë, do të mbahen një seri aktivitetesh artistike e kulturore por edhe shumë panele debatesh, pastaj do të ketë gatime të ndryshme tradicionale gjakovare dhe muzikë shumë të mirë – koncerte live që do mbahen në teatrin”Hadi Shehu” në Gjakovë me pjesëmarrjen e artistëve më të njohur shqiptarë.
Shkurt do të jetë kjo një festë e artit, kulturës dhe traditës shqiptare në Gjakovë. Gazetari, pedagogu e shkrimtari i njohur, tiransi me rrënjë gjakovare Ermal Hasimja është në krye të organizimit të këtij festivali dhe është kryetar i bordit të “Fondacionit për Gjakovën”.
Pra nëntori i këtij viti prej datave 19 deri më 30 nëntor do të jetë i zjarrtë në Gjakovë falë organizimit të këtij festivali unik kulturor mbarëshqiptar. Ku me këtë rast publiku do të mund të shohë operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, pastaj grupin e njohur “Saz’Iso” me perlat e muzikës së jugut të Shqipërisë, si dhe të shijoj Gala Koncertin me mjeshtrit e muzikës lirike kosovare, dhe shumë panele debatesh e diskutimesh me tema kulturore e historike. Kurse për çdo natë pas këtyre aktiviteteve do të ketë muzikë live në Çarshi të Vjetër të Gjakovës të përcjellura edhe me gatime tradicionale.
Programi i festivalit “Ditët e Nëntorit”:
Nga data 19 deri më 30 nëntor 2024, Teatri “Hadi Shehu” në Gjakovë do të mirëpresë artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe më gjerë, me këtë program të zgjedhur :
Opera e Kosovës “Goca e Kaçanikut” – 19.11.2024, ora 19:00
Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë – 23.11.2024, ora 19:00
Saz’Iso – 28.11.2024, ora 20:30, dhe
Gala Koncert me Solistë dhe Ansamble Vokale e Instrumentale – 29.11.2024, ora 20:30
Sipas kordinatores së këtij festivali muzicientes Jeta Gërqari, të gjitha të ardhurat e biletave që do të shiten gjatë mbajtjes së festivalit do të përdoren për të promovuar turizmin kulturor të Gjakovës. Duhet cekur se kjo ngjarje e madhe multikulturore organizohet nga “Fondacioni për Gjakovën”, fondacion ky i përkushtuar ndaj zhvillimit të kësaj komune të bukur si një destinacion i fuqishëm turistik e kulturor.
Festivali që nis sot “Ditët e Nëntorit “ vjen pas suksesit të madh të edicionit të parë të paharruar të festivalit “Ditët e Shqiptarit” që u mbajt këtë verë në Gjakovë, gjatë datave 25-28 korrik dhe 1-4 gusht, e që arriti t’i sjell qytetit të Gjakovës 7 netë të paharrueshme me aktivitete artistike e kulturore shqiptare. Festivali “Ditët e Shqiptarit” ishte shndërruar në një festë të vërtetë të trashëgimisë dhe kulturës sonë, duke ofruar një program të larmishëm dhe të pasur që përfshiu 15 koncerte me artistë të mirënjohur shqiptarë.
ObserverKult
Lexo edhe: