Nga Eduard Frrokaj
Anton Marku ka botuar së fundmi vëllimin poetik “Duke pritur ditën e tetë” që endet në një mister në mes të shtatë ditëve të javës dhe një pritje të njeriut nëpër kohë për ditën e tetë. Kujt i kujtohet ky mister me ditën e tetë. Vetë jeta është një mister në mes të tri pandehmave jetës, dashurisë dhe vdekjes, në shtatë ditë të javës është vetë jeta e njeriut, dita e tetë është pritja, ankthi dhe dashuria.
Nën titullin simbolik “Duke pritur ditën e tetë” shënjon dashurinë, luftën, shpresën, kthimin dhe besimin. Kështu dita e tetë e Antonit ngjan me simbolin e pritjes së Godosë. Ajo është sa pritje aq shenjë që i përket njeriut dhe botës nëpër kohë. Lufta si dramë tek Antoni fillon aty tek një përrallë e treguar bukur nga goja e një lahutari, simbolika poetike për humbësit e luftës është se të humbur janë ata që e ngrisin gishtin të parët.
Tek faqja e fundit e Biblës autori konstaton si metaforë dhe dilemë se dita e gjykimit të fundit nuk do të vijë sepse toka asnjherë nuk do të jetë e denjë për qiellin, një tokë e mbushur me urrejtje dhe tragjedi nuk do ta pres gjykimin e qiellit.
Ai poeti dhe dhembja endet nëpër një det që nuk i mjafton një pikë loti që të përmbytet, ai bëhet re që qiellin ta mbroj nga toka, një iluzion ku me dy duart do ta zhvarros parajsën.
Rrëfimi poetik i Antonit merr dimensionin e dhembjes për njerëzit që nuk janë më, ai konstaton se për secilin ka ndezë nga një qiri në sytë e tij.
Në këtë pritje dita e tetë është shpresë, dashuri dhe dhembje.
Koha dhe njeriu
Njeriu endet nëpër një kohë që determinohet në poezinë “Lavjerrësi” ajo është vetë historia dhe jeta, kështu njeriu kur erdhi pështyu përreth por herën e dytë e pështyu fytyrën e vetë. Njeriu nëpër lavjerrësin e historisë endet dhe pret, pret që të ndodh historia por historia është mëkatare, nuk është historia që e mëkon, që e pret, që e dashuron, është historia e fatit të keq, e braktisjes, e dhembjes, kjo është historia dhe lavjerrësi historik nëpër kohë prandaj vjen konstatimi poetik historisë i mbeti në fyt, halë në fyt, të zezën e braktisi.
Njeriu thërret qiellin që të mos ja zgjat dorën se ende nuk është gati për të, a nuk duket kjo koha e njeriut, e njeriut religjioz, e njeriut që pret por nuk është në gjendje ta prek historinë, të shkoj drejt qiellit. Antoni konstaton në një varg poetik se tek ti do të vijë vetë kur buzët të marrin ngjyrën e kumbullës …
Muzgu i dashurisë
Është një dashuri si mister i ditës së tetë që shfaqet tek muzgu që nuk dëshironte të dinte as ditën as orën, donte të shfaqej vetë, papritmas si relikt i së kaluarës, atje dikund me një libër të Markezit hapur duke folur për dashurinë. Në këtë muzg poetik ai nuk dëshiron të zgjohet nga makthi që është vetë ëndrra që kaq gjatë e mbajti në jetë.
Në këtë kronikë është një pyetje dilemë tek “Vija e Abelit” që në fakt shfaq një dilemë të thellë që nga ekzistenca, nëse një ditë toka do të ngjitet në qiell, qielli do të zbriste në tokë, athua ku do të kishte më shumë dashuri, kështu simbolika e dashurisë dhe dhembjes nga Abeli deri në ditët tona endet dhe pyet, debaton dhe mendohet për njeriun dhe dashurinë.
Dita e tetë
Dita e tetë është simbolika e dhembjes dhe dashurisë, është vetë kronika. Kështu dita e tetë si poetikë e dhembjes endet me vetëtima që na ndjekin pas tërë jetën, është kjo elegji e dhembjes për trupat e nisur dikund dhe shpirtërat që mbesin në peshojë. Në këtë kronikë profecitë do të përmbushen, asgjë nuk do të teproj nën meditimin e murgjëve, është ky meditim i murgut që i jep vargut karakter sa filozofik aq religjioz, është pritja dhe metafora simbolike për një ditë tjetër në kronikë, për ditën e tetë.
Por ka një dilemë tjetër pas pritjes prej makthi në ditën e tetë, më pas vjen shqetësimi se po ndodhi që edhe kësaj radhe të mos qëllojmë në shenjë kush duhet të na tregoj nga duhet shkuar… pra kush është vetë pyetja, dilema dhe shqetësimi.
Është atje dikund larg një dritë e pambaruar që pyet se në këtë jetë sa vite na kanë vdekur dhe sa i vramë vetë. Në mes të ketyre pyetjeve ka shumë pikëpyetje poetike deri tek ankthi sa vite na kanë vdekur deri atje tek shpresa që është tek ajo që di të jetë e bukur e të ketë hije, ajo që e dredh krahun për të treguar se ti e ke rendin për të shkuar deri në fund të shkallëve.
Në mes të pritjes
Është një pritje që e vret shpirtin poetik prandaj vjen konstatimi i Antonit se para dyerve të tua u ula njëherë duke e përqafuar veten përmallshëm dhe duke konstatuar sa afër janë ferri dhe qielli, pra ferri dhe qielli ndërsa mesi është pritje, është pritje për ditën e tetë .
Kështu del kthimi nga kthinat e jetës si dhembje se dola nga hija për t’u kthyer njëherë tjetër, dikur, në një kohë që kurrë nuk arriti të bëhet e plotë, kurrë nuk arriti të përfundoj misterin e zemrës.
Zanafilla
Pyetja shtrohet si dilemë dhe si konstatim se nëse në zanafillën biblike e para ishte fjala atëherë më së pari dashuria ka dalë nga goja e saj prandaj t’i kërkoje dashuri qiellore ndërsa unë të ofrova gjëra tokësore, ti hyjnesha ime konstaton poeti .
Në faqen e fundit të Biblës poeti mediton se dita e gjykimit të fundit nuk do të vijë pasi toka asnjëherë nuk do të jetë e denjë për qiellin.
Armiku i popullit
Antoni konstaton se “armiku i popullit” ka fatin cinik, ai është i dënuari historik sepse flet të vërtetën, kjo përsiatje poetike për “armikun e popullit” na tregon tërë historinë në pasqyrë se të dënuar janë ata që flasin të vërteten ndërsa të ekzaltuar ata që mashtrojnë, ata janë hyjnitë e rrejshëm të kohës.
Misteri i ditës së tetë
Kronika e këtij rrëfimi poetik është një mister në zemër dhe një pritje në kohë, ky mister e pret ditën e tetë që është një pritje që endet nëpër kohë që nga ajo thirrje historike e para, atje në filim ishte fjala. Kështu poeti Anton Marku e ka rrëfyer ketë mister në zemër për njeriun nëpër kohë, ai vetë është fjala, në kërkim të fjalës për njeriun, vdekjen ,dashurinë dhe shpresën…
ObserverKult
Lexo edhe:
Lexo edhe: