Jeton Kelmendi: Si jetohet mirë në Prishtinë

Poezi nga Jeton Kelmendi

Si jetohet mirë në Prishtinë

Në Prishtinë jetohet gjithësi,
por të jetosh mirë kërkon mjeshtri,
jo domosdo dije, jo patjetër shpirt të pastër.
Duhet të jesh vazal i pushtetit,
të dish si t’i përkulesh hijes së tij,
të lëkundësh kokën, edhe kur s’të pëlqen.
Në shenjë se pajtohesh, si çke me të.

Mjafton të dish të gënjesh bukur,
të shitesh si i sinqertë dhe pastaj
të shohësh sesi të besojnë.
Fjalët janë pasaporta e suksesit,
e vërteta mbetet në kafaz,
nëse s’di ta tjetërsosh veten,
ti vetë bëhesh armiku yt më i madh.

Në Prishtinë, të jetosh mirë nuk është fort e rëndë.
Duhet vetëm një leksion i vogël:
të harrosh kush je, të marrësh formën e tyre,
të njohësh gjuhën e të sharave,
dhe të shndërrohesh në reflektim të zbrazëtisë.

Nëse s’beson, eja dhe provo një javë.
Mos pyet më për mënyrën,
shiko ekranet e mediave
që edukojnë si të bëhesh degjenerues i “mirë”.
Të mësojnë t’i pështysh pa mëdyshje
ata që nuk mendojnë si ti,
të brohorasësh boshtet bosh të urrejtjes,
thejshtë, të jesh pjesë e korit të injorancës.

Në trafik, ngutet secili,
jo për të arritur diçka, por për të të lënë pas.
Në teatër, shkojnë vetëm aktorët e ca të panjohur,
kurse të tjerët, nga larg, protestojnë.
Kultura këtu bëhet nga ata që s’kanë kulturë,
e artin e bëjnë ata që s’dinë çfarë është arti.
beso ose jo, krejt injorantet janë bërë artista…

Te ardhmen ta qeverisin hajdutët,
sepse kështu e trajtojnë njeri-tjetrin ata që udhëheqin.
Një spektakël grotesk ku titulli është:
“Si të rrëzosh tjetrin për të ngritur veten.”

Nëse do të jetosh mirë në Prishtinë,
mëso mirë shkollën e të sharave,
fillo lavdërimin e injorancës,
zgjidh fjalët e zbrazëta dhe ngulmime të forta,
dhe, kur të vijë koha për zgjedhje,
voto për inat, kurrë për bindje.

Në Prishtinë, e ardhmja është thërrmuar
në duart e atyre që i japin jetë thashethemeve,
që ndjekin hapat e tyre mbi kujtimet e tjetrit.
njëzet vjet shkatërim, thua se
para këtyre viteve paskemi qenë
parajsë.
Po, nejse ma,
me rendësi është të dijsh të jetosh mirë,
e për këto tjerat, s’ka rëndësi.

Nëse të pyet dikush ndonjëherë,
“Si jetohet mirë në Prishtinë?”,
mos thuaj asgjë.
Shikoje të drejtën në sy dhe hesht.
Në këtë heshtje, ndoshta, gjen të vërtetën e humbur.

Por, si nuk jetohet mirë në Prishtinë

Nëse je i ndershëm, vaj halli për ty,
jeta këtu të pret me shpate të mprehta,
ku çdo hap i drejtë të bën armik të turmës.
Shto kësaj faktin e një krenarie të vogël,
dhe çdo ditë bëhet fushëbetejë.
Ata që ecin drejt, këtu nuk ecin gjatë.

Nëse nuk bëhesh si ata—
në medie, në politikë, në kulturë, në afarizem—
thjesht të harrojnë, sikur s’ekzistoke kurrë.
Një fantazmë në një qytet të verbër,
ku vlerat janë lëshuar në ankand,
dhe njeriu matet me peshën e poshtërsisë.

Në Prishtinë, të jesh i drejtë është barrë,
të kesh ndershmëri është mallkim.
Të gjithë ata që nuk lyejnë duart me baltë,
mbeten në hijen e harresës,
sepse këtu, vetëm ata që dinë të shtiren,
të përkulen e të buzëqeshin rrejshëm,
marrin çelësat e “suksesit”.

Këtu njeriu ka dy alternativa:
të jetosh mirë me maskaradën e këtij moderniteti,
apo të mos jetosh mirë, por të ruash shpirtin tënd.
Por a ia vlen kjo sakrificë, kur gjithçka rreth teje
vret përditë çdo grimë shprese?
Njerëzit zgjedhin një rrugë të tretë;
Emigrojnë, largohen nga vendi.

Nuk jetohet mirë në Prishtinë,
kur dinjiteti i burrave e grave
shitet për pak rehati dhe lavdi boshe.
Kur më e keqja ngrihet mbi më të mirën,
dhe mendimi i pastër mbytet nën valët e thashethemeve.

Në Prishtinë, ata që heshtin dhimbjen e tyre,
nuk kanë vend në këtë qytet të zhurmshëm.
Ata që shohin përtej interesave të ngushta,
mbeten si gurë të palëvizshëm në lumë,
ndërsa uji i turbullt kalon duke i shpërlarë.

Por prapë, si nuk jetohet mirë në Prishtinë?
Kur zemra kërkon të ruajë një grimë dëlirësie,
kur nuk pranon t’u bashkohesh, të shesësh shpirtin,
kur zgjidh të ecësh vetëm, në rrugë të thjeshta,
atëherë kupton se lumturia nuk matet këtu.

Në këtë qytet, ku pasuria dhe lavdia
janë kurora për mbretër pa zemër,
nuk jetohet mirë nëse sheh drejt,
nuk jetohet mirë nëse flet drejt.
Por ndoshta, pikërisht këtu,
fillon të kuptosh se ka një ndriçim tjetër:
ajo mirëqenie që nuk matet me pasuri,
por me paqe që jeton në shpirt.

Në Prishtinë
Në këtë qytet ku asnjë gazetë më nuk shtypet,
Ku i lexon në telefon të gjitha dhe asgjë s’lexohet mbarë,
Intelektualët frikën mbështjellin me heshtje,
E interesat e tyre bëjnë të flasin pakuptueshëm.

Portalet janë si mjegulla e mëngjesit,
Numra klikimesh, lajme pa rendësi.

Nëse ke diplomuar në sharje
apo ke magjistruar në fyerje,
Numri i klikimeve rritet, e vërteta zbret.
në rregull, me rendësi është
Si ta thyesh qafen ‘bukur’,
Big Brother të mëson gjithçka, mësimi i krimit.
Nëpër ekrane, çfarë shohin sytë,
Mediet elektronike, nuk njohin asnjë të vërtetë.

Zotëri, kurkushin e bëjnë të famshëm,
Zonjushen asgjë, as një fjalë. Madhështore…
Një botë e vërtetë ku klikimet mbretërojnë,
Në qytetin ku mendimi nuk ngrihet, vetëm rrjedh.

Prishtinë, më 18 nëntor 2024

ObserverKult


Lexo edhe:

JETON KELMENDI: PAFUNDËSISHT SHTRIHET NË KOHË JETA