Kosova bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri

Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një Muzeu të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri, me qëllim “dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Kosovë”.

Në një mbledhje të Qeverisë, të mbajtur të mërkurën, u tha se objektivi kryesor është “krijimi i një institucioni publik, përkujtues dhe prezantues të historive dhe përvojave nën pushtimin e Serbisë dhe të Jugosllavisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se muzeu “është institucionalizimi i kujtesës sonë kolektive dhe dëshmi, sa e krimeve monstruoze të Serbisë gjenocidale, aq edhe dëshmi se Republika e Kosovës edhe ka ngadhënjyer, edhe nuk harron”.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrulla Çeku, tha se muzeu i ri “synon edukimin, përkujtimin dhe nderimin e brezave” dhe “prezantimin e përjetimeve të të mbijetuarve, që historitë e tyre të mos harrohen”.

Muzeu, shtoi ai, “synon paqen e qëndrueshme, duke u siguruar që e kaluara e dhunshme të jetë e dëshmuar, të kujtohet dhe të mos përsëritet”.

Çeku ka thënë se ky muze do të themelohet fillimisht si njësi e veçantë në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për muzetë, ai pritet të shndërrohet në institucion të pavarur muzeor të nivelit kombëtar.

Institucioni i muzeut synohet të vendoset në ndërtesën ku aktualisht vepron MKRS, në sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë.

Propozimi për themelimin e muzeut u mbështet nga të gjithë ministrat e pranishëm në mbledhje, me përjashtim të atij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili abstenoi në votim.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./atsh/

ObserverKult


Lexo edhe: