Kur marsi mbush qiejt me lulebore/ Dy fjalë për librin e Shpresa Kapisyzit, “Lutja e pemëve”

Nga Fulvia Dollmeni Shtepani

Zgjedhja e titullit të një libri është diçka shumë delikate, ai është prekursori i shpërthimit vullkanik që libri shkakton tek lexuesi, pasi ai përfaqëson  në vetvete një lloj eksiliri të kuptimit të fshehtë të librit dhe sugjeron një nëntekst të caktuar. «Nëse libri që po lexojmë nuk na zgjon si një goditje grushti në kokë, përse duhet ta lexojmë sadopak?” thoshte F. Kafka. «Lutja e pemëve» m’u duk nje libër i tillë, një grusht  drithërimë, nostalgji, dashuri, jetë, duke filluar që nga poezia e parë «Pranvera ime» e cila qëndron si një monument alegoriko-metaforik me simbolikën e mesazhit që përcjell, duke i paraprirë thesarit të regjistrit të saj shpirtëror.

Mbasi lexon librin një hypnozë e ëmbël sensuale ndjesish të kaplon, të mbështjell butësisht si një vello e bardhë  e dantelltë, qëndisur me petalet e luleve të  kumbullës që vërtitet në ajër,  në stinën e gjallimit, marsi duke pritur me lulebore i mbush qiejt, dhe magjia” bën punën e vet, ushqyer nga atmosfera  hamendësore, përfytyruese, dhe imagjinata merr fletë.

Imagjinata figurative e poetike e Shpresës është me rrënjë të thella, ajo pranveron gjithmonë në kopshtin e saj erëmirë të fëmijërisë, ku drita e trëndafiltë fillon këmbadoras të ecë, ku buzëqeshjet rinore turbullohen në shtegun e pranvertë. Ajo metamorfozohet me shpejtësinë e vetëtimës, duke kaluar përmes kaçubave e labirinteve të blertë të kujtesës, ku ngazëllimi  frymon akoma çiltërsinë, ku dielli skuqet nga dashuria, ku edhe grimca e pluhurit bën dritë e fluturon deri aty ku drita zë fill, etj…

Përmbajtja e këtyre poezive është një ndjesi e çuditshme, që lidh ngushtë e metaforikisht, pemët, fushat, lulet, zogjtë, hiret e natyrës me jetën. Në brendësi të tyre autorja gjen sinoniminë e plotë poetike me brishtësinë e madhështinë e jetës. Përmes tyre ajo zbulon dashurinë, ëndrrat dhe lirinë, butësinë dhe egërsinë, bukurinë dhe shëmtinë, vdekjen dhe pathyeshmërinë,

Koloriti stinor melodioz na bën të humbin në një shteg piktoresk i cili na udhëheq drejt kuptimit të kontekstit artistik  dhe mesazhit liriko-filozofik të poezive duke i konsideruar ato si  tablloflasin dhe ndjejnë.  Autorja na flet me gjuhën e lulimit,  nga buzët  i fluturojnë  si puthje pëllumba të bardhë. Të duket se ajo herë- herë vajton si pema, që nga gjethet e blerta,  sybukur i binin lotë pikëmëdha, si barit që ndër qerpikë si margaritarë i mbesin lotë, e herë- herë, e lumturuar, ajo  ndjen bulimin e krizantemave,  zhvendoset me një hap të jargavantë, e si fëmijë pëdore na merr, për të na çuar në vënde të përrallta, që veç në hartat brënda nesh mund ti gjejmë.

Të duket sikur tërësia e fjalëve, vargjet, strofat, apo struktura e poezive përbëjnë  në vetvete,  skicën bazë shumëplanëshe, të tablove mbi të cilat krijohen imazhet dhe emocionet poetike.

Përshkrimet akuarelike të asociacioneve stinore, si të dala drejt përdrejt nga një kopësht botanik, dhe përdorimi imazheve dhe simboleve të tyre, ka për qëllim të thellojë emocionet dhe përjetimet që përshkruhen në poezi, dhe të shprehë tiparin metaforik e autentik të autores, duke ndihmuar kështu lexuesin, të krijojë një përvojë më të thellë leximi dhe interpretimi.  Autorja na duket sikur i vjel kohës frutet më të vyera, për ti pëdorur jo pa qëllim, në identifikimin e vlerave të vetvetës, pasi poetët janë si pemët frutore, që ju lakohen  degët nga pesha e rendë e begatisë.

Nganjëherë jeta plagon zemrën me zhgënjim «koha ishte aty…veç unë kisha ikur ; me gjethe të blertë plepnaja derdh lotçerdhet mes degësh të zhveshura, pa cicërima, pa zogj.  Të duket se poezitë janë ndërtuar me një lëndë gati onirike.

Ky koncept është në thelb të interpretimit të poezisë si imazh vizual, duke e  trajtuar  atë si një pikturë me ngjyra, forma, dhe kontraste, që transmetojnë një histori jetësore. Përmes fjalëve dhe imazheve verbale, poetja krijon pamje të hollësishme, që prekin  shpirtin dhe imagjinatën e lexuesit.

Në brendësi të këtij universi piktural, domethënia narrative mbetet e pacenuar për shkak të koherencës tekstore që eshtë e pranishme kudo..

E tashmja e përshkruar me një formë gati  skenike, ka si funksion evidentimin e pjesëve të veçanta të krijimit, dhe tërheq vëmendjen ndaj tyre, duke ndikuar dukshëm në kuptimet e në ngjyrimet e tërë thënieve dhe situatave përkatëse,  qofshin ato dubitative, ku shprehet një mëdyshje: ç’të bëja une me lulet që binin nga dega e thyer brënda meje ? ; cili do të lëshojë dorën dhe i pari do të bjerë ? Nënëëë mos je ti?, apo optative, në djall, në djall vaftë google earth !

Përshkrimet kanë një konkretësi të detajuar dhe semantika e tyre përforcohet nga vetitë materiale të objekteve. Krijimi është i nënshtresuar, me përqasje novatore. Ai ngjan me një buqetë çastesh skajshmërisht të ndjeshme, ku kimia artistike e organizimit të brendshëm, frymon përthyerje që e mbajnë botën emocionale pezull, në shtresime kuptimore intriguese, ku e bukura i mban një ligjërim estetik edhe vetë kohës. Konceptimi i vargëzimit është i thjeshtë,  organizuar me strofa  të vogla që mund ti konsiderojmë si unitete të  veçanta, të cilat udhëhiqen nga përjetimi dhe mendimi, me alternim kthimesh  poetike në kohë dhe hapësirë. Ky lloj stili ka për efekt  zgjerimin e përmasave  të botës së kuptimit, duke na e prezantuar atë, si një shtjellë përsiatje e përjetimi.                

Ajo që vëmë re në poezitë e këtij vëllimi, është një simbolikë e rëndësishme e tokës, e pemëve, fushës, simbolikë, që rrok jo vetëm qasjen ndaj vendit, dheut,  por edhe atdheut,(megjithëse buzë Seine -s, ajo Drinin ndjen tek drithshëm vjen, apo kur është në urën Pont Neuf, ajo vazhdon e flet për mjegullën që i bie Bunës..)

Shpresa Kapisyzi me vëllimin e saj poetik, dëshmon se një tablo tekstuale lirike mund të vizatohet edhe me një minimum fjalësh.  Duke lexuar librin, zbulojmë me kërshëri se prirja e autores për piktoresken është gati impresioniste, me një dinamikë të brëndshme elegante, ku pothuajse në të gjitha poezitë, gjejmë një penel të vogël që rimon dhe stilon me mjeshtëri.

Poezitë nuk ndjekin një strukturë të rregullt në lidhje me rimën, mënyrën e organizimit të vargjeve apo strukturën e strofave, ato kanë një liri të madhe kompozimi e cila mishërohet gjithashtu në dukurinë e zbulimit të misterit poetik dhe un-it  autorial, si kombinim njëherazi i shumë shtresave që gjëllijnë në thellësi, e përbëjnë  në tërësi, elemente të rëndësishëm përfaqësues të modernitetit në poezi.

Ajo të rrëmben në retrospektivën e saj pa e kuptuar se je bërë pjesë e aventurave të vargjeve, të shkronjave, të fjalëve, çfarëdo qoftë ngjyrimi dhe shijimi i tyre, çfarëdo qoftë stina apo hapësira ku ajo të hedhë.

ObserverKult


Lexo edhe:

VËSHTRIM PËR POEMËN “NATË NË MONTPARNASSE – (TOUT PASSE PAR LE REGARD)” E TIMO FLLOKOS